Vetëvendosje kërkon që zgjedhjet në Podujevë të mbahen me 14 qershor

Vetëvendosje kërkon që zgjedhjet në Podujevë të mbahen me 14 qershor

Aktuale May 26, 2020 - 16:54

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një kërkesë drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Podujevë.

Kjo parti kërkon që këto zgjedhje të mbahen me 14 qershor, përcjell Zeri.info.

Këtë kërkesë e ka dorëzuar drejt KQZ-së, kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti, bashkë me propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë, Bajram Ajeti, ka dorëzuar kërkesën dhe propozimin tonë për mbajtjen e zgjedhjeve me datën 14.06.2020. Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Duke e parë situatën e krijuar në vend, e posaçërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me COVID-19 mbi një muaj, vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet”, thuhet në kërkesën e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se presin nga që KQZ-ja që në koordinim me institucionet shëndetësore, të caktojnë datën e zgjedhjeve komunale në Podujevë. /Zëri