Hoti: Sa më parë të ndërmerren masat për normalizim të jetës ekonomike

Hoti: Sa më parë të ndërmerren masat për normalizim të jetës ekonomike

Aktuale May 26, 2020 - 11:53

I nominuari për kryeministër të ri, Avdullah Hoti, ka kërkuar që sa më parë t’i kthehemi normalitetit dhe funksionimit të jetës ekonomike në vend, transmeton “Zeri.info”.

Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se pandemia COVID-19 ka shkaktuar tronditje ekonomike dhe se ka ndikuar negativisht në prodhim, në punësim dhe në të ardhura.

“Është evidente se COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte. Prandaj, duhet ndërmarrë masa që sa më parë të normalizohet funksionimi i jetës ekonomike në vend”, ka thënë ai.

Tutje Hoti ka thënë se tanimë kanë filluar mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike në komunikim me institucionet relevante.

“Për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike tashmë kemi filluar komunikimin me institucionet relevante për absorbimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe financiare”, ka përfunduar i nominuari i LDK-së për kryeministër të ri, Avdullah Hoti.