Avokatët kërkojnë që seancat të rifillojnë pas 1 qershorit

Avokatët kërkojnë që seancat të rifillojnë pas 1 qershorit

Aktuale May 25, 2020 - 11:13

Situata me pandeminë COVID-19 ka detyruar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të sjellë vendim që gjykatat e Kosovës të mos e ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Avokatët konsiderojnë që koha për rifillim e punës së gjykatave është data 1 qershor, kur edhe fillon faza e tretë lehtësuese.

Avokati Tomë Gashi në një intervistë për “Ekonominë Online” ka thënë se nëse KGJK-ja nuk e sjell një vendim për hapjen e gjykatave klientët do të dëmtoheshin.

“Ne kemi një njoftim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të datës 16 mars të këtij viti, ku janë ndaluar të gjitha seancat gjyqësore në tërë territorin e Kosovës dhe kjo ka qenë dhe është e vlefshme për të gjitha gjykatat në Kosovë”.

“Unë mendoj që, siç ka qenë e paraparë atëherë që vetëm rastet e jashtëzakonshme. Tani është koha kur janë lehtësuar masat me vendimin e Qeverisë, që data e fundit ku do të duhej që gjykatat tona të rifillonin punën ashtu siç ka qenë më parë do të duhej prej 1 qershorit. Nëse kjo datë nuk respektohet dhe Këshilli Gjyqësor nuk e sjell një vendim që gjykatat të rihapen, besoj që klientët do të dëmtoheshin”, tha ai.

Gashi ka thënë se afatet nuk mund të humbasin nga kjo kohë, duke thënë se askush nuk parasheh situata të tilla pandemike.

Por sipas tij ka qytetarë të cilët janë në paraburgim e që po presin me vendim tjetër të lirohen.

“Afatet nuk mund të humbin për shkak se kjo konsiderohet një situatë e paparaparë, është një situatë që nuk mund të parashihet dhe janë rregullat juridike që askush nuk mund të për shkak të pandemisë që ekziston.

Sa u përket afateve ligjore, askush dhe asgjë nuk duhet të humbë nga qytetarët e Kosovës, të cilët kanë lënda të caktuara në gjykatë, mirëpo ajo që është që mund të humbë është rastet kur klientët tanë gjenden në paraburgim dhe situata të tilla janë jashtëzakonisht të rënda për shkak se ata presin që të shkojnë dhe të zhvillojnë gjykimet ndaj tyre, duke pretenduar se situata mund të ndryshojë, pra kjo mund të jetë dëmi më i madh që ka mundur të shkaktohet”, u shpreh ai.

Se gjykata duhet të fillojnë punën e thotë edhe avokati tjetër, Burim Halili. Por thotë se me këtë rast nuk mund që menjëherë të fillojnë punën seancat.

“Unë pres dhe kjo duhet të bëhet patjetër, së paku të fillojë puna, sepse nëse fillojnë punët nga 1 qershori, s’do të thotë se menjëherë mund të caktohen seancat, sepse është një afat kohor ku duhet palëve t’u dërgohen ftesat dhe të përgatiten për seanca, por të paktën të fillojnë me dërgimin e ftesave për seancë gjyqësore”, thotë ai.

E pasojat që ka lënë pandemia në sistemin e drejtësisë avokati Halili thotë se janë të mëdha. Ai thotë se këto seanca kanë mundur të mbahen, duke respektuar distancën, ku kihet parasysh distanca ndërmjet trupit gjykues, prokurorit e të tjerëve.

“Pasojat e pandemisë COVID-19 kanë qenë aktuale në sistemin e drejtësisë, si në fushat dhe në bizneset tjera, sepse kjo ka ndikuar me ndërprerjen e punës së gjykatës dhe të prokurorive. Mund të them se nga data 12 mars, ku kemi edhe një vendim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, puna e gjykatave pothuajse është ndërprerë 80 për qind dhe seancat nuk janë mbajtur nga ajo datë.

Edhe pse kemi një vendim gjyqësor, ku sipas këtij vendimi thuhet se duhet të ndërpritet publiku në qasjen e gjykatave, ku edhe kryetarët e gjykata mund të kenë një lloj diskrecioni të vendosin, por prapë kanë mundur të mbahen seancat, sepse duhet të kihet parasysh që seancat mbahen në salla dhe ku ka distancë ndërmjet trupit gjykues, prokurorit, avokatëve, palëve e të pandehurve”, tha ai.