Mungesa e mjekëve në Kosovë vështirëson dhënien e shërbimeve në kohën e COVID-19

Mungesa e mjekëve në Kosovë vështirëson dhënien e shërbimeve në kohën e COVID-19

Aktuale April 14, 2020 - 15:36

Me vite të tëra Kosova është ballafaquar me mungesë të punëtorëve shëndetësorë, kryesisht me mungesë të mjekëve e të infermierëve, shkruan “Zëri.info”.

Kjo mungesë e personelit po ngarkon punëtorët shëndetësorë që janë në detyrë gjatë pandemisë COVID-19.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë se infektologëve dhe infermierëve po u konsumohen energjitë e tyre tani që janë në vijën e parë të frontit dhe se zëvendësimi i tyre është i vështirë. Ndërsa edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë shprehur nevojën e më shumë specialistëve. Sipas tyre, specialistët kanë rol kyç në hulumtim e në mbikëqyrje të rasteve e të kontakteve me sëmundje ngjitëse.

Infektologëve po u konsumohen energjitë, zëvendësimi i tyre shumë i vështirë

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se punëtorët shëndetësorë janë duke e menaxhuar gjendjen aq sa po munden. Ai ka thënë se infermierëve dhe infektologëve që janë në vijën e parë të frontit po u konsumohen energjitë, por që zëvendësimi i tyre me peronel tjetër është i vështirë. Sipas tij, në këtë kohë pandemie na bien në mend gabimet që janë bërë rreth ndarjes së specializimeve. “Momentalisht ky trend është duke u menaxhuar me ato forcat që kemi. Por nëse ky trend vazhdon të rritet, atëherë ne do të kemi probleme dhe sidomos kur është faza që ata të cilët janë në vijë të parë të frontit, si epidiomologët, inefermierët, infektologët dhe sistemi prinar, kanë filluar të konsumohen energjitë e tyre dhe zëvendësimet do të jenë më të vështira, mund të themi tash na bien në mend gabimet që janë bërë 10 vjetët e fundit sa u përket specializimeve”, ka thënë ai.

Përndryshe, Sejdiu është shprehur i shqetësuar edhe për infektimin e personelit shëndetësor me virusin COVID-19.

Deri tani është raportuar se 7 infermiere kanë rezultuar pozitive me virusin COVID-19, derisa më shumë se 20 punëtorë shëndetësorë janë në vetizolim.

Numër i ulët i epidemiologëve dhe i mikrobiologëve në Kosovë

Edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, e ka parë shqetësues numrin e ulët të punëtorëve shëndetësorë në vend. Ai ka thënë për “Zërin” se për numrin e paktë të punëtorëve shëndetësorë që ka Kosovë është duke u rritur mjaft numri i personelit që po infektohet.

Ndërsa nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (duke përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).

Sipas këtij Instituti, për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo qendër rajonale nga 2 specializantë). “Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë 12 veta dhe në 6 qendrat 17 veta). Nevojat bazike në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (Për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Po ashtu nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo spital të përgjithshëm rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24)”, është thënë tutje./Zëri/