Kërkohet nga Kurti që të gjithë punëtorëve shëndetësorë t’ua ndajë nga 300 euro

Kërkohet nga Kurti që të gjithë punëtorëve shëndetësorë t’ua ndajë nga 300 euro

Aktuale April 10, 2020 - 15:01
Image

 

Më 3 prill Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i është drejtuar me një kërkesë urgjente kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi e drejtuesve të Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar të Kosovës, ku ka kërkuar që stimulimet të ndahen për gjithë punëtorët shëndetësorë, shkruan “Zëri.info”.

Në Pakon Financiare të miratuar nga Qeveria parashihet që mjekët dhe infermierët të ndihmohen me nga 300 euro. Mirëpo në këtë pako nuk hyjnë edhe punëtorët tjerë shëndetësorë, të cilët thuhet se po luajnë një rol të rëndësishëm në kontributin që po japin në këtë kohë të pandemisë COVID-19.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesën që ia kanë drejtuar Qeverisë.

Ai është shprehur se është e pajustifikueshme që stimulimet të bëhen në mënyrë selektive, pasi që, siç ka thënë ai, nuk munden të punojnë pa punëtorët teknikë, pa sigurimin e punëtorët tjerë.

Sipas tij, ndarja selektive e stimulimeve është për keqardhje, andaj edhe pas përfundimit të pandemisë do të shikojnë Ligjin mbi Diskriminim. “Shëndetësia është një zinxhir me shumë hallka dhe nuk guxon asnjë hallkë të dështojë. Nëse këtu dështojmë dhe bëjmë në mënyrë selektive stimulime, atëherë me të vërtetë është për keqardhje. Ne nuk do të ndalemi këtu, mirëpo unë po paralajmëroj që tani që pas përfundimit të kësaj pandemie do të ulemi e do ta shikojmë edhe Ligjin mbi Diskriminimin. Është e pajustifikueshme që të bëhet në mënyrë selektive stimulimi i punëtorëve. Nuk mundemi ne as pa sigurim, as pa pastrues, as pa teknikë e të tjerë”, ka deklaruar ai.

Syla ka thënë tutje se është e turpshme nëse nuk reflekton Qeveria në ndarjen e stimulimeve. Ai ka apeluar te Ministria e Financave e tek institucionet tjera që të mos e keqpërdorin situatën. “Ne nuk jemi në situatë që mund të marrim masa radikale, ndonjë grevë ose protestë, kjo është gjë e turpshme nëse e bëjmë tani, mirëpo unë besoj që është më e turpshme nëse nuk reflekton Qeveria. Ne po apelojmë që t’i kthehemi ndërgjegjes, edhe Ministria e Financave, edhe të tjerët e të mos e keqpërdorim këtë situatë. Të gjithë këta persona kanë edhe familje dhe e meritojnë stimulimin”, shtoi ai.

Në vendim thuhet se nuk janë përfshirë as inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor dhe Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë. Në anën tjetër, shuma prej 300 eurove është parë si lëmoshë nga infektologët e Klinikës Infektive.

Hyseni: Pa staf mbështetës s’mund të funksionojmë, të përfshihen në përfitime

Çështja e ndarjes së stimulimeve është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.

Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë për “Zërin” se kanë kërkuar që edhe stafi mbështetës shëndetësor të përfitojë.

“Ne kemi bërë një reagim si Komision Parlamentar për Shëndetësi, ku në përfshirjen e benefiteve nga Qeveria të përfshihet edhe stafi sportiv, jo vetëm stafi shëndetësor, të cilët janë pjesë e zinxhirit të shërbimeve shëndetësore”, ka theksuar ai.

Hyseni, i cili është edhe mjek, është shprehur se pa këtë pjesë të stafit nuk mund as të funksionojnë. Sipas tij, në këtë situatë të krijuar nga pandemia COVID-19 i pranojnë rreth 200-250 telefonata brenda ditës.

“Pa ta nuk mundemi as ne të funksionojmë. Unë po flas edhe në cilësi të mjekut. Rreth 200 -250 telefonata i kemi brenda ditës që japim këshilla dhe po mundohemi në maksimum të reduktojmë kontaktet me institucionet shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë dhe mund t’i japim ndihmë përmes telefonit”, ka shtuar ai.