Liberalizimi i vizave mbështetet nga Presidenca kroate e BE-së

Liberalizimi i vizave mbështetet nga Presidenca kroate e BE-së

Aktuale April 10, 2020 - 11:49

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka takuar sot Danijela Barishiqin – ambasadoren e Kroacisë, të shtetit kryesues të BE-së.

Duke ndarë shqetësimet e përbashkëta për pasojat e koronavirusit, Reka e njoftoi ambasadoren kroate se edhe në këto rrethana pandemie Qeveria në detyrë dhe Ministria për Integrim Evropian vazhdojnë përkushtimin e tyre në jetësimin e reformave të agjendës evropiane.

Ai njoftoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë pesë çështje të miratuara nga Qeveria ishin pikërisht ato që lidhen me Bashkimin Evropian, siç janë: nisma për marrëveshjen ‘IPA 2019’ (pjesa e dytë), pastaj për ‘IPA 2020’, si dhe marrëveshjet trepalëshe financiare ‘IPA II’ në mes të: Kosovës, BE-së dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Po ashtu edhe në këtë periudhë, ndonëse në rrethana të kufizimeve me pandeminë, Ministria vazhdoi të japë kontributin e kërkuar nga Brukseli në lidhje me raportin vjetor për vendin, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane.

Duke iu falënderuar BE-së për ndihmën e parë emergjente prej 5 milionë eurosh për përballjen me pandeminë dhe ato të premtuarat prej 160 milionë eurosh, Reka, kërkoi që Presidenca kroate e BE-së të përkrahë dhe të shtyjë përpara çështjen tashmë të tejzgjatur – atë të liberalizimit të vizave.

Nga ana e saj, ambasadorja kroate përsëriti përkrahjen e Kroacisë për rrugën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e saj për heqjen e vizave për kosovarët.

Ajo informoi ministrin në detyrë të Integrimit Evropian për datën e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb, se edhe pse ishte paracaktuar të mbahej në javën e parë të majit, data e Samitit shtyhet për qershorin e vitit 2020 për shkak të shpërthimit të COVID-19.

Lidhur me këtë Barishiq theksoi se në bashkëpunim me presidentin evropian Charles Michel po përpiqen të gjejnë datën e re në qershor, për të organizuar Samitin BE - Ballkan Perëndimor në Zagreb.