Xërxa: Izolimi do të lërë pasoja te qytetarët

Xërxa: Izolimi do të lërë pasoja te qytetarët

Aktuale April 08, 2020 - 15:40
Image

Përhapja e virusit COVID-19 në botë ka shfaqur panik e frikë te qytetarët, shkruan “Zëri.info”. Si masë për t’u mbrojtur nga ky virus është rekomanduar edhe qëndrimi në shtëpi tashmë më shumë se dy javë. Sociologu Genc Xërxa në një  intervisë për “Zërin” ka thënë se izolimi do të lërë pasoja te qytetarët. Sipas tij, situata e krijuar në vend do të formësojë edhe sjelljet tona në shoqëri në të ardhmen.

Xërxa është shprehur se institucionet do të duhej të merreshin me çështje pandemie edhe në të ardhmen, kur shoqëritë janë të qeta dhe të sigurta.

Zëri: Virusi COVID-19 tashmë është përhapur në shumë shtete të botës, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Sa ka krijuar kjo pandemi panik te qytetarët, kur kemi parë radhë të shumta në markete për të blerë miell e produkte tjera ushqimore?

Xërxa: Duke ditur që kemi të bëjmë me një virus, i cili për tërë botën shëndetësore është i panjohur, kjo ka krijuar panik dhe shqetësime te qytetarët, duke mos ditur si të ballafaqohemi me këtë fenomen, të cilit ende nuk i dihet kura. Duke menduar se do të krijohet kaos dhe parregullsi civile, shumë qytetarë si reaksion i kësaj "frike të arsyeshme" kanë vërshuar dyqanet dhe pikat e shitjes për t’u furnizuar me gjëra të domosdoshme, me qëllim për t’u mbyllur pastaj. Paniku ka qenë evident dhe më se normal në rrethana të tilla, kur njerëzimi nuk ka ide se me çfarë po ballafaqohet. Por masat emergjente dhe ato të shëndetësisë në nivel të qeverisë kanë bërë që situata në masë të madhe të vihet nën kontroll dhe të mos shkojmë drejt kaosit social.

Zëri: Për të mos u përhapur virusi COVID-19 qytetarët janë rekomanduar të qëndrojnë më shumë në shtëpitë e tyre. Pra shumë qytetarë qe më shumë se dy javë kohën më të madhe e kalojnë në shtëpi. A do të ndikojë kjo në sjelljet e tyre në të ardhmen, po ashtu a do ta kenë ata të vështirë të risocializohen?

Xërxa: Izolimi ose vetkarantina normal që do të lërë pasoja dhe shumë mendimtarë kanë vënë në theks interaksionin social ose komunikimin e njerëzve në të ardhmen. Kjo do të krijojë edhe për një kohë frikë dhe panik, pasi virusi nuk do të zhduket tërësisht dhe njerëzit nuk do të jenë imunë edhe për një kohë të caktuar e kjo do të krijojë pasiguri dhe shqetësime në rrethe të mbipopulluara. Streset e krijuara këto javë do të na përcjellin edhe për një kohë të caktuar, derisa ilaçi nuk gjendet dhe kjo situatë e sotme do të formësojë sjelljet tona në të ardhmen në shoqëri

Zëri: Për cilat mosha mund të jetë më i vështirë izolimi? A mund të ndryshohen sjelljet e fëmijëve?

Xërxa: Fëmijët kanë afinitet më të shpejtë për t’u adoptuar dhe për t’u përshtatur me rrethanat e krijuara, ndërsa moshat madhore dhe ato të pjekura do ta kenë më vështirë, pasi ato veçse krijojnë perceptim dhe qëndrim ndaj gjërave që u vinë dhe me kalimin e kohës më vështirë i ndërrojnë qëndrimet e tyre.

Zëri: Çfarë duhet të bëjnë prindërit që kjo situatë të mos lërë pasoja te fëmijët?

Xërxa: Institucionet së bashku me ndihmën e qytetarëve duhet të marrin masat përgatitore që pas kohës së pandemisë dalëngadalë fëmijët t’u kthehen institucioneve paraprakisht të dezinfektuara dhe njëkohësisht theks të veçantë të vihet mbi edukimin mbi higjienën trupore, masat parandaluese nga epidemitë ose pandemitë tjera, që do të mundë të shfaqeshin sërish, si dhe përshtatjen e rrethanave postepidemike për të vazhduar tutje drejt normalizimit të situatës të fëmijëve në shkolla dhe në institucione parashkollore. Tash do të duhej secila shoqëri të kishte në nivel shtetëror institucione që do të merreshin me çështje pandemie edhe në të ardhmen, kur shoqëritë janë të qeta dhe të sigurta.

Zëri: Sa mund të ketë paragjykime në të ardhmen për personat e prekur me koronavirus në vend?

Xërxa: Kjo varet nga arsimimi dhe nga edukimi i personit që ka kontakt me të, por njëkohësisht mund të krijojë edhe shqetësim në rreth, varësisht mos po kthehet ose po bëhet burim i përhapjes së sërishme të virusit në mjedisin ku frekuenton. Pra, një pasiguri e madhe do t’i godasë shumë shoqëri në fusha dhe në segmente të jetës sociale, duke filluar nga kontaktet e thjeshta njerëzore e deri tek ekonomia, prodhimtaria e shumë segmente tjera, që mund të ndikojnë edhe në liri të lëvizjes së mallrave dhe të njerëzve nga një vend në tjetrin, duke u ballafaquar me procedura shtesë sigurie në parandalim potencial të ndonjë epidemie të ngjashme sikurse kjo me COVID-19.

Zëri: Çfarë masash duhet të marrin institucionet që personat me koronavirus të mos paragjykohen e të mos përjashtohen nga shoqëria në të ardhmen?

Xërxa: Stigmatizimi ose paragjykimi i personave që kanë pasur koronavirus asnjëherë nuk duhet të bëhet pjesë e tipizimit në shoqëri, pasi është një situatë, të cilën askush nuk e bën me dëshirë, aq më keq ta rrezikojë shëndetin ose jetën e vet, ashtu që këto raste mund t’i ndodhin çdokujt pavetëdijshëm, duke ditur se ky virus është mjaft i fshehtë dhe i paparashikueshëm. Kjo vetëm sa di t’i bëjë më të vetëdijshëm dhe t’i sensibilizojë masat e shoqërisë për të qenë më vigjilentë dhe më të kujdesshëm derisa sillen në ambiente të jashtme. Por asnjëherë të mos merren cak i sulmeve të çfarëdo natyre të atyre njerëzve që po përballen me këtë virus./Zëri/