Kompanitë e pastrimit kërkojnë të përfshihen në Pakon Emergjente, thonë se kanë rënie në inkasim

Kompanitë e pastrimit kërkojnë të përfshihen në Pakon Emergjente, thonë se kanë rënie në inkasim

Aktuale April 03, 2020 - 13:34

Kompanitë rajonale të largimit dhe të grumbullimit të mbeturinave kanë mbajtur konferencë për medie, ku kanë kërkuar që të përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës.

Drejtues të kompanive të pastrimit kanë thënë se ndihen të fyer për mospërfshirjen. Sipas tyre, edhe punëtorët e pastrimit kanë dalë çdo ditë në punë dhe janë ballafaquar me rrezikun. Ata thonë se kompanitë e pastrimit kanë rënie në inkasim nga 90 për qind në 40 për qind dhe do të detyrohen të ulin pagat, por nuk do t’i reduktojnë pagat.

Nexhat Abdullahu, kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Ambienti” në Pejë tha se punëtorët janë ndier të fyer për mospërfshirjen në Pakon Emergjente. “Qëllimi i këtij takimi është qe të shprehim shqetësimin tonë në lidhje me mospërfshirjen në Pakon Emergjente. Në një mënyrë shumë ofenduese jemi anashkaluar nga Qeveria. Mjekët nuk e kanë ndalur qarkullimin, atëherë jemi edhe na ata që nuk jemi ndalur dhe kemi qenë në krye të detyrës dhe tërë kohës janë rrezikuar punëtorët, po ashtu edhe mediet kanë qenë në krye të detyrës. E ndiejmë vetën shumë të fyer, apeloj te strukturat që ta rikthejnë edhe vëmendjen te ne”, tha ai.

Senad Rama, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Higjiena” nga Gjilani, tha se nuk do t’i largojnë punëtorët nga puna, por do të ketë reduktim të pagave. “Sot ne kemi dalë para jush që edhe për kontributin që jemi duke e dhënë dhe që po ballafaqohemi të përfshihemi edhe ne aty. Po ashtu edhe rreziqet që u kanosen punëtorëve tanë. Ajo që na brengos neve është çështja financiare, kemi pasur një shkallë të inkasim 90%, ndërsa tash kemi rënë në një shkallë të inkasimit me 40%, po ashtu edhe nuk do të jemi në gjendje që të paguajmë pagat e plota të punëtorëve. Kemi informuar OEK-un dhe OEAK-un dhe secilin që është duke e trajtuar. Nuk do të largojmë asnjë punëtor, por do të reduktojmë pagën. Ne kërkojmë solidaritetin e qytetarëve, që edhe t’i paguajnë faturat, sepse ne me ato mbajmë punëtorët dhe ata mbajnë familjet e tyre”.

Dukagjin Etemi, kryeshef i “Pastërtisë” Ferizaj, tha se shqetësimi me i madh i punëtorëve është ana shëndetësore e tyre, sepse ata janë duke punuar në vende ku tash ka të infektuar me koronavirus. “Shqetësimi që unë desha ta paraqes është shëndeti i punëtorëve edhe pse deri më tani nuk kemi asnjë rast të infektuar me koronavirus të punëtorëve. Ne jemi duke shërbyer në zonat në të cilat ka persona të prekur me koronavirus. Brenga dhe shqetësimi ynë është ana shëndetësore e punëtorëve dhe në pamundësi që t’i sigurojmë kushtet maksimale për punëtorët, ne më asnjë moment të vetëm nuk e kemi ndërprerë punën dhe rreziku është shumë i madh”, tha ai.