Fetoshi: Taksa duhet të hiqet, reciprociteti sjell ndikim politik dhe jo ekonomik

Fetoshi: Taksa duhet të hiqet, reciprociteti sjell ndikim politik dhe jo ekonomik

Aktuale February 21, 2020 - 10:32

Heqja e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe po shihet të jetë çështje ditësh, përderisa zëvendësimi i saj me reciprocitet ende mbetet çështje me pikëpyetje. Ndërkohë që kryeministri aktual Albin Kurti po zotohet se do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet, ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett ka ripërsëritur kërkesën e SHBA-së që Qeveria e Kosovës ta heqë tarifën pa vënë kushte, shkruan sot gazeta "Zëri".

Profesori i universitar Arben Fetoshi në një përgjigje për “Zërin” ka deklaruar se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe do të hiqet për shkak të kërkesës së ndërkombëtarëve, por edhe për t’i dhënë mundësi rifillimit të dialogut. Mirëpo Fetoshi thekson se karshi dialogut me Serbinë spektri politik kosovar duhet të jetë unik në kërkesat e tij në këto negociata, në mënyrë që marrëveshja përfundimtare të mos përmbajë kompromis të dëmshëm për Kosovën. “Tarifa mendoj se do të hiqet dhe duhet të hiqet, e para, për shkak të kërkesës së qartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian dhe e dyta, për t’i dhënë shans një epilogu të siguruar ndërkombëtarisht në konfliktin me Serbinë. Vendimi duhet të merret pa humbur kohë dhe të shoqërohet me ndërtimin e një konsensusi politik përballë Serbisë, në mënyrë që të mos rrezikojmë zgjidhje të dëmshme për shkak të konceptit të kompromisit, që qarkullon prej kohësh në diskursin politik”.

Ndërkaq sa i përket reciprocitetit Fetoshi potencon se kjo masë mund të ketë ndikim politik, por jo edhe ekonomik te Serbia. Sipas tij, kundërshtimi i kësaj mase nga emisari për dialogun Richard Grenell po bëhet në mënyrë që të fillojë sa më parë dialogu Kosovë - Serbi.

“Reciprociteti si parim është formulë adekuate e marrëdhënieve simetrike që mund të kenë ndikim politik, por jo edhe ekonomik. Kundërshtimi i ambasadorit Grenell duhet të shihet në funksion të rifillimit të dialogut, ndonëse edhe pa vendim formal, në emër të reciprocitetit Kosova duhet t’u kundërpërgjigjet tendencave serbe. Dialogu ose një format i ri i adresimit të problemit duket se do të mundë të fillojë nëse kemi parasysh angazhimin aktiv të Shteteve të Bashkuara dhe konstituimin e institucioneve të reja të Bashkimit Evropian”, ka thënë profesori universitar.

Fetoshi ka shtuar se kurdo që të rifillojë dialogu me Serbinë qasja konstruktive e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe të BE-në është jetike dhe e domosdoshme./ZËRI