Seanca të hënën, marrëveshja LDK – LVV sa afër, aq edhe larg
Foto: Laura Hasani

Seanca të hënën, marrëveshja LDK – LVV sa afër, aq edhe larg

Aktuale February 01, 2020 - 06:30
Kryesia e Kuvendit, me kërkesë të mandatarit për kryeministër - Albin Kurtit, ka vendosur që të hënën, në orën 11:00, të mbahet seanca parlamentare, në të cilën do të votohet qeveria e re e Kosovës. Ndonëse ende s’kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, LDK-ja dhe LVV-ja shprehen optimiste së brenda dy ditëve do ta gjejnë një ujdi, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Image

Vetëm edhe dy ditë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike që ta gjejnë një ujdi për ta formuar koalicionin bashkëqeverisës për 4 vjetët e ardhshëm, pasi me kërkesë të mandatarit për kryeministër të ri - Albin Kurtit, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca për votimin e qeverisë së re të mbahet të hënën, më 3 shkurt.

Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet ende e bindur se pozita e kryeparlamentarit duhet t’u takojë atyre deri në marrjen e pozitës së presidentit pas një viti, Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër vazhdon ta kundërshtojë këtë ofertë të LDK-së, shkruan gazeta “Zeri”.

Ndërkohë dy partitë pavarë- sisht dallimeve të tyre shprehen ende optimiste se dallimet e tyre mund të shkrihen brenda 48 orëve. Kurse deri më tani dy partitë opozitare, Partia De- mokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë deklaruar se assesi nuk do ta votojnë qeverinë “Kurti” e as nuk do të jenë pjesë e saj.

Në anën tjetër Albin Kurti tashmë ka marrë mbështetjen e partive mi- noritare, duke përfshirë edhe Listën Serbe, e cila është deklaruar se nuk do ta frenojë formimin e qeverisë së re.

Konjufca optimist: Marrëveshja me LDK-në do të bëhet

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u caktua data për mbajtjen e seancës për votimin e qeverisë së re, bëri të ditur se kjo seancë do të mbahet të hënën, në orën 11:00. “Ne sapo e përfunduam një mbledhje të shpejtë. Siç e dini, mandatari për kryeministër u është drejtuar Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me një kërkesë për paraqitjen e qeverisë së ardhshme. Ai e ka kërkuar datën 3 shkurt, në orën 11:00. Mbledhja e Kryesisë vendosi njëjtë, që të respektohet kjo datë dhe kjo orë që mbledhja e ardhshme, seanca plenare të mbahet më 3 shkurt, në orën 11:00”, thotë ai.

Tutje kryeparlamentari Konjufca u shpreh optimist se koalicioni me LDK-në do të ndodhë, sepse duhet të zbatohet zëri i qytetarëve. “Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje, por unë jam shumë optimist se marrëveshja do të bëhet dhe se askush nuk mund ta ndalë krijimin e qeverisë ‘Kurti’. E tëra që duhet të bëjmë ne është ta zbatojmë zërin e qytetarëve, i cili ishte zëri për ndryshim, për Albin Kurtin kryeministër”, deklaroi Konjufca.
Ndërsa kur u pyet nëse ai do të dorëhiqet nga pozita e tij theksoi qartazi se nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve.

Thaçi përkrah thirrjen e seancës nga Kurti, kërkon krijimin e qeverisë

Pas caktimit të seancës për votimin e qeverisë së re ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se i mbetet spektrit politik ta shohë mundësinë për krijimin e një qeverie të qëndrueshme sa më shpejt që të mundet. Thaçi i pyetur se a do ta përkrahte formimin e qeverisë teknike në vend ka deklaruar se do ta respektojë kornizën e përgjegjësive kushtetuese. “Unë si president i vendit do të respektoj kornizën e përgjegjësive kushtetuese, i mbetet spektrit politik t’i bëjë hapat e mëtutjeshëm. Edhe iniciativa për mbajtjen e seancës është në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, mendoj se është një hap i menduar prej mandatarit dhe obligim që e ka marrë natyrisht kur është mandatuar nga ana ime”, është shprehur Thaçi.

Thaçi ndër të tjera theksoi se Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme, efektive për respektim të vullnetit qytetar dhe për orientim euroatlantik të vendit.

LDK: Deri të hënën do të zbardhet partneriteti me LVV-në

Ndërkohë caktimi i seancës për votimin e qeverisë ka shtyrë kreun e LDK-së Isa Mustafën ta mbledhë Kryesinë e Partisë së tij. Me këtë rast nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, edhe një herë ka shprehur bindjet e tij se koalicioni me LVV-në do të ndodhë. Ndonëse thotë se ka pak kohë deri të hënën, ai shprehet se duhet të shikohen të gjitha mundësitë që të bëhet marrëveshja. “Do të shteren të gjitha mundësitë politike, të gjithë mekanizmat, të gjitha format që deri të hënën të definohet qartë dhe të zbardhet qartë partneriteti LDK – LVV. Kemi në dispozicion edhe pak kohë, nuk është shumë, por duhet të bëhet”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se duhet të evidentohet mundësia e formimit të një qeverie të pakicës. “Është çështje e vlerësimeve politike që deri të hënën ka mundësi të evitohet qeveria e pakicës”, ka shtuar tutje ai.

Alija: Mes LDK-së dhe LVV-së s’ka dallime të pakalueshme, marrëveshja mund të ndodhë

Njohësi i çështjeve politike Rasim Alija në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara mes LDK-së dhe LVV-së, një koalicion mes tyre nuk është i paarritshëm. “Në këto rrethana duket i vështirë një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, por jo i pamundshëm. Të dyja subjektet kanë edhe dy ditë kohë dhe në rrethanat ku këto dy subjekte kanë një platformë të përbashkët programore, ku janë dakorduar se si do të duket qeverisja e ardhshme, është kohë e mjaftueshme që ta tejkalojnë edhe çështjen, për të cilën nuk po arrihet koalicioni. Fundjava ishte dashur të jetë koha e përmbylljes së marrëveshjes LVV - LDK dhe kjo do të duhej bërë shpejt, pa ndërhyrjen e palëve të treta dhe pa deklarime nga subjektet politike para arritjes së marrëveshjes. Ky do të ishte skenari ideal për krijimin e parakushteve për arritjen e një marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Rrjedhimisht sipas Alijës nëse koalicioni mes dy partive dështon të ndodhë, atëherë epilogu i ngjarjeve mund të zhvillohet sipas tri skenarëve. “Në skenarin e parë mund të jetë z. Kurti, i cili nuk arrin t’i marrë votat për krijimin e qeverisë. Kjo do t’i hapte rrugën presidentit që t’i ftonte subjektet tjera në konsultime për propozimin e mandatarit të ri. Këto subjekte mund të ishin LDK-ja dhe PDK-ja. E në skenarin e dytë z. Kurti mund t’i marrë votat për krijimin e qeverisë edhe pa marrëveshje me LDK-në. LDK-ja do të mundë ta votonte qeverinë, plus votat e pakicave. Por ky skenar do të ishte qeveri e pakicës, sepse pa LDK-në në qeverisje LVV-ja do të ekspozohej para mocionit të mosbesimit dhe kjo do të mundë të ndodhte pas miratimit të buxhetit në muajin prill. Kurse në skenarin e tretë, Kurti nuk do të mundë t’i merrte votat për formimin e qeverisë dhe presidenti Thaçi do ta caktonte mandatarin nga LDK-ja, LDK-ja në një koalicion me AAK-në, me Nismën, me minoritetet dhe me një marrëveshje me PDK-në do ta votojnë këtë qeveri, por si shpërblim do ta votojnë në mars të 2021-s presidentin aktual edhe për një mandat 5-vjeçar”, është shprehur Alija.
 

BOX: PDK-ja dhe AAK-ja s’e votojnë Kurtin, mbesin në opozitë

Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, nuk do ta votojnë qeverinë “Kurti” dhe do të kalojnë përfundimisht në opozitë. Kështu të paktën kanë deklaruar të premten zyrtarë të të dyja partive.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij do të mbetet në opozitë, teksa fajin për mosformimin e institucioneve ai e ka hedhur te Vetëvendosja. “PDK-ja është në opozitë, do të mbetet në opozitë. Dy orë pasi ka dalë rezultati zgjedhor kemi thënë se do të mbesim në opozitë dhe do të sillemi si opozitë ndaj çdo procesi politik. Përgjegjësia kryesore për mosformimin e institucioneve i takon Vetëvendosjes dhe Kurtit, meqë ai ka marrë mandatin dhe në të kaluarën kur PDK-ja i ka fituar zgjedhjet ne kemi marrë mandatin dhe kemi krijuar qeverinë. Absolut jo opozita nuk voton një qeveri, e cila formohet prej partive të tjera politike”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse deputeti i AAK-së, Ali Berisha, duke shprehur qëndrimin e Aleancës lidhur me seancën e thirrur për të hënën, theksoi se është shumë zhgënjyese që seanca për krijimin e qeverisë ftohet pa marrëveshje politike. Ndër të tjera ai u shpreh se AAK-ja asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë. “Aleanca nuk ka asnjë arsye të votojë një qeveri të tillë me shumë të panjohura, megjithatë qëndrimin e saj definitiv për këtë çështje do ta paraqesë në seancën e së hënës”, deklaroi deputeti Berisha.