Ndotja e ajrit në Kosovë e rrezikshme, thirrje qytetarëve të mos dalin jashtë
Foto: Laura Hasani

Ndotja e ajrit në Kosovë e rrezikshme, thirrje qytetarëve të mos dalin jashtë

Aktuale January 21, 2020 - 07:49
Nuk po merren masat adekuate për përmirësimin e ajrit
Image

Ajri i ndotur në Kosovë po vazhdon të jetë i lartë, derisa po rrezikon edhe shëndetin e qytetarëve. Edhe pse indeksi i ndotjes së ajrit është i lartë, nuk po merren masat adekuate për përmirësimin e tij, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjithë qytetarët e vendit rrezikohen të preken nga sëmundje të ndryshme, për shkak të ndotjes së lartë të ajrit. Edhe gjatë ditës së djeshme ajri në vend ka qenë i pashëndetshëm, duke arritur vlerën e indeksit të cilësisë mbi 140. Nivel më të lartë të ajrit të ndotur në vend kemi pasur gjatë ditëve tjera të këtij muaji, sidomos më 17 janar.

Në këtë ditë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë kishte bërë të ditur se indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) të ndotur ka shkuar deri në 401 në Prishtinë. Në këtë ditë në lagjen “Dodona” në Prishtinë indeksi i cilësisë së ajrit ka qenë 369, në “Dardani” 292, në “Ulpianë” 311, në “Veternik” 401, në “Kodër të Diellit” 235, si dhe në lagjen “Arbëria” 181.

Sipas matësit të Ambasadës së SHBA-së, i cili bën monitorimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) prej 0 deri në 50 konsiderohet si i kënaqshëm dhe ndotja e ajrit në këtë nivel paraqet rrezik të vogël. AQI-ja prej 51 deri në 100 është e pranueshme. AQI-ja e pashëndetshme për grupet e ndjeshme është prej 101 e deri në 150. AQI-ja e pashëndetshme është prej 151 deri në 200. Nga ky indeks çdokush mund të fillojë të përjetojë efekte negative shëndetësore dhe anëtarët e grupeve të ndjeshme mund të përjetojnë efekte më të rënda shëndetësore. AQI-ja shumë e pashëndetshme është prej 201 e deri në 300.

Sipas matësve, kjo do të shkaktonte alarm shëndetësor që do të thoshte se çdokush mund të përjetojë efekte të rënda shëndetësore. AQI-ja e rrezikshme është mbi 300. Kjo do të shkaktonte alarm shëndetësor të nivelit të gjendjes së jashtëzakonshme. Gjasat janë më të mëdha se e tërë popullata do të preket. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend ka kërkuar nga qytetarët që të mos dalin jashtë pa pasur nevojë të domosdoshme e sidomos personat me sëmundje të mushkërive e të zemrës.

Qytetarët të rrezikuar, kërkohet mosekspozimi i tyre në ajrin e ndotur

Për shkak të nivelit të lartë të ajrit të ndotur në vend pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Skender Baca, ka thënë për “Zërin” se qytetarët duhet të marrin masa mbrojtëse. Sipas tij, përdorimi i maskave, konsumimi i qumështit e mosekspozimi ndaj ajrit të ndotur janë masat, të cilat mbrojnë qytetarët nga ajri i ndotur.

Ai ka thënë tutje se ndotja e ajrit përkeqëson sëmundjet kronike, andaj edhe pacientët kërkojnë trajtime mjekësore. “Ndotja e ajrit i përkeqëson sëmundjet kronike. Bronkiti kronik e astma përkeqësohen, andaj edhe pacientët vijnë në klinikën tonë. Po ashtu edhe sëmundjet alergjike, prej ndjeshmërisë së traktit respirator, përkeqësohen. Brenda muajit nuk kemi më shumë se 10 pacientë, të cilët ndërlidhen me përkeqësimin e sëmundjes kronike”, ka thënë ai.

Sipas tij, moshat e shtyra rrezikohen më së shumti nga kjo cilësi e ajrit. “Rrezikohen më shumë personat nga mosha 60 e deri në 70 vjeçe. Fëmijët, gratë shtatzëna e moshat më vagjine duhet të mbrohen me anë të maskave e të mos dalin gjatë kohës kur ka mjegull të përzier me tym”. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se efektet afatshkurta të ajërndotjes ndikojnë në rritjen e numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkite kronike, rritjen e numrit të të prekurve me kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjen e shkallës së mortalitetit, shkruan gazeta Zëri

Asnjë masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Ekologë në vend kanë ngritur disa herë çështjen e ajrit të ndotur dhe pasojat e tij. Pavarësisht thirrjeve të shumta kryetari i Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se nuk është punuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, Ai ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës vazhdimisht po e rëndon gjendjen mjedisore e po ashtu edhe veturat e shumta. “Fatkeqësisht të tëra ato premtime nga fushata parazgjedhore, por edhe zotimet e Parlamentit e të Qeverisë në ikje për përmirësimin e cilësisë së ajrit mbeten për t’u dëshiruar. Nga tymtarët e Korporatës Energjetike vazhdimisht lirohet pluhuri, i cili e rëndon situatën mjedisore në përgjithësi e ndotjen e ajrit në veçanti. Vazhdon ndotja edhe nga veturat e shumta në rrugët e Kosovës, duke mos bërë kontrollin e djegies së lëndës së parë dhe pajisjet e tyre me katalizator përkatës”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka thënë se nuk është punuar as në përmirësimin e cilësisë së derivateve, derisa ka shtuar se duhet të bëhet edhe përmirësimi i filtrave të termocentraleve e rregullimi i transportit urban. “Vazhdohet me ngrohje të objekteve ose të amvisërisë me dru dhe me thëngjill. Edhe me herët kam theksuar se duhet zhdukur ose duhen eliminuar ndotësit kryesorë të ajrit, siç janë: përmirësimi i filtrave në TE, gjetja e mënyrës së zvogëlimit të veturave që qarkullojnë, veçanërisht në kryeqytet, kontrollimi i cilësisë së derivateve të importuara, rregullimi adekuat i transportit urban, sigurimi i linjave të veçanta për qarkullimin e transportit etj”, ka potencuar ai./Zëri