Faza finale e intervistimit, Specialja forcon kapacitetet

Faza finale e intervistimit, Specialja forcon kapacitetet

Aktuale January 16, 2020 - 08:15
Image

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës me seli në Hagë, që kanë mandat dhe juridiksion për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, kanë dhënë sinjalet e para se shpejt mund të fillojnë me ngritjen e aktakuzave, për shkak se ky institucion ka hapur një konkurs, përmes së cilës kërkojnë 33 punonjës administrativë, zyrtarë ligjorë dhe përkthyes, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjykata Speciale, e cila përbëhet nga Dhomat e Specializuara dhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë dhe që ka mandat e juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovë, ka dhënë shenjat e para se po fillon përgatitjen për ngritjen e aktakuzave të para. Kjo pasi Dhomat e Specializuara së fundmi kanë hapur një konkurs për 33 pozita të lira, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë ligjorë, përkthyes të gjuhës shqipe dhe serbe, si dhe punonjës të tjerë administrativë. Hapjen e këtij konkursi për “Zërin” e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett. “Dhomat e Specializuara me të vërtetë kanë shpallur vende të lira pune, duke përfshirë edhe disa pozicione për Prokurorinë e Specializuar”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ndërsa të pyetur se sa mund të jetë hapja e këtij konkursi indikacion se aktakuzat e para janë gati të ngrihen, nga Prokuroria e Specializuar nuk kanë dhënë detaje. Në anën tjetër, mandati pesëvjeçar i Gjykatës Speciale pritet të skadojë këtë vit, përveç nëse njoftimi mbi përmbushjen e mandatit të saj ndodh më herët, në përputhje me Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe të BE-së lidhur me misionin EULEX.

Sinjalet e Speciales për përgatitjen e aktakuzave

Ehat Miftaraj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD), në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se Zyra e Prokurorit Special është në përfundim të fazës së hetimeve. Rrjedhimisht sipas tij, shumë shpejt mund të priten edhe aktakuzat e para. “Është fakt notor se Zyra e Prokurorit të Specializuar është në fazën finale të intervistimit të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve. Sigurisht se tërë kjo procedurë mund të përmbyllet deri në mesin e këtij viti”, ka potencuar Miftaraj.
Pas mbylljes së hetimeve, sipas Miftarajt, Prokurorisë Speciale i nevojiten disa muaj kohë deri në ngritjen e plotë të aktakuzave të para. “Pas përmbylljes së këtij procesi Prokurorisë mund t’i duhen disa muaj në hartimin e aktakuzave, të cilat dërgohen në Gjykatë. Me vetë faktin se Gjykata ka filluar me rekrutimin e personelit shtesë është indikacion se kjo Gjykatë po përgatitet për pranimin e aktakuzave të para dhe për trajtimin e tyre”, ka thënë ai.
Në anën tjetër avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, për “Zërin” ka thënë se hapja e konkursit nga ana e Dhomave të Specializuara të Hagës është stimuluar nga aktivizimi aktual i Gjykatës. Kësisoj, sipas tij, me tërë intensitetin e punës gjatë muajve të fundit ky institucion ka nevojë për staf shtesë. “Sa i përket punës operative mund të jetë që nga zhvillimet, të cilat janë aktuale në kuadër të Dhomave të Specializuara, ata mund të kenë vërejtur se stafi i tyre është i pamjaftueshëm për ta përballuar fluksin e punëve me të cilat ndeshen dhe për rrjedhojë mund të kenë nevojë për staf shtesë qoftë teknikë, profesional etj”, ka thënë Qerkini.

Ndërkohë Qerkini ka nënvizuar se Prokuroria e Specializuar nuk ka afat kohor të paraparë me ligj se deri kur ka kohë t’i ngrejë aktakuzat. Mirëpo, sipas tij, parashihet që brenda një afati të arsyeshëm ky institucion të përmbyllë punën e vet. “Rregullat dhe procedurat e parashikojnë që Prokuroria e Specializuar duhet t’i përfundojë hetimet brenda një afati të arsyeshëm, mirëpo nuk janë dhënë afate të përpikta se brenda cilave afate Prokuroria duhet t’i përmbyllë hetimet. Kështu që duke marrë parasysh këtë rrethanë besoj se ata duhet të jenë më efikas dhe rrjedhimisht nëse nuk gjejnë prova t’i mbyllin hetimet, në mënyrë që personat e dyshuar të kenë siguri juridike dhe të dinë nëse do të vazhdohet procedura ndaj tyre ose do të pushohen hetimet”, është shprehur Qerkini.
 

Dyshime në efikasitetin dhe në paanshmërinë e Speciales

Në anën tjetër njohësi i çështjeve juridike Anton Nrecaj për “Zërin” ka theksuar se meqë deri më tani janë dërguar rreth 200 ftesa nga Zyra e Prokurorit Special, edhe aktakuzat e para mund të priten shumë shpejt. “Duke u bazuar në atë çka kemi parë deri më tani se më shumë se dyqind persona janë intervistuar qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në atë të të dyshuarit dhe në ngjarjen e fundit ku një dëshmitar është gjetur i vdekur (i vrarë) shohim indikacionet se procesit të hetimeve po u vjen fundi dhe se shpejti do t’i kemi edhe aktakuzat e para të ngritura ndaj personave të dyshuar për ‘Krime lufte’”, ka thënë Nrecaj.
Por Nrecaj ka ngritur dyshime lidhur me efikasitetin dhe drejtësinë e Gjykatës Speciale. Sipas tij, duke u bazuar në përvojën e gjykatave të tjera ndërkombëtare, procesi i gjykimit ka stërzgjatur me vite të tëra. “Mirëpo nuk besoj se ky proces do të jetë i shpejtë dhe i drejtë, për shkak se duke u bazuar edhe nga përvoja e Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi proceset kanë marrë vite të tëra ose thënë shkurt dy dekada”, është shprehur ai.
Kurse sa i përket konkursit të hapur nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Nrecaj thotë se një veprim i tillë shënon aktin e plotësimit të funksionalizimit të Prokurorisë dhe të Gjykatës në tërësi. “Konkursi i hapur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës për 33 pozita për punonjës zyrtarë ligjorë dhe përkthyes shënon aktin e plotësimit të funksionalizimit të Prokurorisë dhe të Gjykatës. Natyrisht se këto vende do të duhej moti të plotësohen, ngase çdo dokument, provë ose edhe intervistë tani në të ardhmen edhe proceset gjyqësore duhet të zhvillohen në gjuhën, të cilën palët në proces e flasin, pra në gjuhën shqipe, serbokroate dhe në atë angleze”, ka thënë ai. /ZERI