Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Presidenti sot mund ta mandatojë Kurtin, por po frikësohet se hyn në lojën e LVV-së
Foto: Laura Hasani

Presidenti sot mund ta mandatojë Kurtin, por po frikësohet se hyn në lojën e LVV-së

Aktuale January 15, 2020 - 12:53
Ja kush e thotë

Marrëveshja LVV - LDK do të dështojë nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri. Sipas tij, Albin Kurti s’mund ta shkarkojë Glauk Konjufcën, ngase një veprim i tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen, shkruan gazeta "Zëri".

Ndër të tjera Tahiri në intervistë për "Zërin", ka thënë se presidenti Thaçi qysh sot mund ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër pasi Kurti në një videoincizim e ka nominuar veten dhe i ka shpallur emrat për ministra nga radhët e subjektit që drejton.

Por nëse Thaçi e bën një gjë të tillë, sipas Tahirit, LVV-ja mund ta refuzojë dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo çështje mund të zgjasë me muaj.

Zëri: A ka tejkalim kompetencash në korrespodencën me letra ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe pretenduesit për kryeministër Albin Kurti?

Tahiri: Nuk ka pasoja juridike. Thjesht, krijojnë opinion dhe është korrespodencë zyrtare ndërmjet të dyja palëve. S’mundet presidenti ta detyrojë ta dërgojë emrin, sepse e detyron Kushtetuta dhe jo presidenti. Kur del fitues duhet ta dërgosh emrin për t’u mandatuar dhe Kushtetuta ka paraparë që 15 ditë është kohë e mjaftueshme për ta bërë qeverinë. Shkresat nga presidenti janë një lloj arsyetimi për institucionin e tij se ai është duke bërë përpjekje për ta zhbllokuar gjendjen dhe është duke i treguar partisë fituese se e ka obligim ta dërgojë emrin. Afatet e tij nuk janë ligjore, janë moralizuese. Neni 95 i Kushtetues thotë se presidenti në konsultim me partinë fituese e nominon mandatarin. Konsultimin e ka bërë, por aty i është thënë të presë për emër, jo pse nuk dihet se kush do të jetë, por Albin Kurti do të blejë kohë, pasi s’po mund të bëjë bisedime me LDK-në. Ndërsa konsideron që në momentin kur mandatohet LDK-ja e zë ngushtë LVV-në kur këta janë nën presion të kohës dhe 15 ditë po i duken pak.

Presidenti qysh tani mund ta nominojë Albin Kurtin, sepse e ka një videoincizim, e ka një konsultim me të dhe një deklarim publik. Kurti mund të mos e pranojë këtë, mirëpo ajo shkon dhe nuk ka rëndësi nëse e pranon, sepse nga data e dekretimit numërohet dhe LVV-ja mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe të presë vendimin e saj. Por çka po frikësohet Hashim Thaçi si president? Ai po frikësohet se nëse e nominon, ai po hyn në lojë dhe nuk po e ruan pavarësinë institucionale dhe në këtë rast LVV-në e çon në gjykatë dhe gjykata vazhdon dy muaj ose tre dhe mbetet faji te presidenti që ai e ka iniciuar problemin.

Në ndërkohë bëhet marrëveshja dhe Albin Kurti shkon në Kuvend duke u thirrur në atë dokument që nuk e ka pranuar më herët dhe e bën akt të kryer çështjen e procedurës. Kjo është një lojë taktike e Albin Kurtit dhe e LVV-së. Mirëpo të gjitha këto janë spekulime, nga ajo që ne po e shohim është që hë për hë nuk po e pranon detyrën dhe nuk po e shohim që presidenti po e emëron.