Festë në veri të Mitrovicës, serbët e quajnë Gjuriqin gënjeshtar e mashtrues
Foto: Laura Hasani

Festë në veri të Mitrovicës, serbët e quajnë Gjuriqin gënjeshtar e mashtrues

Aktuale janar 13, 2020 - 08:07
detajet
Image

Serbët kremtojnë 13 janarin, Vitin e Ri serb, derisa Marko Gjuriqi ka siguruar serbët e Kosovës se Beogradi do të jetë përgjithmonë në Kosovë, përkrah tyre. Gjuriqi, i cili dikur politikanin serb Oliver Ivanoviqin, i vrarë më 16 janar 2018, e quante tradhtar, tani e quan hero. Serbët e veriut: Djegia e veturave akt mafioz, me të cilin subjektet dërgojnë mesazhin e qartë: “nëse nuk bie në rrugë, të pret plumbi”, këtë proces e ka kaluar edhe Oliver Ivanoviqi në regji të sistemit mafioz të Republikës së Serbisë, shkruan sot e përditshmja Zëri.

Lexo edhe:  Asnjë pikë kthese në marrëveshjen LVV - LDK

Veriu i Mitrovicës sot (e hënë) ka festë, kremtohet Viti i Ri serb, njëra prej datave më mitike në kalendarin dhe në mendjen e serbëve kudo që janë, në Kosovë e në Serbi. Sheshi “Car Llazari”, në cep të urës së Ibrit nga ana veriore, në të cilin është vendosur shtatorja e Knjaz Llazarit, me dorën e ngritur nga jugu, është stolisur me flamuj dhe me simbole të shtetit të Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, derisa muzika e zhurmshme, që vjen nga lokalet e shumta, nuk ndalet. 

Me ta kaluar urën secili që rastis të gjendet në atë anë fiton përshtypjen se ndodhet diku thellë në Serbi ose në mjedis Shumadie, aty ku janë të koncentruar fanatikët më të mëdhenj të serbizimit, të cilët Kosovën e konsiderojnë tokë serbe, djep dhe zemër të Serbisë. Një vit të kaluar të suksesshëm e ka cilësuar Marko Gjuriqi, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën. Ai u është drejtuar serbëve të Kosovës nga Beogradi, nëpërmes “TV Pink”-ut, një televizion shumë i afërt me regjimin e Vuçiqit. Deklaratën e tij e kanë përcjellë pothuajse të gjitha mediet në veri të Mitrovicës, “Kossev”-i, “TV Most”-i, “Radio Kontakt Plus”-i. Ai nuk ka hezituar që edhe politikanin e vrarë serb në veri Oliver Ivanoviqin, të cilin përherë e quante tradhtar të interesave të popullit serb, tani ta quajë hero. Nuk është paralajmëruar vizitë e ndonjë zyrtari serb, ndonëse kanë qarkulluar informacione se në veri të Mitrovicës do të vijë Marko Gjuriqi, i cili edhe këtë vikend ka vazhduar me retorikën e tij se shqiptarët e Kosovës “nuk po ua ndajnë zullumin serbëve”.

Marko Gjuriqi në prag të Vitit të Ri serb, i cili kremtohet më 13 janar, ka deklaruar për mediet në Beograd se serbët e Kosovës ndodhen para një sfide tjetër, djegia e veturave të “përfaqësuesve të popullit serb”, e cila, siç ka thënë Gjuriqi, është bërë përditshmëri në Kosovë. Kjo madje, sipas Gjuriqit, nuk është asgjë e re, pasi djegia e veturave përshkruhet si një formë e terrorizmit dhe si presion mbi Listën Serbe. Ai ka shtuar se nuk dëshiron të jetë gjykatës në këtë rast dhe se nuk e di motivin e sulmit mbi Sllavko Simiqin, kryeshef i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, por ka shtuar se bashkë edhe me të kanë vlerësuar “se kjo nuk do t’i pengojë të jenë me popullin për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe me realizimin e programit mbështetës.

Ata që dikur e quanin tradhtar Oliver Ivanoviqin tani e cilësojnë hero

“Nuk është djegur vetura e Sllavko Simiqit për shkak se shkon sipas dëshirës së shqiptarëve dhe disa të huajve, atyre që do të dëshironin të fusin skena përçarëse në mesin e popullit serb të Kosovës, por është djegur për shkak se dikë e ka nervozuar fakti se serbët janë të bashkuar”, ka thënë Gjuriqi. Ai e ka ndërlidhur djegien e veturës së Simiqit me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, pasi që, sipas tij, Ivanoviqi është vrarë sepse ka përfaqësuar interesat e serbëve, ndërsa tani edhe Simiqi është duke i përfaqësuar interesat e serbëve. Ndonëse në vitin 2017 Gjuriqi kishte dërguar mesazhe diametralisht të kundërta për liderin e IQ SDP-së Oliver Ivanoviqin, duke e cilësuar si “shkatërrues të unitetit serb dhe tradhtar të interesave të serbëve”, vetëm 3 ditë para se të bëhen 2 vjet nga vrasja e Ivanoviqit ai ka porositur nga studioja e “TV Pink”-ut në Beograd se “kjo ngjarje tragjike (vrasja e Ivanoviqit) ka treguar se sa e rrezikshme është të jesh përfaqësues serb dhe t’i përfaqësosh interesat e serbëve”. “Këto ditë mbushen dy vjet nga ngjarja tragjike, nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, që është një ngjarje e cila ka tronditur bashkësinë serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe popullin serb në tërësi. Këso ngjarjesh gjithmonë na tërheqin vërejtjen në atë se sa është e rrezikshme të jesh përfaqësues serb dhe përfaqësues i interesave të serbëve, në kushtet në të cilat nuk ka siguri, nuk ka përgjegjësi për krimet dhe të ngjashme”, ka shtuar Gjuriqi, i cili e ka përshkruar Simiqin si njërin prej serbëve të rëndësishëm që në zgjedhjet e vitit 2017 e kishte pasur kundërkandidat Dragisha Milloviqin nga Zveçani, të cilit i ishte djegur vetura.

Cili është mashtrimi i radhës i Marko Gjuriqit, sipas serbëve të veriut

Por krahasimin e Sllavko Simiqit me Oliver Ivanoviqin serbët e veriut të Mitrovicës e kanë quajtur mashtrim të radhës së Marko Gjuriqit dhe rren të tij, me të cilat ai përpiqet t’i mashtrojë serbët e Kosovës. Ivan Ivanji e ka quajtur Gjuriqin rrenacak dhe mashtrues. “Po lexoj, po ndalem dhe po mendoj, o Zot, a është ky normal, po ky është 100 për qind budalla ose po paraqitet budalla, siç thotë populli. Ai e di të vërtetën rreth Oliverit, di të rrejë derisa flet, por nuk ia vlen, thjesht këto kukulla të Vuçiqit i kanë mësuar leksionet nga udhëheqësi i tyre që rren, rren dhe vetëm rren. E krahason këtë të pashkollin (Simiqin) me Oliverin, o Zot, Simiqi si Oliveri, po kjo nuk ka lidhje, Oliveri ka qenë 1000 herë më i shkolluar e më i zoti se ky tullaci”, ka shkruar Ivanji, ndërkaq Dmitar Zinaiq ka shkruar se çdo aksion kërkon reagimin. “Djegia e veturave është akt mafioz, me të cilin subjektet dërgojnë mesazhin e qartë: ‘nëse nuk bie në rrugë të pret plumbi’. Këtë proces e ka kaluar edhe Oliver Ivanoviqi në regji të sistemit mafioz të Republikës së Serbisë”, ka shkruar ai. “Mos e përmend Oliverin, fytyrë e prishur, që t’i rrah krahët, mbaju ti për të ashtuquajturën Listën Serbe se jeni të njëjtë, turpi i popullit serb”, thotë Nada Stojanoviq, ndërkaq një serb me nofkën “Bob Rock” ka porositur Gjuriqin që të shikojë kush i dogji veturat e kompanisë “Hederson”, e cila transporton para nga Serbia në Kosovë. “A mos ky Gjura po dëshiron të thotë se shqiptarët ia kanë djegur veturën Simiqit. Gjuro, pse nuk po thua asgjë për tri sulmet në veturat e kompanisë ‘Hederson’, të cilat sigurojnë paratë nga Serbia. Dy herë veturat janë djegur vetëm 100 metra larg nga vija kufitare me Serbinë, ku ne nuk mund të kalojnë as këmbë, sepse këtë nuk e lejon xhandarmëria e Serbisë. Si mund ta bëjnë këtë persona me uniforma të zeza e të armatosur ose ndoshta po mendon se nga aty këmbë kanë shkuar në Kaçanik”, ka pyetur ai.

Gjuriq: Shqiptarët më nuk janë unikë dhe të bashkuar si dikur

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur edhe për situatën në Kosovë, derisa ka vlerësuar se shqiptarët nuk janë më unikë dhe të bashkuar sikurse dikur. “Për serbët nuk ka rëndësi kush e bën qeverinë, shqiptarët më nuk janë të bashkuar sikurse dikur, por kjo nuk më gëzon që ata janë përçarë, sepse kjo formë e konflikteve gjithmonë është derdhur mbi serbët e Kosovës. Ata janë të njëjtë, të gjithë janë separatistë, kanë ndryshuar edhe si shoqëri, ka rënë edhe nataliteti i tyre. Në vitin 2001 në Kosovë janë lindur 60.000 foshnje, 32.000 foshnje janë lindur në vitin 2014 dhe në vitin 2018 janë lindur 22.000 foshnje. Ai ka përkujtuar se në mandatin e kaluar janë ndërtuar 1613 banesa për serbët në gjithë Kosovën, se është rikonstruktuar kisha e Prizrenit, si dhe disa manastire në gjithë Kosovën, të cilat ishin djegur. Në Videje të Klinës, ku jetojnë rreth 100 familje serbe, është ndërtuar shkolla e re. Nga 103 shkolla në gjithë Kosovën kemi arritur t’i përgatisim 75 shkolla. Janë rinovuar 16 shkolla, 7 çerdhe fëmijësh dhe një fakultet. Nga 26 objekte shëndetësore 22 janë rinovuar, është ndërtuar shtëpi e re e shëndetit në Gorazhdevc, si dhe Klinika Pediatrike, ndërsa është planifikuar ndërtimi edhe i 4.692 banesave të reja për serbët deri në vitin 2025”, ka precizuar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në prag të Vitit të Ri serb, që kremtohet më 13 janar në të gjitha mjediset me serbë.

Në anën tjetër, në prag të kremtimit të Vitit të Ri serb në veri të Mitrovicës, tek ura kryesore e lumit Ibër, është zbuluar i ashtuquajturi “Monumenti i së vërtetës”, që u kushtohet, siç thuhet në monumentin e ngritur, “viktimave të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s”. Në këtë monument janë shkuar emrat e të gjitha “viktimave”, ndërsa në zbulimin e monumentit kanë marrë pjesë qytetarët serbë të veriut, përfaqësues të Shoqatës Serbe të Luftëtarëve, Shoqata e Pensionistëve, Shoqata e Familjeve me të Zhdukur. “Ata, emrat e të cilëve janë skalitur në këtë monument, janë heronj dhe trima, të cilët kanë dhënë jetën e tyre në mbrojtje të integritetit të Serbisë në këto hapësira”, ka thënë Millorad Trifunoviq, koordinator i Shoqatës për të Pagjeturit, duke shtuar se edhe më tutje kërkohen edhe 576 serbë të zhdukur./Zërii