Asnjë pikë kthese në marrëveshjen LVV - LDK
Foto: Laura Hasani

Asnjë pikë kthese në marrëveshjen LVV - LDK

Aktuale January 13, 2020 - 08:01
detajet
Image

Takime të stërzgjatura, por pa rezultate konkrete u zhvilluan javën që lamë pas midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto që po synojnë bashkëqeverisjen për 4 vjetët e ardhshëm. Ndonëse këto bisedime kanë nisur qe tre muaj, LVV-ja dhe LDK-ja vazhdojnë të kenë dallime të theksueshme lidhur me postin e presidentit dhe tash edhe të kryeparlamentarit, shkruan sot Zëri.

Lexo edhe:  UP-ja me mungesë të kuadrove, rrezikohen të mbyllen disa fakultete

Ndonëse qe tre muaj Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po tentojnë të projektojnë një marrëveshje bashkëqëverisëse, një gjë e tillë ka dështuar të ndodhë deri më sot. Edhe pse javën e kaluar dy partitë kishin identifikuar takimet e tyre disaorëshe dallime të theksuara mes tyre po vazhdojnë të shpërfaqen. Teksa deri më tani ngecje në këto bisedime janë shënuar pas këmbënguljes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit pasi që t’i skadojë mandati në vitin 2021, një ofertë e re e LDK-së i ka thelluar edhe më tej ndasitë e tyre. LDK-ja në takimin e fundit me LVV-në e ka përfshirë në negociata sërish edhe postin e kryeparlamentarit, pozitë kjo e cila për Lëvizjen Vetëvendosje është punë e kryer. Kësisoj, pas zhvillimeve të fundit mes dy partive njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se dallimet mes LDK-së dhe LVV-së mund të tejkalohen vetëm nëse ekziston vullnet i dyanshëm. Në të kundërtën, sipas tyre, duhet të hapen rrugë për mundësi të reja, me qëllim që të tejkalohet kaosi politik në vend.

Kurti: Jemi në pritje të LDK-së, koalicioni është afër

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën para degëve së partisë së tij ka thënë se në takimin e fundit me LDK-në, të enjten, ia ka dhënë një propozim të ri kësaj partie për bashkëqeverisje. Me këtë rast Kurti është shprehur optimist se koalicioni është afër të ndodhë, pasi, siç ka thënë ai, ka pasur përafrime të qëndrimeve të të dyja partive në takimet e fundit. Duke mos treguar se çfarë është përmbajtja e këtij propozimi, Kurti ka thënë se gjithçka e bërë deri më tash në kuadër të lëvizjeve politike nuk mund të kthehet prapa, duke përfshirë këtu edhe seancën konstituive të Kuvendit, ku Glauk Konjufca u zgjodh kryeparlamentar. “Në takimin e mbajtur të mërkurën të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra kishte lëvizje. Të enjten ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do ta trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e Kryesisë së LVV-së.

Kurti është shprehur i gatshëm t’i intensifikojë edhe më tej bisedimet me LVV-në, por arritja e koalicionit, sipas tij, nuk varet vetëm nga vullneti i LVV-së. “Është e vërtetë se jemi afruar dhe po u afruam edhe pak do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garanci nuk mund të jap, sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, është shprehur Kurti.


Loja e LDK-së me pozitën e presidentit

Derisa LDK-ja vazhdon ta kërkojë me ngulm pozitën e presidentit të vendit, në medie kanë filluar të qarkullojnë emra të individëve, që mund të vijnë në këtë pozitë në vitin 2021. Deri më tash është përmendur emri i deputetit Kujtim Shala si propozim i mundshëm i LDK-së për president. Megjithatë, një gjë të tillë e kanë mohuar nga partia të cilën e drejton Isa Mustafa. LDK-ja i ka cilësuar raportimet e tilla si spekulime, me ç’rast ka theksuar se nuk do të japin emër deri të vijë koha për zgjedhjen e të parit të shtetit. “Raportimet për cilindo emër kinse të propozuar nga LDK-ja për president janë spekulime të pavërteta. LDK-ja nuk jep emër për president derisa nuk vjen koha e zgjedhjes së presidentit”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, pikërisht posti i presidentit ka qenë shkaktari kryesor pse deri tani nuk është arritur koalicioni LDK – LVV. Kjo pasi që LVV-ja kishte kërkuar nga LDK-ja të bënte publik emrin e pretenduesit për këtë pozitë, ndërsa nga LDK-ja kishin theksuar disa herë se emrin e bëjnë publik kur të vijë koha.

Heshtja e qëllimshme e LDK-së dhe e LVV-së

Pas takimit të fundit, të cilin krerët e dy partive, të LDK-së dhe të LVV-së, e mbajtën të enjten, përfaqësues të të dyja partive nuk kanë treguar specifikisht se deri ku kanë arritur të dakordohen për koalicionin bashkqeverisës. Zyrtarë të LDK-së dhe të LVV-së po qëndrojnë të heshtur mbi dallimet dhe bllokadën e tyre. I kontaktuar për këtë çështje, nënkryetari i LDK-së Agim Veliu i ka thënë “Zërit” se nuk ka çfarë të thotë mbi koalicionin e mundshëm LDK - LVV. “Nuk kam asgjë për t’ju thënë sot. Janë thënë të gjitha që është dashur të thuhen”, ka thënë Veliu.
E njëjta gjë është përsëritur edhe nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk kanë dhënë detaje lidhur me zhvillimin e diskutimeve. Deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka thënë për “Zërin” se nuk është në dijeni mbi zhvillimet e fundit.
Ndërkohë, zyrat për informim të të dyja partive nuk kanë dhënë detaje nëse të hënën pritet takim i ri mes kreut të LDK-së Isa Mustafës dhe atij të LVV-së Albin Kurtit.

Skenarët që po e pengojnë marrëveshjen LDK - LVV

Duke folur për zhvillimet LDK – LVV, njohësi i çështjeve politike Armend Muja shpreh mendimin që të dyja partitë, të cilat synojnë koalicionin qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, tashmë janë në fazën kur i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet për dikasteret specifike dhe rritjen e mundshme të numrit të dikastereve nuk e sheh si esenciale për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion. “Sado që nuk e përjashtoj faktin se çfarëdo kreativiteti aty në ndarje të dikastereve të veçanta mund ta lehtësojë marrëveshjen, por këta e kanë kriterin kushtetues, që në momentin kur shtohen ministritë, atëherë ministria e trembëdhjetë duhet t’u takojë komuniteteve. Pastaj është një ministri e humbur në këtë kalkulim të tyre. Do të thotë nuk mund ta marrë asnjëra prej tyre. Atëherë duhet bërë 14 ose 15 ministri dhe kjo e vështirëson atë konceptin mbi të cilin këto parti kanë fituar në zgjedhje”.


Muja vlerëson se as posti i presidentit dhe as ministritë specifike nuk janë aspektet kryesore që e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, të dyja këto parti sillen rreth dy skenarëve të mundshëm, të cilët po e pengojnë marrëveshjen. “Skenari i parë është skenari gjerman, ku partia e parë merr kryeministrin dhe partia e dytë merr zëvendëskryeministrin, si dhe partia e dytë merr presidentin dhe partia e parë merr kryetarin e Kuvendit, ndërkaq ndarja e ministrive është e barabartë. Ndërkohë, partneri i parë lëshon pe në një ministri derisa të zgjidhet posti i presidentit nga LDK-ja. Ky është skenari gjerman. Skenari i dytë, që unë mendoj se e kërkon LDK-ja, është të rikthehemi edhe një herë në datën 25 dhjetor”, ka potencuar ai.

Kthimi në situatën e datës para 25 dhjetorit, sipas analistit Muja, nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje duhet të pajtohet me kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Kuvendit ose që kryetari i Kuvendit të japë dorëheqje. Megjithatë, Muja shprehet optimist se një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet këtyre dy partive politike do të arrihet.