Veseli përballet me Specialen, thotë se e mbrojti luftën e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Veseli përballet me Specialen, thotë se e mbrojti luftën e UÇK-së

Aktuale December 11, 2019 - 08:10
Detaje
Image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është intervistuar të martën për tri orë nga Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë. Mirëpo pas intervistimit Veseli nuk ka dhënë detaje lidhur me ndodhitë brenda zyrave të Speciales, shkruan sot gazeta Zeri.

Të martën për tri orë rresht është marrë në pyetje nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, i cili pas intervistimit nuk dha asnjë detaj lidhur me ndodhtë brenda zyrave të Prokurorisë Speciale e as për cilësinë në të cilën ishte ftuar.

Por kreu i PDK-së e konfirmoi përfundimin e intervisitmit dhe e ftoi gjithë popullin kosovar që të bashkohet për ta tejkaluar këtë sfidë. “Siç kam premtuar publikisht, sot jam paraqitur për intervistim dhe kam përfunduar intervistën. Vitet e ’90-ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për pastrim etnik, për gjenocid kundër popullit tonë.

Ne, lëvizja jonë, i jemi kundërvënë këtij gjenocidi, UÇK-ja ka qenë përballë gjenocidit serb, lufta e UÇK-së ka qenë në përballje me spastrimit etnik që ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë. 

. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të jemi bashkë, që ta kalojmë këtë sfidë”, ka thënë shkurt Veseli. Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës avokat mbrojtës e kishte Ben Emmersonin dhe së bashku me të në orën 10:00 të mëngjesit të ditës së djeshme ishte futur brenda zyrave të Speciales, shkruan Zeri.

Rrecaj: Aktakuzat e para, në tremujorin e parë të 2020-s

Kurse lidhur me intervistimin e Veselit dhe me gjithë ftesat e dërguara deri më tani avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, i ka thënë “Zërit” se tërë këto ftesa janë dëshmi se Specialja është e gatshme për ngritjen e aktakuzave të para. Kësisoj, sipas tij, duke u bazuar në aktivitetin e Gjykatës, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm mund të priten aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. “Fakti që tani po ftohen edhe krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së tregon se Prokuroria e Dhomave të Specializuara është afër përfundimit të hetimeve dhe besoj që në tremujorin e vitit të ardhshëm mund t’i kemi edhe aktakuzat e para”, ka thënë Rrecaj.


Rrjedhimisht, sipas tij, nuk mund të prejudikohen figurat e radhës që do të ftohen për intervisitm, pasi, siç ka thënë ai, një gjë e tillë është kompetencë ekskluzive e Dhomave të Specializuara.

Musliu: Ushtarët e UÇK-së s’e kanë vendin në Hagë

Sfidë për Kosovën e ka quajtur Gjykatën Speciale deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se shpreson që ky proces të përfundojë sa më parë. Kurse sa i përket intervistimit të kreut të partisë së saj, Kadri Veseli tha se ai vetë do të japë informacione atëherë kur ka nevojë. “Unë besoj që çdo detaj lidhur me kryetarin e Kuvendit, i cili aktualisht gjendet në Hagë, ose me kryetarin e partisë sonë Kadri Veselin, do të japin ata që janë me kryetarin, por edhe vetë kryetari Veseli do të jetë para medieve sa herë që do të ketë nevojë për informacion.

Unë uroj dhe shpresoj që përfundimisht të përfundojë kjo sfidë për popullin tonë, sepse besoj fuqishëm që duhet dikush tjetër të shkojë në Hagë dhe jo ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Musliu.
Në anën tjetër, sipas Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Prokuroria Speciale deri më tani në Kosovë ka dërguar mbi 200 ftesa, kurse vetëm një pjesë është bërë publike.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Në dhjetor të vitit të kaluar komandant “Remi” pati njoftuar për ftesën e marrë nga Specialja, ndërkohë në janar të këtij viti ai pati udhëtuar për në Hagë për t’u intervistuar, shkruan tutje Zeri.

Pas Mustafës nga Specialja u ftua edhe ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj e shumë pjesëtarë të tjerë./ZERI.