Rreth 10 mijë kosovarë të prekur me grip, apelohet për vaksinim e për masa mbrojtëse
Foto: Laura Hasani

Rreth 10 mijë kosovarë të prekur me grip, apelohet për vaksinim e për masa mbrojtëse

Aktuale December 10, 2019 - 08:29
detaje
Image

Për dy muaj 9 mijë e 545 persona në Kosovë dyshohet se janë prekur nga gripi sezonal. Numri i të prekurve me grip pritet të rritet edhe gjatë ditëve në vijim, derisa për mbrojtjen e qytetarëve tashmë institucionet publike shëndetësore janë furnizuar me rreth 100 mijë vaksina, shkruan sot gazeta Zeri.

Nga 1 tetori deri më 4 dhjetor të këtij viti në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vend janë raportuar mbi 9 mijë e 500 raste të dyshuara me grip, derisa ka pasur edhe shumë raste të tjera të raportuara me infeksione respiratore. Nga ky Institut është njoftuar se rastet e dyshuara me grip janë prej të gjitha komunave të Kosovës, ndonëse numri më i madh i tyre raportohet të jetë nga komuna e Prishtinës, e Prizrenit dhe ajo e Podujevës.

Për shkak të mbrojtjes nga gripi sezonal gjatë ditës së djeshme është bërë edhe furnizimi i institucioneve publike shëndetësore me vaksina, me ç’rast edhe është apeluar që të vaksinohen të gjithë fëmijët, të gjithë personat të moshës mbi 65-vjeçare e personat me sëmundje kronike.

Nga klinikat e QKUK-së e po ashtu edhe nga qendrat e mjekësisë familjare është thënë se ka filluar të rritet numri i pacientëve, të cilët kanë simptoma të ngjashme me gripin.

Kollitja, rritja e temperaturës, rrjedhja e hundëve e ligështimi thuhet të jenë disa nga simptomat e gripit sezonal, me të cilin mund të preken të gjitha moshat. Vetëm gjatë vitit të kaluar nga muaji tetor deri në muajin mars raportohej se ishin të prekur me grip mbi 40 mijë persona.

Fillon shpërndarja e vaksinave

Mjekë në qendrat e mjekësisë familjare në vend kanë treguar për gazetën se gjatë ditës së djeshme janë furnizuar me vaksina të gripit sezonal. Ndonëse disa mjekë kanë thënë se vaksinat kanë ardhur me vonesë, ata kanë kërkuar nga qytetarët e sidomos nga të moshuarit të shkojnë e t’i marrin ato.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë kanë bërë të ditur se rreth 100 mijë vaksina të gripit sezonal, të blera nga MSH-ja në funksion të parandalimit të gripit sezonal, kanë arritur në Kosovë.

Në njoftimin e këtyre dy institucioneve thuhet se vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren këtë vit do të jenë katërshtamëshe. Këto vaksina thuhet se e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. “Këto lloje të vaksinave përdoren për herë të parë në Kosovë, duke u bërë kështu një nga shtetet e para në rajon që siguron vaksina katërshtamëshe. Vaksinat janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSH-së, garantojnë cilësinë e sigurinë e tyre dhe janë të dedikuara për t’i mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike”, është bërë e ditur nga IKSHPK-ja.

Fillon rritja e numrit të pacientëve me temperaturë dhe me kollitje

Qytetarë të prekur me grip kanë kërkuar trajtim në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e po ashtu edhe në qendrat e mjekësisë familjare në vend. Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për “Zërin” se deri më tani kanë pasur dy raste, të cilat kanë qenë të prekura me grip. Ndërsa nga QMF-të është thënë se me uljen e temperaturave kanë filluar të paraqiten edhe raste të dyshuara me grip. Në anën tjetër edhe drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku, ka thënë për “Zërin” se kanë pasur fëmijë, të cilët janë paraqitur me simptoma të ngjashme si të gripit.

Ajo ka thënë se nga fundi i muajit nëntor e deri më tani kanë filluar të paraqiten raste me temperaturë e me kollitje. “Nuk ka pasur raste të konfirmuara me grip, por rastet të ngjashme me gripin. Deri tani gjendja ka qenë relativisht mirë, por dy javëve të fundit kanë filluar të vijnë fëmijë me temperaturë, rrjedhje hundësh e kollitje. Deri tani kemi qenë relativisht të qetë, me raste të prekura nga disa virozë. Tani kanë filluar këto raste, por nuk kemi ende raste me grip të konfirmuara”, ka thënë ajo.

Telaku ka kërkuar që prindërit të marrin masat e përgjithshme për mbrojtjen e fëmijëve të tyre nga gripi sezonal. Sipas saj, fëmijët duhet të pinë më shumë ujë e lëngje dhe të rrinë larg vendeve të mbyllura me shumë njerëz.

Si të mbrohemi nga gripi sezonal?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka listuar edhe një sërë masash, të cilat duhet t’i marrin qytetarët për t’u mbrojtur nga gripi sezonal. Disa nga masat janë vaksinimi i gjithë personave të moshuar dhe i personave me sëmundje kronike, evitimi i vendeve të mbyllura e të mbushura me njerëz e mbulimi i gojës dhe i hundës me faculetë.

“Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve, mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës ose të teshtitjes, shmangni prekjen e syve, të hundës ose të gojës me duar të papastruara, Nëse keni shenja të gripit mos shkoni në punë, në shkollë ose në vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi. Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni. Pastroni rregullisht duart me ujë dhe me sapun e dezinfektoni mjediset ku qëndroni e ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik”, është thënë nga IKSHPK-ja./ ZERI