Infektuar: 18910
Shëruar: 15367
Vdekur: 674
Kosova, e mposhtur nga korrupsioni

Kosova, e mposhtur nga korrupsioni

Aktuale December 09, 2019 - 08:06
detaje
Image

9 Dhjetori njihet ndryshe edhe si Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, e cila shënohet edhe në Kosovë. Në këtë ditë, sikur edhe viteve të kaluara, Kosova kritikohet për mosluftimin e korrupsionit, derisa bëhen thirrje që politika t’i heqë duart nga gjyqësori. Deri në muajin nëntor të këtij viti nuk është ngritur as edhe një aktakuzë për “Korrupsion”, shkruan sot gazeta Zeri

Edhe pse vazhdimisht ka pasur kritika nga ndërkombëtarët për luftimin e korrupsionit, Kosova edhe këtë vit ka humbur luftën kundër tij. Institucionet e drejtësisë vlerësohet se ende nuk kanë marrë masat konkrete në luftimin e korrupsionit, i cili po mbetet sfidë për to. Njohës të çështjeve të drejtësisë në vend kanë kërkuar që politika t’i heqë duart nga gjyqësori e po ashtu që të rriten dënimet për ata që bëjnë vepra penale.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë për “Zërin” se luftimi i korrupsionit kërkon vullnet politik e institucione të pavarura të drejtësisë. Sipas tij, deri në muajin nëntor të këtij viti nuk është ngritur as edhe një aktakuzë për korrupsion. “Instituti i Kosovës për Drejtësi në muajin nëntor publikoi raportin ‘Dështimet speciale në luftimin e korrupsionit në Kosovë’. Ky raport konstaton se, sikurse vitet e mëhershme, edhe viti 2019 është vit i humbur në luftën kundër korrupsionit.  

 Viti 2019 karakterizohet me faktin se PSRK-ja deri në muajin nëntor nuk kishte ngritur as edhe një aktakuzë për ‘Korrupsion’. Luftimi i korrupsionit kërkon vullnet politik, institucione të pavarura të drejtësisë, të cilat mision nuk kanë amnistinë e zyrtarëve të lartë publikë, zhytjen në afera korruptive, por zbatimin e ligjit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë”.

Miftaraj ka potencuar se Kosova do të mundë të luftojë korrupsionin atëherë kur sistemi i drejtësisë nuk do të ndikohet nga politika. “IKD-ja në vitet e fundit përmes raporteve të saj ka dëshmuar se Kosova do të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit vetëm atëherë kut sistemi i drejtësisë pastrohet nga politika, grupet e interesit brenda sistemit. E kjo nuk ka mundësi të arrihet pa vullnet politik dhe pa një proces të vetingut”, ka theksuar ai.

Ndikimi i politikës në gjyqësor, në shkallë të lartë

Se nuk ka pasur ndonjë zhvillim të madh në luftën kundër korrupsionit ka pohuar edhe Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, i cili ka thënë se ka vazhduar avazi i vjetër nga ana e Prokurorisë dhe e gjykatave. Sipas tij, janë shqyrtuar pak lëndë që kanë pasur të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, derisa edhe dënimet kanë qenë të ulëta. “Pak lëndë janë shqyrtuar që lidhen me luftën kundër korrupsionit e njëkohësisht ato lëndë që janë shqyrtuar edhe janë gjykuar. Dënimet kanë qenë shumë të vogla.

Shkalla e dënueshmërisë është akoma shumë e ulët për rastet e korrupsionit e kjo pastaj po ndikon jo në parandalim të veprave tjera, por në rritje të korrupsionit. Shpeshherë dënimet janë edhe alternative, me kusht ose me gjobë, të cilat nuk po ndikojnë direkt në luftë kundër korrupsionit”. Demhasaj ka thënë se ndikimi i politikës në gjyqësor ka qenë në shkallë shumë të lartë.

Ai ka përmendur edhe pasurinë e politikanëve në vend, me ç’rast ka thënë se shteti nuk ka ndërmarrë veprime konkrete ndaj tyre. “Edhe faktori ndërkombëtar, por edhe shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht e kanë ngritur shqetësimin se në Kosovë kategoria më e pasur është kategoria e politikanëve. Tani kur e sheh që pagat e tyre janë ato që i dimë të gjithë, kurse pasuria e tyre është milionëshe, automatikisht krijohet përshtypja se mund të kemi edhe pasuri të paligjshme dhe vepra të ndryshme penale.

Shteti nuk po ndërmerr veprime konkrete kundrejt këtyre njerëzve. Duhet që në të ardhmen të ketë tendenca të qarta të largimit të duarve të politikës nga ana e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që ata të kryejnë detyrën e vet konform ligjeve që janë të aplikueshme në Kosovë”, ka thënë ai më tutje.

Qeveria e re paralajmëron luftim të korrupsionit

Derisa qeveritë e kaluara nuk kanë arritur ta luftojnë korrupsionin në vend, kjo çështje thuhet se do të jetë prioritet i qeverisë së re. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se njëra nga pjesët më të rëndësishme në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë çështja e sundimit të ligjit.

Sipas tij, fokus kryesor është lufta e pakompromis e krimit dhe e korrupsionit. “Njëra nga pjesët më të rëndësishme të programit të LDK-së, por edhe në negociatat, në të cilat kemi qenë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka qenë çështja e sundimit të ligjit. Kur flasim për sundimin e ligjit, flasim për luftën kundër krimit të organizuar e të korrupsionit. Unë them që Qeveria e Kosovës ndër fokuset kryesore do ta ketë shtetin e së drejtës, që nënkupton luftë pa kompromis të krimit dhe të korrupsionit”, ka deklaruar ai për gazetën.

Si të rëndësishëm Selmanaj e ka parë edhe vetingun në institucionet e drejtësisë, ku sipas tij do të kishte edhe më shumë përgjegjësi në luftën kundër korrupsionit. “Tashmë është e njohur edhe për opinionin që mbetet të angazhohemi që të ketë veting në institucionet e drejtësisë dhe në Policinë e Kosovës. Besoj se do të zgjerohemi edhe më tutje për të shkuar edhe te doganat dhe tek Administrata Tatimore. Nëse do ishte një proces i mirëfilltë vetingu, ku do të rivlerësoheshin edhe një herë njerëzi që janë të angazhuar në këto institucione, do të krijohej një klimë tjetër e përgjegjësisë dhe një luftë efikase ndaj të gjithë atyre që kanë abuzuar me paratë publike”, ka shtuar ai. /ZERI