OIK dënon sulmin ndaj infermierëve

OIK dënon sulmin ndaj infermierëve

Aktuale December 05, 2019 - 14:23
Detajet

Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) ka dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur ndaj dy infermierëve të Shërbimit Emergjent të Spitalit Regjional të Mitrovicës, raporton zeri.info.

Me këtë rast OIK ka shprehur keqardhje për personat që kanë pësuar lëndime. Në këtë drejtim, përmes një komunikate, OIK ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin veprimet ligjore lidhur me rastin në fjalë. 

“Duke e vlerësuar si akt qyqar dhe të papranueshëm sulmin ndaj kolegëve infermierë, OIK kërkon nga Prokuroria dhe Organet Gjyqësore që të ndërmarrin veprime ligjore ndaj gjithsecilit që merr guximin të çojë dorë për të sulmuar fizikisht infermierët dhe profesionistët tjerë shëndetësorë”, thuhet në njoftim. 

Po ashtu, OIK ka apeluar te pacientët dhe të gjitha palët e treta që të mirëkuptojnë rrethanat në të cilat shpeshherë gjendet stafi infermieror por edhe profesionistët tjerë shëndetësorë gjatë detyrave të tyre.

Nëpërmjet komunikatës OIK ka kërkuar nga institucionet që ta rrisin nivelin e sigurisë së punonjësve në vend të punës. 

“Po ashtu, kërkojmë nga institucionet që ta rrisin nivelin e sigurisë së punonjësve në vendin e punës, qoftë edhe duke siguruar prezencë policore pranë shërbimeve emergjente, ku këto raste të sulmeve janë në rritje”, theksohet tutje./Zeri