MASHT-i, fajtor për dështimin në PISA
Foto: Laura Hasani

MASHT-i, fajtor për dështimin në PISA

Aktuale December 05, 2019 - 07:41
Detajet
Image

Dështimi i Kosovës në testin ndërkombëtar PISA për të dytën herë radhazi e ka shpërfaqur mospunën e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë në përmirësimin e cilësisë së edukimit. Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit, të cilët theksojnë se për këto rezultate duhet të thirren në përgjegjësi fajtorët. Për përmirësimin e cilësisë, përveç reformës në arsim, po kërkohet edhe krijimi i një platforme kombëtare arsimore, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Shpeshtohen thirrjet ndërkombëtare për formimin e qeverisë së re

Gjatë së martës për të dytën herë Kosova u radhit thuajse e fundit në testin ndërkombëtar të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Nga 79 vende sa kanë qenë në garë Kosova u radhit në vendin e 77-të, duke lënë pas kështu vetëm dy shtete. Të njëjtin rezultat e kishte pasur edhe në testimin e kaluar, që u mbajt më 2015-n, ku kishin marrë pjesë 72 shtete dhe Kosova kishte dalë e 70-ta. Ndonëse nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë kanë theksuar se ky rezultat ka qenë i befasishëm, për shkak se kanë punuar për përgatitjen e nxënësve dhe përmirësimin e rezultatit, njëjtë nuk mendojnë njohësit e arsimit në vend. Ata theksojnë se ky rezultat, si ai i para tre vjetëve, ka qenë i pritshëm për shkak se nuk është punuar në përmirësimin e rezultateve në testin e vitit 2018. Vlerësohet se për përmirësimin e arsimit duhet reformë e tërësishme, si dhe krijimi i një platforme kombëtare të përbashkët nga tërë zinxhiri arsimor. Testi PISA mat aftësitë e nxënësve në lexim, në shkencë dhe në matematikë, në të cilin testohen nxënësit rreth 15-vjeçarë.

ASHAK: Arsimi, dështimi më i madh i vendit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka reaguar për rezultatin që Kosova ka marrë në testin ndërkombëtar PISA. Sipas tyre, ky test tregon gjendjen e Kosovës në nivelin arsimor dhe duhet të merret seriozisht nga organet kompetente. “Testi i PISA-s nuk është dhe nuk mund të merret si komponentë artificiale e arsimit, siç pretendojnë institucionet tona. Ai është një indikator që tregon një gjendje dhe nuk është asnjëherë qëllim i vetvetes, që flet qartë se ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi, ngase kjo krizë nuk e amniston askënd”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

Akademia shkruan se arsimi është një nga dështimet më të mëdha të vendit dhe se kriza e tij është më e madhja e shoqërisë. “Nxënia e dijeve nuk është dështimi i vetëm në arsim, ai është një segment i dukshëm, i afishuar në një mënyrë të tillë, që na bën me dije se Kosova është e përfshirë prej shumë vitesh në një krizë të mësimit dhe të dijes, e cila si shtet dhe si komb na lë pa të ardhme”, thuhet më tutje në reagim.

Drejtori i institutit për studime në edukim “EdGuard”, Rinor Qehaja, më tej për rezultatet jopozitive e ka fajësuar Ministrinë e Arsimit. “Ajo rritje që është pritur dhe është proklamuar nga MASHT-i nuk ka ndodhur. Një rezultat i tillë nuk është befasues dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe i mospërgatitjes nga ‘PISA 2015’ më nuk qëndron. Pra dështimi është në cilësi të arsimit parauniversitar në vend dhe për këtë përgjegjës është MASHT-i”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Në këtë drejtim Qehaja ka thënë se MASHT-i nuk u ka ofruar nxënësve as tekste cilësore për mësim. “Është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira kur MASHT-i nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë”, ka shtuar ai.

Jashari: Nevojitet platformë kombëtare për përmirësimin e arsimit

Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka thënë për “Zërin” se në këtë gjendje nuk duhet të kërkohet fajtori, por duhet mobilizim që nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve deri te arsimtarët për krijimin e një platforme të përbashkët për arsim. “Mendoj se nuk duhet të humbet kohë duke bërë me gisht nga njëri-tjetri, por duhet të ulemi të gjithë që jemi të ndërlidhur me arsimin. Fillimisht Akademia e Shkencave të Kosovës, pastaj MASHT-i bashkë me profesorët dhe me mësimdhënësit të ulemi bashkërisht ta analizojmë mirë gjendjen dhe ta krijojmë një platformë kombëtare të arsimit”, ka deklaruar Jashari.

Duke përmendur shkaqet që kanë çuar në rezultatin e dobët të nxënësve, ndër të tjera, Jashari ka nënvizuar edhe eksperimentet që janë bërë në arsim për 20 vjetët e fundit. “Kjo situatë ka ardhur në radhë të parë nga eksperimentet e vazhdueshme, që janë bërë në arsimin e Kosovës. Pastaj problemet me tekstet e dobëta, mungesa e mjeteve bashkëkohore nëpër shkolla. Problem tjetër është edhe se institucionet tona janë deklaruar publikisht që do ta kenë prioritet arsimin, por nuk kanë dhënë mjete të mjaftueshme që të krijojnë kushte në hapësirat e punës nëpër shkolla ose në investime tjera në arsim”, ka përfunduar Jashari.

Reshiti: Reforma e tërësishme e shpëton arsimin

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë për "Zërin" se vetëm një reformë thelbësore mund ta shpëtojë arsimin nga kriza ku është futur. Duke folur për rezultatet e nxënësve të Kosovës në testin PISA, Reshiti thotë se ata janë viktima të sistemit arsimor, i cili nuk ofron edukim të rangut botëror. "Problem në këto rezultate është i tërë sistemi arsimor që është ndërtuar për tërë këto vite. Për të pasur një rezultat tjetër nuk duhet të bëhen ndryshime kozmetike, siç kanë qenë përgatitjet rreth organizimit për PISA, por ne duhet ta ndryshojmë dhe ta reformojmë tërë sistemin arsimor". Ai ka deklaruar se Këshilli i Prindërve konsideron se arsimi në Kosovë është i dështuar dhe se nxënësit janë viktima të një sistemi, i cili nuk ofron edukim të rangut botëror. "Për tërë këto vite po del që po ofrojmë arsim vetëm për nevojat e Kosovës. Ne nuk duhet të bëjmë sistem arsimor dhe të edukimit vetëm për nxënësit tanë, por shkathtësitë që jepen të jenë të pranueshme edhe në shtete tjera", ka shtuar ai. //ZERI