Daka: E kemi obligim ta zbatojmë aktgjykimin e Supremes
Foto: Laura Hasani

Daka: E kemi obligim ta zbatojmë aktgjykimin e Supremes

Aktuale October 31, 2019 - 12:02
Detajet

Sot në mbledhjen që po e zhvillon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetarja e këtij organi, Valdete Daka është shprehur se vendimi i Gjykatës Supreme e obligon KQZ-në që të nis numërimin e votave të Diasporës të cilat kanë ardhur me vonesë në Kosovë, për të cilat Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte vendosur të mos numërohen, raporton Zëri.info.

“Kemi një aktgjykim te Gjykatës Supreme dhe në bazë të tij ne jemi të obliguar që t’i numërojmë votat e diasporës. Mendoj qe nuk ka nevoje të komentohet ky aktgjykim, e kemi obligimin dhe nuk besoj që kemi çfarë të shtojmë më tepër. Na pëlqeu ose jo ne kemi detyrim ligjor ta zbatojmë ashtu siç është dhe sigurisht do ta zbatojmë”, ka thënë Daka.

Ndonëse me këtë vendim të Supremes u pajtuan anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtari LDK-së në KQZ, Sami Hamiti u shpreh se vendimi i Supremes ka qenë precedent i keq.

“Është e vërtetë që aktgjykimi na obligon por konsideroj që është precedent shumë i keq dhe besoj që do të kemi probleme edhe në zgjedhjet e tjera nëse nuk ulemi dhe e shqyrtojmë mirë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka shtruar pyetje se pas vendimit të gjykatës për 4600 fletëvotimet e diasporës çka do të bëhet me 1700 fletëvotimet tjera që kanë ardhur me vonesë, respektivisht më 17 tetor.

“Në bazë të vendimit kemi të bëjmë me 4600 pako, vendimi dhe ankimi i Supremes nuk ka të bëjë me 1700 pako tjera që kanë ardhë më 17 tetor. Ka ndryshuar edhe ligji me vendimin e Supremes sepse ne jemi para aktit që nuk e dimë si ta zbatojmë ligjin që e kemi në fuqi. Çka do të bëjmë me 1700 pakot e ardhura më 17 tetor”, ka pyetur Gashi./Zëri