Pasojat e përjashtimit nga ENQA, sfidat e studentëve me diploma

Pasojat e përjashtimit nga ENQA, sfidat e studentëve me diploma

Aktuale October 11, 2019 - 08:05
Detajet
Image

Për shkak të ndërhyrjes politike në arsim e veçanërisht në Agjencinë Kosovare të Akreditimit (AKA), nuk mjaftoi vetëm përjashtimi i kësaj Agjencie nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Kjo Agjenci u përjashtua edhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), vendim i cili, sipas njohësve të arsimit, pritet të ketë pasoja për studentët kosovarë që diplomojnë në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Edhe një goditje i erdhi sistemit të arsimit të Kosovës ditëve të fundit, kur ENQA e përjashtoi AKA-n nga Asociacioni i tyre. Shkak për këtë gjë u bë ndërhyrja politike që është bërë në këtë institucion e për të cilën më së shumti u akuzua ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-ministri i Arsimit Shyqri Bytyqi.

LEXO EDHE: KQZ-ja hap kutitë e votave, nis rinumërimin

Bashkë me lajmin e kumtuar nga ENQA, Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) përmes një shkrese iu renditën arsyet pse ky Asociacion e mori këtë vendim.

Këto arsye përfshijnë mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e Agjencisë. Si arsye tjetër përmendet edhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA-s.

Ky vendim mbetet në fuqi për dy vjetët e ardhshëm, aq sa ka kohë Kosova që t’i pranojë rekomandimet e dhëna nga ENQA. Këto rekomandime përfshijnë ndarjen e sistemit arsimor nga politika.

Po ashtu si rekomandim për AKA-n nga ENQA është edhe shtimi i resurseve të burimeve njerëzore.

Ndërkohë, zyrtarë të ENQA-s në një përgjigje dhënë “Zërit” nuk kanë pranuar të komentojnë këtë vendim të tyre, duke thënë se arsyet dhe detajet rreth vendimit janë të publikuara në raportin për AKA-n, që është lëshuar nga ky Asociacion.

Rreziku nga mosnjohja e diplomave

Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), për “Zërin” ka thënë se përjashtimi i AKA-së nga ENQA rrezikon njohjen e diplomave të studentëve kosovarë.

Sipas tij, tani studentët mund të ballafaqohen me kushte të reja, si kërkimi i dokumenteve shtesë e deri te mosnjohja fare e diplomës.

“Procedurat përcaktohen nga secili shtet, universitet dhe punëdhënës. Në përgjithësi, nëse diploma është fituar nga një universitet, që është akredituar prej një agjencie anëtare të ENQA-s dhe EQAR-it, siç ka qenë rasti deri tani, në shumë raste verifikimi përfundon me kaq, sepse supozohet se janë marrë hapat e duhur për sigurimin e cilësisë. Në kushte të reja mund të kërkohen dokumente dhe informata shtesë, madje edhe të mos njihet fare diploma. Pra, procedura do të jetë më e ndërlikuar dhe me një shkallë më të lartë rreziku që të përfundojë me vendim të pavolitshëm për aplikuesin”, ka thënë Pupovci për “Zërin”.

Më tutje ai deklaroi se nga ky përjashtim nuk duhet të jenë të rrezikuara diplomat e studentëve, të cilët kanë diplomuar në kohën kur AKA ishte pjesë e ENQA-s.

“Nuk do të duhej të kishte asnjë problem për studentët që kanë diplomuar në kohën kur AKA ka qenë anëtare e ENQA-s dhe e EQAR-it”, ka thënë më tutje ai.

Politikat e arsimit, shkatërrimtare

Profesori universitar Milazim Krasniqi vlerëson se politikat e arsimit në Kosovë janë shkatërrimtare. Sipas tij, Kosova dështimin më të rëndë e ka në fushën e arsimit.

“Dështimet Kosova i ka në shumë fusha, por dështimin më të rëndë e ka në fushën e arsimit. Për gjithë këto vite ministrat e Arsimit kanë qenë ose njerëz përfitues, ose të padijshëm dhe politikat në arsim kanë qenë përnjëmend të këqija dhe si rezultat i kësaj në vend që të ngjitemi kemi shkuar duke rënë. Kjo është dëshmuar edhe me testin PISA, sikundër që u dëshmua edhe me përjashtimin nga Agjencia, ndërhyrjet politike janë brutale”, ka thënë Krasniqi.

Këtë gjendje ai e ka lidhur edhe me emërimin e rektorëve e të drejtorëve në shkolla e që sipas tij bëhen me ndërhyrje politike.

“Unë po ju garantoj që 10-15 vjetët e fundit as nuk është emëruar dekan, as rektor, as prorektor pa ndërhyrjen e grupeve joformale politike të Qeverisë ose ish-qeverisë, të pushtetarëve të deritanishëm. E kanë shkatërruar meritokracinë, gjithmonë kanë gjetur njerëz të paaftë, servilë e pa integritet moral e akademik dhe kjo ka çuar në degradimin e universiteteve. Në anën tjetër, mënyra sesi zgjidhen drejtorët e shkollave dhe ata komunalë është skandaloze. Ata i fusin familjarët dhe njerëzit e partisë. Me një fjalë, janë politika shkatërrimtare”, ka thënë ndër të tjera ai.

Profesori pati edhe një rekomandim për Qeverinë e ardhshme, e që sipas tij nëse zgjidhet një person adekuat në krye të Ministrisë së Arsimit do të ndryshonte e tërë shoqëria.

“Unë të vetmin rekomandim që do t’ia bëja Qeverisë së ardhshme është që ta gjejnë një njeri normal dhe një njeri të mençur e që e do këtë vend. Nëse ne e përmirësojmë arsimin, do ta përmirësojmë gjithë shoqërinë. Këtu shumica e universiteteve dhe e kolegjeve janë bërë si fabrika për prodhimin e letrës dhe të diplomave e jo të ekspertëve. Është e dhimbshme, se janë gjenerata të tëra që ua kanë humbur të ardhmen, duke ua krijuar iluzionin që po kryejnë shkollë dhe fakultet, ndërsa shumica e tyre nuk e kanë as kompetencën minimale për diplomën që e kanë marrë”, ka thënë më tutje profesori universitar.

Mangësi në menaxhimin e brendshëm të AKA-s

Ndërsa drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, fajin e ka hedhur te mangësitë në menaxhimin e brendshëm të AKA-s. Sipas tij, në këtë agjenci ka pasur ndikime nga grupe të ndryshme politike.

“Përgjigja nga ENQA vë në pah shumë mangësi procedurale dhe operative në menaxhim të brendshëm të AKA-s, që janë rezultat i ndikimeve të drejtpërdrejta në AKA nga grupe të ndryshme të interesit, të ndërlidhura me politikë dhe me kolegje private. Mirëpo pavarësia e AKA-s nuk garantohet vetëm nga një bord jopolitik i KSHC-së, por mbi të gjitha me profesionalizëm dhe me transparencë në funksionim të tërë institucionit”, ka thënë Qehaja.