KQZ-ja hap kutitë e votave, nis rinumërimin
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja hap kutitë e votave, nis rinumërimin

Aktuale October 11, 2019 - 08:01
Detajet
Image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e votave në 314 vendvotime, i cili do të zgjasë 4 deri në 5 ditë. Ky rinumërim vjen si pasojë e disa gabimeve teknike në formularin e përputhjes së rezultateve, shrkruan sot Gazeta "Zëri". 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së djeshme, pas orës 16:00, i ka hapur kutitë e votave në 314 vendvotime, për shkak të gabimeve teknike në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

LEXO EDHE: Dialogu, sfidë e vështirë për qeverinë e ardhshme

Këtë vendim KQZ-ja e mori gjatë ditës së mërkurë, në mënyrë që të qartësojë dhe të prezantojë gjendjen e saktë të kutive të votimit.

Duke përmendur arsyet e rinumërimit, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi u shpreh se 10 nga këto vendvotime do të rinumërohen plotësisht për shkak se është gjetur se mungojnë votat e kandidatëve, disa fletë të formularëve të rezultateve dhe në disa prej tyre mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të Këshillit të Vendvotimit, shkruan më tutje Zëri. 

Ndërsa në 304 vendvotime të tjera Elezi thotë se do të rinumërohen po ashtu plotësisht, për shkak të një gabimi teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike, i cili ka bërë që votat e tyre të mos shënohen në rubrikën përkatëse dhe kësisoj votat e subjekteve me ato të kandidatëve nuk janë përputhur mes vete.

“Për KQZ-në saktësia e procesit është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Procedura e QNR-së është e tillë, nuk lejon asnjë formular të rezultateve të kalojë nëse nuk përputhen votat e subjekteve me votat e kandidatëve. Kjo do të thotë se nëse subjekti politik nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota ose anasjelltas, atëherë formulari nuk procedohet si i rregullt dhe shkon në auditim”, ka thënë Elezi.

Vendvotimet që do të rinumërohen u përkasin këtyre komunave: Deçan 14, Gjakovë 14; Gllogoc 16; Gjilan 1; Dragash 4; Istog 1; Kaçanik 15; Klinë 14; Fushë Kosovë 2; Kamenicë 4; Mitrovicë e Jugut 10; Leposaviq 1; Lipjan 1; Novobërdë 3; Obiliq 5; Rahovec 14; Pejë 17; Podujevë 17; Prishtinë 42; Prizren 26; Skenderaj 13; Shtime 6; Shtërpcë 3; Suharekë 13; Ferizaj 17; Viti 17; Vushtrri 6; Zubin Potok 1; Malishevë 9; Junik 3; Han i Elezit 2; Graçanicë 2, Ranilluk 1.

Rezultatet para rinumërimit

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga ana e KQZ-së pas përfundimit të numërimit të votave, duke përjashtuar ato me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me 25,77 për qind të votave.

LDK-ja doli e dyta me 25,08 për qind të votave, pas saj Partia Demokratike e Kosovës me 21,17 për qind. Në vendin e katërt u radhit koalicioni AAK - PSD me 11,63 për qind, ndërsa koalicioni Nisma – AKR - PD mori 4,92 për qind të votave, me të cilat nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Nga sa vota u duhen deputetëve për ta marrë mandatin?

Përqindja e subjekteve politike në zgjedhjet e 6 tetorit i përcakton edhe ulëset në Kuvend. Ndonëse nuk ekziston një kriter i caktuar se sa vota duhet të ketë një kandidat për t’u bërë deputet, mesatarja pritet të jetë diku 7-8 mijë vota.

Por kjo do të varet nga subjektet se nga sa deputetë i kanë fituar në zgjedhje. Kandidatëve të subjekteve, të cilat kanë fituar më pak vota e që janë futur në Kuvend, do t’u duhen më pak vota për t’u bërë deputetë.

Por kjo përllogaritje ndërron te partitë e mëdha për shkak të përqindjes së lartë që kanë marrë në zgjedhje.

Kësisoj kandidatët e këtyre partive duhet të kenë deri në 10 mijë vota për ta marrë mandatin e deputetit. Meqë në këto zgjedhje ka pasur dalje më të madhe të votueseve se në zgjedhjet e kaluara, rrjedhimisht edhe numri i votave për kandidatët që të bëhen deputetë rritet.

Por për komunitetet ky numër mund të jetë shumë më i vogël.

Nisma e pakënaqur, vazhdon të kërkojë rinumërim në nivel vendi

Nisma Socialdemokrate, e cila nuk e kaloi pragun, po vazhdon të mos pajtohet me vendimin e KQZ-së. Kjo parti po kërkon që rinumërimi i votave të mos bëhet vetëm në 314 vendvotime, por në nivel vendi.

Kreu i Nismës, Fatmri Limaj, e ka cilësuar si të pamjaftueshëm vendimin e KQZ-së për të rinumëruar një pjesë të votave të zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Ai ka thënë se duhet të dihet se i kujt është gabimi që formularët janë shtypur gabimisht.

“Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularëve në të gjithë Kosovën. Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletëvotim dhe janë renditur edhe në formularë, të parit i mungon rubrika dhe për rrjedhojë disa komisionarëve që u është ndezur llamba i kanë shkruar me saktësi dhe disave që s’u është ndezur i kanë shkruar prej subjektit të dytë”, ka shkruar Limaj.

Sipas tij, vendimi i KQZ-së do të thotë aplikim i standardeve të dyfishta. Kësisoj ai thotë se pa u rinumëruar në tërësi çdo kuti e votimit KQZ-ja nuk do të jetë në gjendje të shpallë rezultat zgjedhor në përputhje me ligjin.

“Prandaj, ne kërkojmë urgjentisht që KQZ-ja ta pranojë gabimin në tërësi, jo pjesërisht dhe të krijojë kushte për rinumërim të secilës kuti për të nxjerrë rezultatin zgjedhor ashtu siç është brenda kutive dhe t’i eliminojë të gjitha këto gabime skandaloze, shtrembërimin e rezultatit dhe shumë defekte që janë përcjellë nga ky gabim”, ka shtuar ai.