Universiteti i Mitrovicës i mbyllur për këtë vit akademik, AKA-ja nuk i jep dritën e gjelbër

Universiteti i Mitrovicës i mbyllur për këtë vit akademik, AKA-ja nuk i jep dritën e gjelbër

Aktuale September 16, 2019 - 17:41
Detajet

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, (AKA) kanë rikonfirmuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të marr kohë më parë, për të mos ia vazhduar akreditimin këtij universiteti për vitin akademik 2019/2020.

Ata kanë shuar shpresat e drejtueseve të këtij institucioni publik për të pranuar studentë të rinj në këtë vit akademik. 

Shkëlzen Gërxhaliu, zyrtar për Vlerësim dhe Monitorim nga AKA, ka thënë për Sinjalin se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është institucion i mbyllur.

“Nuk mundet me u marrë vendim për hapjen deri sa është marrë vendim për mbylljen. KSHC nuk e trajton më atë çështje, për KSHC-në është institucion i mbyllur”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Universiteti i Mitrovicës, është në pritje të përgjigjes pozitive nga Agjencia Kosovare e Akreditimit për ta hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj.

“Nëse marrim përgjigje pozitive nga AKA në ankesën që e kemi drejtuar sa i përket mosakreditimit institucional, planifikohet të pranohen rreth 1200 studentë të rinj”, ka deklaruar Ahmet Jashari, Drejtor për Informim dhe Komunikim me Publikun në Universitetin e Mitrovicës.

Në bazë të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë, Universiteti i Mitrovicës  nuk i përmbush kriteret edhe standardet e akreditimit të vëna nga agjencia. Sipas vendimit ky universitet nuk mund të regjistrojë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve.

Agjencia e Kosovës për Akreditim po ia akrediton këtij universiteti programet e reja të studimit siç është programi Biznes dhe Menaxhment, me Specializim Banka dhe Financa në nivelin bachelor, si dhe programi Inxhinieri Ekonomike, niveli master.

Ahmet Jashari nga Universiteti i Mitrovicës ka thënë se këto dy programe janë akredituar, vetëm se ende nuk janë publikuar në listën e re të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Këto dy programe, kanë ngritur në njëzetë numrin e programeve të studimit në Universitetin e Mitrovicës, së bashku edhe me tetëmbëdhjetë programe të tjera që u riakredituan për këtë vit akademik, ndërkaq nuk është akredituar vetëm një program, ai i Biznesit dhe menaxhmentit në nivelin master.

Universiteti Publik i Mitrovicës “Isa Boletini” u themelua në vitin 2013, dhe që atëherë ka pranuar studentë në 6 fakultete, sa funksionojnë në kuadër të këtij institucioni publik të arsimit.

Ideja për themelimin e një universiteti cili do të mbyllej 6 vite pas themelimit kishte lindur në kohë fushate nga Hashim Thaçi, atë kohë kryeministër i vendit, i cili para zgjedhjeve të vitit 2010 kishte premtuar se Mitrovica do të bëhej me universitet.

Universiteti u hap, mirëpo punimet në objektin e ri përfunduan 5 vite më vonë. Gjatë kësaj periudhe, studentët zhvilluan mësimin në kushte të tmerrshme në objektin e ish Fabrikës së Akumulatorëve “Trepça”, i cili nuk plotësonte as nevojat elementare për mësimnxënie.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit në korrik të këtij viti, përveç Universitetit të Mitrovicës ua kishte ndaluar akreditimin e studimeve për vitin e ri akademik 2019/2020 edhe Universiteteve Publike të Pejës e Prizrenit.

Ky vendim kishte nxitur reagimin e ashpër të kryeministrit, Ramush Haradinaj i cili kishte kundërshtuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë duke ndërhyrë drejtpërdrejt në pavarësinë e këtij këshilli. Ai kishte paralajmëruar veprime të menjëhershme duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate veprim ky që i cili është cilësuar skandaloz në opinionin publik.