Para zgjedhjeve rinis fryrja e listave të veteranëve
Foto: Laura Hasani

Para zgjedhjeve rinis fryrja e listave të veteranëve

Aktuale September 14, 2019 - 08:00
Detajet
Image

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është shprehur e shqetësuar se si në prag të zgjedhjeve kanë nisur të lëshohen certifikata për veteranët e luftës. Njohës të rrethanave politike e juridike theksojnë se persona të caktuar për qëllime elektorale kanë nisur prapë ta keqpërdorin statusin e veteranit, shkruan gazeta "Zëri".

Në listat e veteranëve të luftës kanë filluar të rriten numrat. Certifikata që vërtetojnë statusin zyrtar të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur të lëshohen prapë. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur shqetësim për shpërndarjen e këtyre certifikatave, të cilat sipas tyre mund të keqpërdoren tash kur vendi është në prag të zgjedhjeve të reja. Madje edhe ish-ushtarë e komandantë të UÇK-së ndihen të ofenduar për lëshimin e këtyre certifikatave pa u plotësuar kriteret. Ata theksojnë se është e pamoralshme të barazohen me persona që nuk kanë luftuar dhe që mundohen ta mashtrojnë shtetin për përfitime materiale. Për çështjen e veteranëve është ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar, të cilët akuzohen për “Keqpërdorim të autoritetit ose të pozitës zyrtare”. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Të gjithë ish-komandantë të UÇK-së, shumica prej të cilëve kanë mbajtur ose mbajnë pozita publike si ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, deputetë të Kuvendit ose udhëheqës të shoqatave të veteranëve.

OVL: Lëshimi i certifikatave në prag të zgjedhjeve mund të keqpërdoret

Ditë më parë Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e vazhdueshëm të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së. Ata janë shprehur se ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit.

Kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, është shprehur për “Zërin” se shqetësimi i tyre është se lëshimi i këtyre certifikatave mund të keqpërdoret për qëllime elektorale nga persona të caktuar. "Ne gjithmonë flasim në bazë të terrenit dhe informacioneve që kemi gjithandej. Është shumë e vërtetë që prej viti 2017 e deri më sot janë lëshuar certifikata. Ne kemi bërë apel që të parandalohet kjo dukuri. Shqetësimi ynë është që lëshimi i këtyre certifikatave mund të keqpërdoret tash kur jemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pikërisht për këtë arsye kemi reaguar. Nuk është mirë të lëshohen certifikata në kohë zgjedhjesh”, ka thënë Gucati.

Më tutje edhe Blerim Latifi, kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, është shprehur se ka informacione që po lëshohen certifikata. Ai madje për lëshimin e tyre e ka akuzuar Gazmend Sylën, udhëheqësin e Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë përgjigje nga Syla, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Quni: Dyshimet për shpërndarje të certifikatave të veteranëve nga Zyra e Kryeministrit, alarmante

Ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, ka thënë për “Zërin” se është për t’u shqetësuar nga situata aktuale me shpërndarjen e kundërligjshme të certifikatave të veteranëve, madje siç thotë ai është alarmante kur një gjë e tillë bëhet nga Zyra e Kryeministrit dhe pikërisht tash kur jemi afër zgjedhjeve. “Është për keqardhje se si skajshmërisht po keqpërdoret dhe po manipulohet çështja e veteranëve për përfitim në vota dhe kur kjo vjen nga Zyra e Kryeministrit, atëherë kjo vërtet është alarmante. Përfundimisht kjo është goditja më e madhe që po u bëhet vlerave të luftës së UÇK-së nga ata që thirren vazhdimisht se janë për mbrojtjen e saj”, ka deklaruar Quni.

Më tutje ai u ka bërë thirrje të gjitha organeve kompetente që urgjentisht të fillojnë hetimet në lidhje me dyshimet e ngritura.

Gashi: Persona të caktuar po keqpërdorin certifikatat e veteranëve për vota

Ndërsa Avokati Tomë Gashi është shprehur për “Zërin” se nuk është normale që dikujt t'i jepet vërtetim ose të futet në lista të veteranëve tash kur jemi në prag të zgjedhjeve, sepse siç thekson ai e gjithë kjo mund të keqpërdoret për mbledhje të votave. “Ndarja ose dhënia e çfarëdo certifikate të veteranëve të UÇK-së në këtë kohë sjell paqartësi, pa marrë parasysh kush sa e meriton. Këto mund të bëhen në mënyrë të qëllimshme dhe ndoshta edhe për shkaqe elektorale. Duket që ka nga ata që janë në ethe të humbjes dhe ndoshta mund t'i keqpërdorin edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së ose persona të caktuar, që paraqiten në role të tilla pa qenë fare”, ka thënë Gashi, shkruan gazeta "Zëri".

Parandalimin e një dukurie të tillë Gashi thotë se mund ta bëjë vetëm Policia dhe Prokuroria. Më tutje ai potencon se çdokush që lëshon këso lloje certifikatash pa u plotësuar kriteret kryen vepër penale të “Mashtrimit” dhe mund të dënohet me 10 vjet burg, bashkë me atë që pranon një të tillë.

Ish-luftëtarët e UÇK-së të ofenduar me keqpërdorimet e statusit të veteranit

Ish-luftëtarë e komandantë të UÇK-së janë shprehur të ofenduar me veprimet e fundit të shpërndarjes së certifikatave nga Zyra e Kryeministrit, të cilat janë paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

Ish-komandanti i UÇK-së Kadri Kastrati, duke folur për gazetën, është shprehur se është kriminale që ende të shpërndahen certifikata të tilla, pasi siç ka thënë ai tashmë ka kaluar koha kur zinxhiri komandues i ka dorëzuar listat e ushtarëve. “Kjo gjë jo vetëm që është e kundërligjshme, por kjo është totalisht kriminale, për arsye se ka kaluar koha kur veteranët janë regjistruar dhe kur zonat operative e komandantët i kanë dhënë listat e ushtarëve. Është shumë ofenduese që një luftëtar të barazohet me një njeri që nuk ka të bëjë me luftën. Madje ka aso që e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe sot i gjen në listat e veteranëve, kjo është total ofenduese për çdo luftëtar që ka qenë në vijën e frontit”, ka potencuar Kastrati./ZËRI