Meta: Nuk kam bërë asnjë shkelje me shtyrjen e zgjedhjeve vendore

Meta: Nuk kam bërë asnjë shkelje me shtyrjen e zgjedhjeve vendore

Aktuale shtator 12, 2019 - 10:24
Detajet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se takimi me delegacionin e Komisionit të Venecias ishte i frytshëm dhe do të jetë i shkëlqyer dhe transparent.

Parlamenti e ka ftuar Komisionin e Venecias të japë një opinion për qëndrimet e Presidentit të Republikës mbi zgjedhjet vendore dhe nismën e shumicës për shkarkimin e tij.

“Në respekt të punës që ata kanë nisur dhe do duhet të bëjnë deri më 11 tetor, ju kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi i Shqipërisë u ka drejtuar lidhur me cilësitë e Presidentit të Republikës, i cili është i qartë dhe analitik dhe i shoqëruar me dokument. Ky dokument do të jetë publik në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe do jetë i hapur për kontribute jo vetëm për transparencë, por edhe për t’u pasuruar me vërejtje, ide nga juristë vendas dhe ndërkombëtarë sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme dhe një casus në fushën e së drejtës publike dhe do jetë edhe një çështje e rëndësishme për të ardhmen dhe do diskutohet edhe në të drejtën ndërkombëtare” – deklaroi zoti Meta.

Ai tha më tej se gjithçka do të jetë në dispozicionin jo vetëm të mediave, por të të gjithë qytetarëve dhe të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias dhe të gjitha institucioneve ku vendi ynë është anëtarësuar dhe ku vendi ynë ka detyrime për të përmbushur.

“Kjo është një sfidë që unë e mirëpres. Kam shprehur të jem i hapur edhe me 11 tetor që të jem i hapur për pyetje më 11 tetor nga Komisioni. Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka qenë mbrojtës i Kushtetutës dhe parimeve të saj. Çdo datë për të vendosur një datë për të vendosur një datë propagande, është veprim që synon të shmangë datën më të rëndësishme atë të 18 tetorit. Presidenti do të shkojë në 11 tetor tek Komisioni i Venecias” – tha zoti Meta.

Një delegacion i Komisionit të Venecias zhvilloi dje dhe sot në Tiranë një seri takimesh me autoritetet kryesore të shtetit dhe politikës shqiptare, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, lidhur me aktet e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për zgjedhjet vendore.

Ata bënë sot të ditur se pas një muaji, më 11 tetor, Komisioni i Venecias do të nxjerrë një raport me përfundimet lidhur me ligjshmërinë e akteve të presidentit Meta mbi zgjedhjet vendore; anullimin e datës 30 qershor, dhe dekretimin e tyre për në 13 tetor./VOA