Kërcënimet e SBASHK-ut për greva

Kërcënimet e SBASHK-ut për greva

Aktuale August 31, 2019 - 09:41
Detajet

Duket që edhe ky fillimvit nuk do të jetë pa probleme. Ka ditë që SBASHK-u e vlerëson si shqetësues problemin e mbylljes së paralajmëruar të disa shkollave në komunën e Kamenicës dhe si kundërpërgjigje parasheh greva, madje edhe sosh të përshkallëzuara. Kreu i Komunës së Kamenicës dhe përfaqësuesit e fshatrave këmbëngulin në qëndrimet e tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe:  Të hënën fillon mësimi, Kamenica bëhet problematike

Për shkak të këtij problemi në këtë komunë mësimi mund të mos fillojë më 2 shtator, por nëse autoritetet përgjegjëse nuk gjejnë zgjidhje, sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, mund të vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e mësimit në gjithë Kosovën.

Sipas Jasharajt, i cili në vitet e fundit është bërë protagonist i imponueshëm në proceset e arsimit në Kosovë, nëse plani i Komunës së Kamenicës zbatohet për mbylljen e shkollës greva do të përshkallëzohet në gjithë territorin e vendit. Ai thotë se si pasojë e këtij vendimi të Komunës së Kamenicës shumë mësimdhënës mund të mbesin pa punë.

Jasharaj ka mbajtur të enjten një takim konsultativ me Kryesinë Qendrore dhe me kryetarët e kuvendeve të arsimit fillor e të mesëm nga të gjitha komunat e Kosovës.

Nga SBASHK-u thonë se ata janë informuar për angazhimet dhe detyrat konkrete dhe çështje kyçe e debatit ka qenë gjendja para fillimit të vitit të ri shkollor. “Jasharaj ka informuar me gjendjen e krijuar në komunën e Kamenicës pas nismës së ngutshme e të paanalizuar mirë të kryetarit Qëndron Kastrati, që në emër të gjoja reformave të mbyllë një numër shkollash. Kryetari Jasharaj ka informuar edhe për takimet me kolegët sindikalistë në Kamenicë dhe për qëndrimin unanim të tyre që të kundërshtohet kjo nismë dhe nëse ajo nuk tërhiqet, atëherë të fillohet edhe me veprime sindikale. U dha informatë e plotë edhe për rrjedhën e takimit me kryetarin Kastrati dhe stafin e tij”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Nëse Komuna e Kamenicës nuk e tërheq vendimin për mbylljen e këtyre shkollave, ka thënë Jasharaj, atëherë SBASHK-u do të solidarizohet me mësimdhënësit e kësaj komune duke shtrirë grevën në nivel të Kosovës. /ZERI