Bashkësia Islame e Kosovës reagon për mishin e prishur të kurbanëve

Bashkësia Islame e Kosovës reagon për mishin e prishur të kurbanëve

Aktuale August 22, 2019 - 12:19
Lexoni detajet

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka dërguar sqarim rreth mishit të kurbanëve për besimtarët, duke thënë se ka kërkuar nga AUVK-u që të japë mendimin profesional për sigurinë e një sasie të mishit të kurbaneve, e cila ndodhej në depon që kanë marrë me qira.

Sipas tyre, pas njoftimit kanë ndërprerë shpërndarjen dhe më vonë kanë bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë, raporton Front Online.

“Inspektorët e AUVK pasi që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se mishi që gjendej në depo nuk është i sigurt për konsumim dhe se i njëjti duhej të asgjësohej, gjë që edhe ka ndodhur, pra është asgjësuar në të njëjtën ditë nën mbikëqyrjen e AUVK, duke respektuar të gjitha procedurat që i parashohin ligjet në fuqi.”, thuhet në njoftim.

Më tej kanë bërë të ditur se këtë vit kanë therur kurban 1 mijë e 391 krerë lopë dhe se therja e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë, dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë.

“Mishi i asgjësuar i përket një sasie të mishit të therur në Istog, që sipas inspektorëve të AUVK është prishur, pasi që nuk është ngrirë në përmasat e duhura. Kryesia e BIK-ut njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente do t’u shpërndahet kategorive sociale.”, shtuan BIK-u.

Mes tjerash kryesia e BIK-ut ka sqaruar se “amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer”, dhe se do të hetojnë rrethanat në të cilat është prishur mishi, ku edhe do të ndërmarrin masat e duhura që të mos përsëriten gjëra të tilla.