Vendime kundërkushtetuese të Qeverisë në dorëheqje
Foto: Laura Hasani

Vendime kundërkushtetuese të Qeverisë në dorëheqje

Aktuale August 20, 2019 - 08:08
Lexo Detajet
Image

Dje është bërë një muaj qëkur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, por kjo nuk e ka ndalur atë e as kabinetin e tij të marrë vendime. Veprimet që janë marrë nga kryeministri Haradinaj e nga ministrat në largim konsiderohen si kundërkushtetuese dhe si jomorale, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse më 19 korrik të këtij viti Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ai së bashku me ministrat e kabinetit të tij qeveritar vazhduan edhe më tej të marrin vendime për çështje të ndryshme, të cilat vazhdimisht u kritikuan nga njohës të çështjeve të drejtësisë.

Edhe pas dorëheqjes Haradinaj është paraqitur sërish në zyrën e tij, ku më 26 korrik ai ka thirrur mbledhjen e rregullt të Qeverisë, derisa njëjtë kanë vepruar edhe ministrat e kabinetit të tij, ndërkohë që nuk ka munguar madje as shpallja e konkurseve të reja.

Më 23 korrik Ministria e Drejtësisë ka shpallur konkursin për zgjedhjen e noterëve të rinj, e pas saj, më 25 korrik, Ministria e Arsimit shpalli konkurs për punësime të reja.

Së fundmi, më 16 gusht, edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala mori vendim për vendosjen e masave ndaj Maqedonisë së Veriut, duke ndaluar disa prodhime që importoheshin nga fqinji ynë jugor.

LEXO EDHE: 80 vota determinojnë fatin e Kuvendit

Të gjitha veprimet e ndërmarra gjatë këtij një muaji të fundit nga qeveria “Haradinaj” dhe nga këto ministri është konsideruar se bien ndesh me Kushtetutën e vendit, e cila në momentin kur kryeministri i Kosovës jep dorëheqje, në Nenin 95, në pikën 5, e saktëson qartë se qeveria konsiderohet në rënie dhe ajo qeveri nuk mund të ushtrojë mandatin e mëtutjeshëm derisa të ketë zgjedhje dhe derisa vendi të bëhet me qeveri të re.

“Zëri” ka kontaktuar edhe shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufin në lidhje me ligjshmërinë e këtyre vendimeve, por ai ka thënë se Haradinaj nuk ka mbajtur mbledhje të qeverisë prejse ka dhënë dorëheqje.

Ai po ashtu ka deklaruar se ky subjekt tashmë është duke u përgatitur për zgjedhje.

“Haradinaj nuk ka mbajtur mbledhje të Qeverisë prej momentit të parë të dorëheqjes së tij. Tani janë në pyetje koalicionet mes partive dhe ne jemi duke u përgatitur për zgjedhje”, ka thënë ai.

Ditë më parë gazeta ka kontaktuar edhe Zyrën për informim në Gjykatën Kushtetuese për sa i përket interpretimit që kishte kërkuar Haradinaj nga kjo gjykatë lidhur me rolin dhe me kompetencat që ka Qeveria pas dorëheqjes së tij.

Nga Kushtetuesja kanë thënë për “Zërin” se ende janë duke e shqyrtuar këtë çështje dhe se rrjedhimisht ende nuk janë qartësuar kompetencat që ka Haradinaj pas dorëheqjes së tij.

Sejdiu: Çdo veprim i kësaj qeverie, i jashtëligjshëm e jomoral

Veprimet e marra pas dorëheqjes së Haradinajt nga vetë ai dhe nga kabineti i tij janë vlerësuar edhe si jomorale.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, i cili njëherësh është edhe deputet i pavarur, Korab Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se pas dorëheqjes kryeministrit nuk i ka takuar të kthehet prapë në karrigen e të parit të ekzekutivit të vendit.

Sipas tij, qeveria “Haradinaj” po vazhdon të dëshmojë se nuk udhëhiqet nga dispozitat ligjore. “Ky është veprimi abnormal i radhës nga kjo qeveri skandaloze, pra edhe pasi dorëhiqen ata vazhdojnë ta ushtrojnë detyrën me kapacitet të plotë. Në çfarëdo rrethane një personi që dorëhiqet nuk i takon të kthehet në atë vend nga i cili është dorëhequr. Fatkeqësisht kjo qeveri ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se nuk udhëhiqet nga dispozitat ligjore dhe nga parimet morale, por thjesht nga interesat personale të pjesëtarëve të PAN-it. Do të vazhdojnë këto keqpërdorime derisa të zëvendësohen nga një qeveri tjetër e formuar pas zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se çdo vendim i kësaj qeverie, të cilën e ka quajtur si të jashtëligjshme, ka bazë të mjaftueshme juridike për t’u sfiduar juridikisht.

ëShala: Në asnjë mënyrë nuk është dashur të merren vendime

Edhe hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, i ka kritikuar vendimet që janë marrë pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Ai ka thënë se këto vendime janë pa legjitimitet dhe se nuk do të duhej të merreshin nga qeveria në largim. “IKD-ja vlerëson se vendimet e fundit të qeverisë ‘Haradinaj’ për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është zhvillimi i procesit për rekrutimin e noterëve të rinj dhe vendosja e masave reciproke Maqedonisë së Veriut, janë vendime pa legjitimitet, të cilat në asnjë rrethanë nuk mund t’i ndërmarrë një qeveri në largim”, ka thënë ai.

Përndryshe, Shala ka përmendur edhe mosmiratimin e Ligjit për Qeverinë, i cili sipas tij edhe do t’i përcaktonte qartë kompetencat e qeverisë në dorëheqje. “Fillimisht duhet të potencojmë se që nga paslufta asnjë qeveri nuk ka pasur vullnet për miratimin e Ligjit për Qeverinë, i cili ligj do të përcaktonte qartë kompetencat e qeverisë së shkarkuar dhe të asaj në dorëheqje. Por në përgjithësi, në rastin e shkarkimit ose të dorëheqjes së qeverisë njihet koncepti i qeverisë në largim, e cila ka për kompetencë t’i ndërmarrë veprimet e domosdoshme në mungesë të një qeverie legjitime, por jo edhe të marrë vendime të rëndësishme. Në këtë drejtim qeveria në largim nuk ka të drejtë të procedojë ligje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të bëjë emërime të caktuara etj.”, ka thënë ai./ZERI