80 vota determinojnë fatin e Kuvendit

80 vota determinojnë fatin e Kuvendit

Aktuale August 20, 2019 - 07:55
Lexo Detajet
Image

Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 22 gusht në rast se 80 deputetë votojnë pro për t’i dhënë fund kësaj legjislature. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se nëse votimi për shpërndarjen e Kuvendit dështon atëherë duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë, shkruan gazeta "Zëri".

Që nga refuzimi i koalicionit qeverisës PAN ndaj kërkesës së presidentit të vendit Hashim Thaçit për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar shpërndarjen sa më të shpejtë të Kuvendit dhe, siç dihet, në bazë të këtij disponimi politik është caktuar që më 22 gusht të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shpërndarja e Kuvendit.

LEXO EDHE: Nis “gjuetia” e partive, AAK-ja e PSD-ja bashkërisht

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpërndarjen e Kuvendit duhet ta votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve. Njohës të çështjeve politike në vend kanë sqaruar për “Zërin” procedurën e cila do të çojë deri te shpërndarja e Kuvendit, që rrjedhimisht çon te zgjedhjet e reja.

Hapat deri te shpërndarja e Kuvendit

Për të nxitur seancën e jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit janë nevojitur 40 nënshkrime të deputetëve. Që kjo seancë të jetë e suksesshme duhet së paku 80 deputetë të jenë në sallë dhe të votojnë pro.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën ka pohuar se në rast të dështimit të votimit për shpërbërjen e Kuvendit duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë. “Në momentin që në rend të ditës shqyrtohet pika për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë nga kryeparlamentari konstatohet kuorumi, i cili duhet të jetë 80 persona prezentë për të pasur mundësi që të vihet në rend të ditës ajo pikë. Kuvendi shpërndahet me së paku 80 vota. Nëse nuk janë 80 deputetë prezentë shtyhet pika e rendit të ditës për shpërndarje të Kuvendit. Kjo pikë në votim mund të dalë vetëm një herë dhe nëse dështon, atëherë shtyhet mbledhja dhe bëhet kërkesa tjetër për seancë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar për “Zërin” se në rast të dështimit të votimit do të krijohej një situatë e re, duke qenë se Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës nuk parasheh edhe një votim të dytë për shpërbërjen e Kuvendit. Murati potencon se do të duhej edhe interpretim nga Gjykata Kushtetuese. “Nëse do të hidhej në votim dhe nuk do t’i merrte 80 vota pas votimit, do të krijohej një situatë e re, meqenëse nuk ka ndonjë rregullore e cila do ta mundësonte një votim të dytë. Por me siguri duhet të kërkohet një interpretim i Gjykatës Kushtetuese se si do të duhej të procedohej më tutje. Për shembull te mocioni i mosbesimit, nëse nuk kalon, atëherë pas tre muajsh mund të bëhet tjetri, ndërsa në këtë rast nuk ka specifika në Rregullore të Punës dhe kësisoj do të paraqiste një situatë të re”, ka deklaruar Murati.

Mundësitë e shpërbërjes së Kuvendit dhe datat e mundshme për zgjedhje

Ramush Tahiri ka sqaruar edhe procedurën pas shpërndarjes së Kuvendit, duke përmendur edhe datat e mundshme për zgjedhjet e reja. “Pas konstatimit që është shpërndarë Kuvendi i dërgohet letër presidentit, i cili ka afat 10 ditë për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 30 ditë që nga dita kur Kuvendi është shpërndarë dhe jo më vonë se 45 ditë. Nëse Kuvendi shpërndahet më datën 22 gusht, atëherë është e mundshme që zgjedhjet të mbahen më 29 shtator ose më 6 tetor. Nëse nuk shpërndahet Kuvendi më 22 gusht, atëherë ndërrojnë edhe këto data”, ka thënë Tahiri.

Mirëpo, sipas Artan Muratit, seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të jetë e suksesshme duke iu referuar deklaratave të subjekteve politike, të cilat janë shprehur se janë pro zgjedhjeve të reja sa më parë. “Gjasat janë të vogla që mocioni për shpërndarje të Kuvendit të mos kalojë, meqenëse ka dakordim paraprak të subjekteve politike, madje mocioni do të duhej të kishte më shumë se 80 vota, meqë të gjitha subjektet politike shqiptare janë shprehur në favor të zgjedhjeve. Normalisht nëse nuk ndodh ndonjë marrëveshje ose ndonjë lëvizje politike në moment të fundit, siç jemi mësuar shpeshherë ta shohim në politikën tonë, mocioni do të duhej të kalonte pa problem”, ka pohuar ai.

Pas shpërndarjes, Kuvendi pa kurrfarë roli deri në legjislaturën e shtatë

Më tutje Murati ka theksuar se në rast të shpërndarjes Kuvendi nuk do të ketë asnjë rol derisa nuk formohet legjislatura e re. Kësisoj mandatet e deputetëve të legjislaturës së gjashtë do të pushojnë automatikisht me shpërbërjen e Kuvendit. “Pas shpërndarjes faktikisht nuk ka asnjë rol që do të mundë ta luante Kuvendi. Ai mund ta ushtrojë funksionin e tij deri në momentin e shpërndarjes, që hipotetikisht është data 22 gusht. Përndryshe, në momentin që shpërndahet Kuvendi duhet vetëm të caktohet data e zgjedhjeve dhe të pritet konstituimi i legjislaturës së shtatë pas zgjedhjeve. Me shpërndarjen e Kuvendit pushojnë mandatet e deputetëve dhe nuk mund të merret asnjë vendim e as të mbahet asnjë mbledhje nga deputetët e legjislaturës së gjashtë”, ka shtuar ai./ZERI