Nis “gjuetia” e partive, AAK-ja e PSD-ja bashkërisht

Nis “gjuetia” e partive, AAK-ja e PSD-ja bashkërisht

Aktuale August 20, 2019 - 07:36
Lexo Detajet
Image

Dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit subjektet politike janë mobilizuar për të gjetur partnerë për koalicionet parazgjedhore. AAK-ja dhe PSD-ja të hënën kanë bashkuar forcat në një koalicion parazgjedhor, teksa tentativa për një gjë të tillë pati edhe nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili u takua me Shpend Ahmetin e PSD-së dhe me Fatmir Limajn e Nismës, shkruan gazeta "Zëri".

Ende pa u shpërndarë Kuvendi i Kosovës subjektet politike kanë filluar “gjahun” për t’i gjetur partitë me të cilat mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre. Koalicioni i parë parazgjedhor ndodhi të hënën, dy ditë para shpërndarjes së Kuvendit, mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, parti këto që u zotuan se i bashkuan forcat për t’i fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Madje krerët e të dyja partive theksuan se i mirëpresin edhe bisedimet me dy partitë e tjera më të vogla, me Nismën e me AKR-në, duke mos përjashtuar mundësinë e zgjerimit të koalicionit. Përpos marrëveshjes së arritur mes AAK-së dhe PSD-së, të hënën pati edhe takime tjera mes subjekteve politike. Kreu i partisë opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) Isa Mustafa ftoi në takim kreun e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn, si dhe kryetarin e PSD-së Shpend Ahmetin, por jo edhe kreun e AAK-së, kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn.

Ahmeti: Jemi bashkuar për t’i fituar zgjedhjet

Kreu i PSD-së Shpend Ahmeti, pas takimit që zhvilloi të hënën me drejtuesit e AAK-së, në krye me Ramush Haradinajn, theksoi se këto dy parti i kanë bashkuar forcat me synim që t’i fitojnë zgjedhjet. “Siç është spekuluar tashmë disa ditë, kemi arritur marrëveshje që në zgjedhjet e ardhshme PSD-ja dhe AAK-ja të garojnë bashkë. Në këtë betejë ne po i bashkojmë forcat si PSD me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e që synimin kryesor e kemi t’i fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës dhe në këtë program i kemi pasur parasysh mospajtimet dhe qëndrimet tona të ndryshme. Kemi kërkuar që edhe qëndrimet të jenë të njëjta”, ka thënë Ahmeti.

Ai po ashtu theksoi se bartës i listës zgjedhore do të jetë Haradinaj, ndërsa pas tij Ahmeti, meqë, siç tha ai, PSD-ja asnjëherë nuk e ka synuar postin e kryeministrit. “Me kaq ne nuk e mbyllim këtë proces të koalicioneve parazgjedhore dhe që tash bashkë PSD-ja me AAK-në do të kontaktojmë me subjektet e tjera të cilat i ka përmendur edhe AAK-ja, edhe PSD-ja, në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues, që ato qëndrime të cilat i kemi t’i zbatojmë me qeverisjen e ardhshme”, theksoi ndër të tjera Ahmeti.

Haradinaj e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Nismën e me AKR-në

Pas zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor mes AAK-së dhe PSD-së, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se bashkëpunimi me PSD-në erdhi pas analizimit të programeve qeverisëse të të dyja partive dhe përafrimin e të njëjtave. “Kjo punë e përbashkët sot ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe të AAK-së, kemi arritur t’i bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Kemi mbërritur t’i zgjedhim të gjitha pyetjet funksionale që na presin. Sot me përgjegjësinë më të madhe në Aleancë u votua ky koalicion, i cili është i pari në Kosovë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Haradinaj. “Mendoj që sot jemi më të përgatitur t’i marrim përgjegjësitë për temat që e preokupojnë jetën tonë. Ne nuk kemi treguar asnjë neglizhencë për përgjegjësitë që i kemi. Më kujtohet votimi për Ushtrinë tonë dhe në atë kohë Lista Serbe u largua nga Parlamenti dhe nga Qeveria. Ua kujtoj qytetarëve të vendit se ishte PSD-ja, ishte kryetari Ahmeti në atë kohë që e votoi Ushtrinë dhe i dhanë përkrahje Qeverisë ta tejkalojë atë moment të vështirë, por të mos dështojë Ushtria e cila bëhet një herë në jetë”, ka thënë ai.

Kreu i AAK-së nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një bashkëpunimi të të dyja partive me partitë si Nisma e AKR-ja. “Nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri. As për një PAN 2 ose PAN 3 dhe këtë e themi me përgjegjësi të plotë dy subjektet politike. Por jemi që subjektet tjera politike që kanë pikëpamjet e tyre t’i dëgjojmë. Ajo që po bëjmë është se ne nuk po presim nga askush, po e krijojmë boshtin e fitores, që është shpresë për qytetarët e vendit”, ka thënë ai.

Limaj nuk jep shenja që mund të bashkëpunojë me AAK-në

Të hënën, në kuadër të takimeve të subjekteve politike, pak para shpërndarjes së Kuvendit, kreu i LDK-së Isa Mustafa në takim ftoi edhe liderin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn. Pas këtij takimi Limaj theksoi se takimi me Mustafën ishte takim i rregullt, por potencoi se Kosovës i nevojitet një qeveri që kryen punë. “Folëm edhe për rëndësinë e procesit zgjedhor. Kosovën e presin tema të rëndësishme, duhet të jemi të kujdesshëm në fazën parazgjedhore. Kosovës i duhet një qeveri e cila kryen punë. Është një moment i rëndësishëm dhe vendi mjaft ka humbur. Është momenti që vetë procesi zgjedhor të karakterizojë seriozitetin për qeverinë e ardhshme. Nuk është mirë që fushatat të bëhen me patriotizëm e pastaj të veprohet krejt ndryshe”, u shpreh Limaj.
Ai mes të tjerash shtoi se me Mustafën kanë diskutuar për të gjitha temat, duke shtuar se bisedojnë me të gjithë partnerët e më pas vendosin për mundësinë e koalicioneve. “Procesi zgjedhor është vetëm një fazë. Kosovës i duhet një qeveri që kryen punë”, potencoi ai.

Mushkolaj: “Befasitë e natës”, determinuese për koalicionet e partive

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj koalicionin e PSD-së me AAK-në e ka quajtur lëvizje pragmatike nga ana e dy partive, çka sipas tij po i ndan partitë politike në katër blloqe (LDK, LVV, PDK dhe PSD-AAK). Sipas Mushkolajt, koalicione të tilla e qartësojnë më shumë garën e partive për pushtet dhe shtyjnë partitë të përafrojnë qëndrimet me njëra-tjetrën. “Veprimin e AAK-së dhe të PSD-së e shoh si një veprim pragmatik nga të dyja partitë dhe ky bashkëpunim ka ardhur me idenë që të fitohen zgjedhjet, gjë që i vë në lëvizje edhe partitë tjera të mendojnë se si të shkojnë më tutje. Duket që gara po shkon drejt katër grupimeve, koalicioni AAK-PSD, LDK, LVV dhe PDK, gjë e cila e bën garën më të qartë dhe është pozitive që koalicionet të bëhen publike më herët sesa të pritet momenti i fundit”, ka thënë ai për “Zërin”.

Mushkolaj ka theksuar se pavarësisht përafrimeve mes dy partive opozitare (LDK-së dhe LVV-së) nuk pret bashkëpunim parazgjedhor mes këtyre dy partive. Mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë varet edhe nga lëvizjet e partive të tjera. “Unë nuk mendoj që do të ketë koalicione parazgjedhore të partive të mëdha, pra të LDK-së dhe të LVV-së, përpos nëse me afrimin e datës së zgjedhjeve mund të ndodhë ndonjë befasi e natës, siç jemi mësuar të ndodhin dhe atëherë mund të ketë lëvizje në momentin e fundit, që mund t’i ndërrojë planifikimet e partive.Kurse duke folur për mundësinë e bashkimit të Nismës dhe të AKR-së me AAK-në e me PSD-në, Mushkolaj tha se një gjë e tillë është e mundur të ndodhë. “Nisma e AKR-ja kanë qenë në koalicionin PAN dhe nuk shoh ndonjë vështirësi se pse këto parti nuk do të bashkoheshin me Haradinajn në këtë koalicion. Nisma besoj se humb shumë nëse bashkohet me PDK-në, sepse ka pasur paralajmërime të tilla dhe më shumë do të fuqizohej nëse do të bashkoj me AAK-në e me PSD-në”, ka thënë më tutje ai./ZERI