Thirrjet e ndërkombëtarëve për luftim të korrupsionit, në vesh të shurdhër
FOTO: Laura Hasani

Thirrjet e ndërkombëtarëve për luftim të korrupsionit, në vesh të shurdhër

Aktuale August 19, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Njohës të çështjeve ligjore e politike në vend thonë se Kosova do të dëmtohet e do të sanksionohet nga shtetet tjera për shkak të mosluftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Sinjalet e ndërkombëtarëve për mospërkrahjen e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pas Britanisë së Madhe, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditëve të fundit është larguar nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës e kjo për shkak se në krye të saj është zgjedhur para disa muajve Naser Shala, ish-komandant i UÇK-së, i cili është vlerësuar si i pakualifikuar për këtë pozitë.

Largimi i këtyre dy ambasadave nga kjo agjenci ka shfaqur pakënaqësi edhe të ambasadat tjera në vend.

E për këto veprime njohës të çështjeve ligjore e politike në vend thonë se Kosova do të dëmtohet e do të sanksionohet nga shtetet tjera. Sipas tyre, për shkak të mosluftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit ndërkombëtarët po japin sinjale se nuk do ta përkrahin Kosovën.

LEXO EDHE: Të gjithë i duan zgjedhjet, frikë nga befasitë

E këta të fundit po ashtu kanë kritikuar shumë edhe institucionet e drejtësisë në vend, të cilat sipas tyre nuk i kanë marrë seriozisht thirrjet e ndërkombëtarëve, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Derisa ambasadat e huaja tashmë kanë filluar të marrin masa për shkak të pakënaqësive të tyre, ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, është shprehur i kënaqur me punën që ka bërë kjo ministri në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend.

Ai ka thënë për “Zërin” se janë në rrugë të mirë në fuqizimin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Pikërisht në këtë drejtim kemi ridraftuar Kodin Penal të Kosovës, ku janë rritur dënimet për korrupsion, është sponsorizuar Ligji për Konfiskim të Pasurisë së Paligjshme, po ashtu një ligj që u jep prokurorëve dhe gjyqtarëve kompetenca në konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Në Kuvend është edhe Kodi i Procedurës Penale, i cili mundëson suspendimin e zyrtarëve të lartë publikë, që kanë aktakuza të ngritura. Kanë qenë një sërë dokumentesh të cilat janë sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe një pjesë e tyre kanë hyrë në fuqi, mendoj që muajve në vijim do ta japin rezultatin e tyre në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se janë duke e fuqizuar edhe bashkëpunimin me Prokurorinë, me gjyqësorin e me Policinë dhe se beson që ky angazhim do të japë efektin e saj në luftën kundër korrupsionit.

“Për herë të parë ka ndodhur një reformë kaq e thellë, ku janë rritur dënimet për korrupsion, ku është bërë një ligj shumë i fuqishëm në konfiskim të pasurisë së paligjshme dhe për herë të parë është rritur numri i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, gjë që është shumë e rëndësishme”, ka shtuar ai.

Gashi: AKK-ja e Prokuroria kanë dështuar në punën e tyre

Derisa ministri Tahiri ka thënë për gazetën se kanë punuar në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend, deputetë nga opozita janë shprehur të pakënaqur me punën që është bërë deri tani.

Deputeti nga radhët e LDK-së Arben Gashi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, për Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka thënë për “Zërin” se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), si dhe Prokuroria e Shtetit kanë dështuar në punën e tyre në luftimin e kësaj dukurie.

Ai ka thënë se si komision tashmë disa herë kanë shtruar këtë çështje.

“Ky është fenomen që është prezent në Kosovë. Prokuroria dhe Agjencia Kundër Korrupsionit mendoj se kanë dështuar në punën e tyre. Çështja është ngritur me dhjetëra herë, por komisioni më shumë se kaq nuk mundet të bëjë. Janë institucionet e pavarura, si Policia, Prokuroria dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, që nuk kanë arritur të kryejnë detyrat e veta. Komisioni ka për detyrë vetëm t’i bëjë ligjet që ata kanë nevojë”, ka thënë ai.

Derisa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për luftimin e korrupsionit, Gashi ka thënë se ky problem është i brendshëm dhe se nuk ka pasur gatishmëri për ta trajtuar atë në mënyrën e duhur.

Smaka: Mosluftimi i korrupsionit po sanksionon qytetarët

Thirrjet e vazhdueshme nga ndërkombëtarët për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend janë vlerësuar si alarmante.

Njohësi i çështjeve ligjore në vend, Riza Smaka, ka thënë për “Zërin” se deri më sot nuk kanë pasur efekte thirrjet e ndërkombëtarëve, andaj edhe korrupsioni në vend nuk është luftuar fare.

“Askund në botë qeveritarët nuk pasurohen nga postet që i kanë e në vendin tonë pushtetarët janë pasuruar nga paraja e popullit të nëpërkëmbur. Korrupsioni ekziston, ai deri në ditët e sotme fare nuk është luftuar, vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Pushtetarët e kanë vënë në kontroll edhe Prokurorinë, edhe gjyqësorin e gjendja është edhe më tragjike, pra e para që ekziston korrupsioni dhe pastaj që përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare duhet të na thonë se korrupsioni e shkatërroi shtetin tuaj. Gjendja është alarmante”, ka thënë ai.

Smaka ka deklaruar se për shkak të mosluftimit të korrupsionit po sanksionohen qytetarët, të cilët nuk po munden të lëvizin lirshëm për shkak të mosliberalizimit të vizave.

“Sanksione janë këto që nuk lejohet liberalizimi i vizave dhe qytetarët tanë janë të mbyllur për fajin e udhëheqësve. Jemi vendi i vetëm në Ballkan që nuk kemi leje për të lëvizur të lirë. Prej sanksioneve po pësojnë qytetarët e rëndomtë e ata që janë të papunë”, ka thënë ai.

Baraliu: Nuk ka angazhim për luftimin e korrupsionit

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se përfaqësuesit e huaj vazhdimit janë duke dhënë sinjale se nuk do të tolerojnë mosluftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend.

Megjithatë, sipas tij, klasa politike në vend ende nuk është angazhuar në këtë drejtim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve.

“Përfaqësuesit e huaj kanë dhënë sinjale se nuk është e pranueshme kjo mënyrë e tolerimit të krimit dhe të korrupsionit. Kjo klasë politike nuk kupton prapë as me gjeste të tilla të distancimit dhe mospranimit të kësaj forme të sjelljes. Kjo është formë e reagimit të shteteve tona mike dhe është momenti i fundit që të vetëdijesohen qeveritë e ardhshme, sidomos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, e cilado qeveri ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë dhe veprimet e tilla janë të papranueshme”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë më tej se mosluftimi i korrupsionit do të ketë pasoja për Kosovën.

“Fatkeqësisht është evidente që në këtë vend asnjëra nga qeveritë nuk ka pasur angazhim serioz për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Ky është një kancer për ekonominë e Kosovës, për përparimin e Kosovës dhe me pasoja në vazhdim”, ka thënë ai./ZERI