Nesër pritet të nënshkruhet koalicioni i parë parazgjedhor

Nesër pritet të nënshkruhet koalicioni i parë parazgjedhor

Aktuale gusht 18, 2019 - 20:18
Lexo Detajet

Akoma pa u shpërndarë Kuvendi, partitë janë mobilizuar për të gjetur partner, që bashkë të shkojnë në zgjedhje. Një koalicion pritet të arrihet nesër.

Afërsitë mes AAK-së së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit është përfolur muaj më parë.

Express mëson se të hënën, më 21 gusht, pritet të zyrtarizohet marrëveshja e AAK-së dhe PSD-së për koalicionin parazgjedhor.

Kjo pritet të ndodhë vetëm një ditë para seancës ku pritet të shpërndahet Kuvendi.

Sipas burimeve të Expressit, marrëveshja e vë bartës të listës zgjedhore të këtij koalicioni Haradinajn, ndërsa menjëherë pas tij, numrin dy do ta mbajë kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Ahmeti e Haradinaj kanë pasur raporte miqësore viteve të fundit kur njëri po udhëhiqte Qeverinë, e tjetri Prishtinën.

Haradinaj, që dha dorëheqje gjatë këtij korriku pasi u ftua nga Gjykata Speciale, veçse ka nisur fushatën e tij zgjedhore, ndonëse një e tillë s’ka filluar zyrtarisht.

Ai po takon cdo ditë strukturat partiake dhe qytetarët, ndërsa shumë shpesh në profilin e tij në Facebook po poston për ato që Haradinaj i konsideron të arriturat e veta.

Ditëve të fundit ai e ka goditur direkt partnerin Kadri Veselin dhe presidentin Hashim Thaçi, me të cilët pati raporte që shënuan ulje e ngritje për dy vjet qeverisje me ta.

Partia Socialdemokrate në maj të vitit të kaluar iu bashkëngjitën shumë prej figurave kryesore të cilët u larguan nga  Lëvizja Vetëvendosje pas mospajtimeve me liderin e tanishëm, Albin Kurtin.

Përvec Ahmetit në listë zgjedhore priten të jenë edhe shumë deputetë të tjerë të PSD-së si Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, të cilët morën dhjetëra mijëra vota sa ishin në listën e LVV-së.

Ndërsa sondazhet e realizuara gjatë vitit të fundit nuk e rendisnin PSD-në në listën e partive që do ta kalonin pragun zgjedhor.