Zgjedhjet pa reformë, rrezik për manipulime
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet pa reformë, rrezik për manipulime

Aktuale August 09, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Reforma zgjedhore në Kosovë është iniciuar para tetë vjetëve dhe ende nuk ka përfunduar. Pas shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht 2019, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit të këtij viti, por që ende nuk është bërë pastrimi i listave të votuesve, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Për shkak të mospastrimit të listave të votuesve në disa raste ka pasur keqpërdorime në procesin e votimeve në zgjedhjet parlamentare e lokale në të kaluarën, për të cilën gjë ka pasur kritika të vazhdueshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

LEXO EDHE: Rikthehet gjuha denigruese para zgjedhjeve

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, që kanë përvojë në monitorimin e proceseve zgjedhore në vend, thonë se reforma zgjedhore vlerësohet të jetë dështimi më i madh i të gjitha legjislaturave që nga viti 2011.

Sipas tyre reforma zgjedhore nuk u konvenon liderëve politikë, për shkak se nuk do të ketë më vota klienteliste që blihen dhe kushtëzohen me vende të punës.

LDK-ja dhe AAK-ja: Reforma zgjedhore, e nevojshme

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se Ligji aktual për Zgjedhjet i mundëson keqpërdorimet në procesin e votimeve, prandaj reforma zgjedhore është e domosdoshme.

“Reforma zgjedhore është e domosdoshme. Ka pasur disa herë iniciativa, por partitë politike nuk kanë treguar një vendosmëri për ta kryer. Tani jemi para aktit të kryer, ne duhet të shkojmë në zgjedhje me Ligjin Zgjedhor që është në fuqi, por reforma është e domosdoshme. Mendoj se ligji aktual i mundëson keqpërdorimet”, ka thënë ai.

Selmanaj ka theksuar se Kosova ka nevojë për një proces të mirë zgjedhor.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” se ka nevojë për përmirësimin e procesit zgjedhor, megjithatë ka thënë se tashmë kur vendi po përgatitet për zgjedhje nuk është e mundur të përfundohet edhe reforma zgjedhore.

“Kosova ka nevojë për të përmirësuar procesin dhe procedurat e organizimit të zgjedhjeve. Pavarësisht se kishim një koalicion jolegjitim dhe një qeverisje të pakicës, me kërkesë edhe të BE-së, LDK-ja u bë pjesë e Komisionit Parlamentar për Përmirësimin dhe Forcimin e Procesit Zgjedhor. Në fakt, ne e morëm udhëheqjen e këtij procesi. Por në situatën që jemi tani, kur vendi po përgatitet për zgjedhje të reja, reforma zgjedhore nuk mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë më tej se përmes reformës zgjedhore procesi zgjedhor do të ishte më transparent, andaj edhe për shkak të transparencës do të eliminoheshin keqpërdorimet.

“Reforma zgjedhore tenton ta bëjë procesin më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent. Besoj se duke e bërë procesin më të thjeshtë ulet numri i votave të pavlefshme, që është shumë i lartë. Ndërkaq duke e bërë procesin transparent eliminohen burimet e keqpërdorimeve. Sidoqoftë, mbetet që kjo reformë të rifillohet në legjislaturën e ardhshme”, ka shtuar ai.

Haliti: Edhe në këto zgjedhje pa reformë

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se nëse vendi tani shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë do të shkohet pa reformë zgjedhore. Sipas tij, duhet një kohë më e gjatë për ta bërë reformën zgjedhore.

“Nuk ka se si të bëhet tani reforma zgjedhore. Ajo kërkon miratimin e ligjit në Parlament dhe ka procedurat e veta. Një reformë zgjedhore kërkon besoj tre deri në gjashtë muaj afat dhe kërkon një konsensus mes partive politike për ta përmirësuar Ligjin e Zgjedhjeve. Kjo merr një kohë të caktuar. Për të bërë reformë do të duhej ose një qeveri e re, ose një qeveri teknike”, ka thënë ai.

Haliti ka theksuar se vendi ka nevojë që domosdoshmërish të bëjë reformë zgjedhore, në mënyrë që t’i përmirësojë të metat, të cilat i ka Ligji Zgjedhor.

“Ne kemi qenë nismëtarë para kësaj legjislature. Ne patëm filluar ta bëjmë Ligjin për Zgjedhjet. Komisioni pati punuar, por ka mbetur si e papërfunduar dhe pastaj janë shpallur zgjedhjet. Kosova ka nevojë që domosdoshmërish të bëjë reformë zgjedhore, me qëllim që t’i përmirësojë të metat, të cilat i ka Ligji Zgjedhor. Procesi zgjedhor po krijon shumë herë situata të pakëndshme edhe në raportet e brendshme të partive, por edhe në raportet parti me parti. Edhe pas zgjedhjeve po ndodhin situata”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate ka thënë për gazetën “Zëri” se tashmë që pesë vjet është kërkuar që të bëhet reforma zgjedhore.

Ai ka përmendur edhe mërgatën, me ç’rast ka thënë se ky proces do të duhej të thjeshtëzohej në mënyrë që sa më shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë.

Alija: Pa reformë do të ketë më shumë vota klienteliste

Reforma zgjedhore vlerësohet të jetë dështimi më i madh i legjislaturave në vend që nga viti 2011. Kështu së paku ka deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend Rasim Alija, i cili ka thënë për “Zërin” se pastrimi i listës së votuesve, informimi i votuesve e disa pika të tjera do të mundë të bëheshin pjesë e reformës zgjedhore.

Sipas tij, me dhjetëra grupe punuese e me qindra dokumente që adresojnë rekomandimet mbi reformën zgjedhore vazhdojnë të mos merren parasysh në Kosovë.

“Nuk ka pasur dhe nuk ka vullnet nga liderët e subjekteve politike për ta përfunduar reformën zgjedhore. Pastrimi i listës votuese, edukimi dhe informimi i votuesve, ndryshimi i mënyrës së numërimit të votave, dekriminalizimi i listës së kandidatëve, e thjeshtësimi i fletëvotimeve për ta ulur numrin e fletëvotimeve të pavlefshme janë vetëm disa nga pikat që do të mundë të bëheshin në kuadër të reformës zgjedhore që do të prekte vetëm këtë çështje teknike. Ndërsa reforma zgjedhore, e cila prek sistemin zgjedhor, është shumë më komplekse dhe do të duhej të punohet për një kohë më të gjatë”, ka thënë ai.

Alijaj ka theksuar se jo vetëm që reforma zgjedhore është e nevojshme si proces i rishikimit të sistemit zgjedhor, por në rastin e Kosovës ajo është jetike për forcimin demokratik të institucioneve që burimin e legjitimitetit e kanë te zgjedhjet.

Ai ka thënë se kësaj radhe më shumë se herëve tjera në vend do të ketë vota klienteliste, të blera e të kushtëzuara nga vendet e punës.

“Me të njëjtat ligje e të njëjtin sistem zgjedhor i kemi mbajtur edhe zgjedhjet e vitit 2010 dhe ato të vitit 2017. Zgjedhjet e vitit 2010 kanë qenë vjedhje industriale e votës, ndërsa ato të 2017-s kanë qenë me integritet dhe më demokratike. Ngritja e vetëdijes dhe mobilizimi i Prokurorisë, i gjykatave, i Policisë dhe i PZAP-it ka bërë që gjatë viteve të bjerë numri i krimeve elektorale. Ndër vite është vërtetuar që kur situata para zgjedhjeve është e tensionuar në aspektin politik dhe dikush e sheh se po i lëkundet fuqia elektorale, subjektet politike i kanë aktivizuar strukturat parapolitike, duke i manipuluar zgjedhjet”, ka thënë Alija.