Rikthehet gjuha denigruese para zgjedhjeve

Rikthehet gjuha denigruese para zgjedhjeve

Aktuale August 09, 2019 - 07:53
Lexoni detajet
Image

Dorëheqja e kryeministrit ka aktivizuar partitë politike në mobilizimin për zgjedhjet e reja, por përfaqësuesit e tyre nuk po bëjnë garë konkurruese për programe dhe ide, përkundrazi po merren me individë të caktuar të partive kundërshtare. Në këtë drejtim ata nuk po e kursejnë veten nga përdorimi i gjuhës urrejtëse dhe denigruese, duke e rrezikuar kështu integritetin e procesit zgjedhor, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit (më 19 korrik) partitë politike në Kosovë kanë nisur të mobilizohen për zgjedhjet e reja.

Pavarësisht faktit se ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur mund të organizohet një proces i ri zgjedhor, përfaqësuesit e subjekteve politike kanë filluar ta godasin opinionin me deklarime elektorale, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Në anën tjetër zyrtarë të opozitës kanë konsideruar se tentimet për zgjedhjen e një kryeministri të ri pa shkuar fare në zgjedhje janë duke vazhduar ende, pavarësisht faktit se është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit. Por megjithëkëtë përfaqësuesit e partive tashmë kanë ashpërsuar gjuhën ndaj njëri-tjetrit.

Thumbimet, akuzat, kundërakuzat, ofendimet, janë disa prej veçorive që po i karakterizojnë deklarimet e zyrtarëve të lartë të partive politike ditëve të fundit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se politikanët kosovarë fillojnë ta ashpërsojnë gjuhën ofenduese ndaj kundërshtarëve të tyre atëherë kur nuk kanë se çka të ofrojnë te votuesit. Por kjo gjuhë me nuanca të urrejtjes, siç shprehen ata, rrezikon integritetin e procesit zgjedhor, minon sigurinë dhe potencialisht mund të nxisë përplasje në elektorat.

Deklarata të ashpra kundrejt njëri-tjetrit

Janë bërë disa javë prejse përfaqësuesit e LVV-së dhe të LDK-së kanë paralajmëruar një bashkëpunim të mundshëm para zgjedhjeve, ndonëse edhe vetë ata e kanë pranuar se një gjë e tillë është shumë e vështirë të ndodhë.

Derisa ka komentuar këto zhvillime deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka kritikuar ashpër liderin e LVV-së Albin Kurtin, i cili para pak ditësh i propozoi LDK-së koalicion parazgjedhor. Demaliaj nuk e ka kursyer as kreun e LDK-së, Isa Mustafën, të cilin e ka krahasuar me një figurë mitologjike, e cila simbolizonte të keqen.

“Hirushja (Albin Kurti), i mashtruar si fëmijë pas pushtetit, ka rënë nën kthetrat e shtrigës (Isa Mustafa). Shumë fmijaq dhe lehtë i mashtrueshëm për pushtet në shtetin që as vetë nuk e njeh njësoj sikur fqinji verior”, ka deklaruar Demaliaj para pak ditësh.

I pyetur nga gazeta “Zëri” se pse e ka bërë një krahasim të tillë dhe pse nuk ka përdorur argumente për t’i kritikuar dy liderët opozitarë, deputeti i AAK-së duke mos u përgjigjur ka thënë shkurt se ka përdorur një prej figurave stilistike letrare. “Gjithçka është metaforike. E dinë ata vetë”, është shprehur Demaliaj.

I ashpër në deklarimet e tij është treguar edhe deputeti i LVV-së Sami Kurteshi. Para pak ditësh ai ka komentuar sërish dorëheqjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit, me ç’rast ka thënë se arsyetimi i tij për dorëheqjen paraqet një gënjeshtër me brirë dhe të kulluar, asgjë më shumë.

“Dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar, rrenë e kulluar, kalkulim perfid e mashtrues politik”, ka deklaruar Kurteshi.

Por pa i thumbuar zyrtarët e LVV-së nuk ka qëndruar as ministri në dorëheqje i Drejtësisë, i cili vjen nga PDK-ka, Abelard Tahiri. Pak para se të caktohej seanca për shpërndarjen e Kuvendit Tahiri ka thënë se lideri i LVV-së ka zgjedhur Palestinën si destinacion për t’i ikur realitetit.

“Vetëvendosja, si subjekt edhe ashtu i thyer, në kohën kur duhet të shpërndahet Kuvendi përfaqësuesit e saj kanë zgjedhur plazhin e lideri i tyre shpirtëror ka zgjedhur Palestinën si destinacion për t’i ikur realitetit”, ka theksuar ai.

Menjëherë pas kësaj Tahirit i është kundërpërgjigjur deputeti i LVV-së Salih Zyba, i cili ka thënë se atij tashmë po i fundoset barka. “Ish-sekretari i Thaçit, tash që po i fundoset barka, ka filluar ta shohë detin kudo”, ka shkruar Zyba në profilin e tij në “Facebook”.

Nga përdorimi i gjuhës së ashpër nuk ka shpëtuar as deputeti i pavarur Milaim Zeka. Ditëve të fundit dy zyrtarë të Nismës ai i ka cilësuar si kancer të një partie tjetër. “Jakup Krasniqi dhe Bilall Sherifi kanë qenë kanceri i brendshëm i PDK-së. Këta kanë qenë sebepi i të gjitha përçarjeve në atë parti. Gjithashtu kanë qenë edhe partizanët kryesorë të çdo konflikti edhe me partitë e tjera”, ka deklaruar Zeka.

Gjuha ofenduese, praktikë e disa politikanëve

Gjuha denigruese e përdorur nga ana e deputetëve dhe e zyrtarëve të tjerë të partive politike sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile ka të bëjë me kalkulimin e subjekteve për ta mobilizuar elektoratin e tyre dhe për t’i shmangur debatet substanciale rreth ofertave, duke u bazuar në ide dhe në programe.

Liria e grumbullimit dhe e veprimit politik është e garantuar dhe në emër të kësaj sipas Ismet Kryeziut, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), subjektet politike janë duke zhvilluar aktivitete partiake me karakter elektoral. Por shpërfaqja e gjuhës denigruese sipas tij mund të sjellë pasoja në drejtim të procesit të ri zgjedhor.

“Gjuha denigruese dhe me nuanca të urrejtjes, e cila shkel moralin, etikën dhe ligjet kundër diskriminimit, rrezikon integritetin e procesit zgjedhor, minon sigurinë dhe potencialisht mund të nxisë përplasje në elektorat”, ka deklaruar për gazetën Kryeziu.

Ndërkohë Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se përdorimi i gjuhës denigruese tanimë është bërë praktikë mes partive politike.

Një gjë e tillë sipas tij nuk po ndodh vetëm pse vendi duket të jetë afër një procesi të mundshëm zgjedhor, por raste të tilla ka pasur në vazhdimësi edhe gjatë seancave të Kuvendit. Megjithëkëtë fushata e nisur para kohe sipas Eminit e ka intensifikuar edhe më tej fjalorin denigrues.

“Përpos gjuhës ofenduese, disa individë të partive politike kanë filluar edhe sulme verbale që shpesh janë të natyrës personale. Pas dorëheqjes së kryeministrit partitë politike tashmë kanë filluar fushatën jozyrtare duke u takuar me struktura të partisë dhe me këtë edhe është shpeshtuar gjuha denigruese”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Kur partitë politike nuk kanë se çka të ofrojnë te votuesit, sipas Eminit fillojnë ta ashpërsojnë gjuhën ofenduese ndaj kundërshtarëve të tyre.

Gjobat dhe sanksionet i kontribuojnë ambientit zgjedhor

Lidershipi partiak, i cili ka fuqinë e ndikimit më të madh te qytetarët, sipas Ismet Kryeziut do të duhej që përmes nënshkrimit të një kodi të mirësjelljes të zotohej publikisht për respektimin e vlerave, të cilat janë të domosdoshme për një mjedis të sigurt zgjedhor.

“Gara në mes të partive duhet të zhvillohet konform standardeve etike, morale dhe ligjore. Kjo do ta mundësonte marrjen e besimit qytetar përmes një gare konkurruese për programe e ide dhe jo përmes gjuhës denigruese, e cila mund të jetë nxitëse për dhunë”, është shprehur ai.

Një praktikë të tillë sipas Kryeziut do të mundë ta rregullonin vetëm gjobat dhe sanksionet e ndryshme që do të viheshin nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Gjobat dhe sanksionet e tjera nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e Ligjit kundër Diskriminimit dhe Rregullave të Zgjedhjeve janë një instrument i cili mund t’i kontribuojë një ambienti më të sigurt zgjedhor, edhe një përgjegjësie më të madhe në përdorimin e gjuhës gjatë fushatës zgjedhore”, ka nënvizuar ai.

Ndërkohë Shpend Emini ka konsideruar se partitë politike duhet t’i lënë anash inatet dhe të përqendrohen drejt tejkalimit të krizës politike në vend.

“Kosovës tashmë i nevojitet një konsensus politik dhe çdo fragmentim i vazhdueshëm i spektrit politik mund ta largojë vendin nga zhvillimet kryesore, që ndërlidhen me proceset integruese dhe me vonesat në zhvillimin e ekonomik të vendit”, ka nënvizuar drejtori ekzekutiv i D4D-së.