Qëndrimi i ndërkombëtarëve pas dorëheqjes së kryeministrit
Foto: Laura Hasani

Qëndrimi i ndërkombëtarëve pas dorëheqjes së kryeministrit

Aktuale July 24, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Zyrtarë të Ambasadës së Gjermanisë, të Ambasadës së Britanisë së Madhe, të Ambasadës së Zvicrës dhe nga Zyra e BE-së në Prishtinë janë pyetur nga gazeta “Zëri” nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare ose të gjendet një mandatar i ri pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, për shkak të ftesës për intervistim në Hagë nga prokurori i specializuar, zyrtarë të ambasadave të huaja që veprojnë në Kosovë po kërkojnë që sa më shpejt të formohet një Qeveri funksionale, siç kanë thënë ata, për ta vazhduar dialogun me Serbinë.

Megjithatë, ndërkombëtarët kanë refuzuar të përgjigjen konkretisht nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç po kërkon kryeministri dhe shumica e partive parlamentare në vend, ose ta formojë një qeveri teknike për t’ia hapur rrugën dialogut Prishtinë - Beograd, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se Kosova i ka disa sfida para vetes, të cilave duhet t’u gjendet zgjidhje, duke vënë theksin në dialogun Kosovë - Serbi.

Kësisoj Ambasada ka theksuar nevojën që Kosova sa më shpejtë të ketë një Qeveri funksionale. “Kosova vazhdon të ketë përballë sfida të rëndësishme politike, në veçanti dialogun politik me Serbinë dhe reformat e brendshme politike. Është e rëndësishme që vendi së shpejti ta ketë një Qeveri funksionale”, theksohet në përgjigjen e Ambasadës për “Zërin”.

Zyrtarë të Ambasadës së shtetit më të fuqishëm në BE kanë shtuar se e respektojnë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe vendimin e kryeministrit Haradinaj që për shkak të ftesës dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka kontaktuar edhe me Zyrën e BE-së në Kosovë, por ata nuk kanë dashur të komentojë nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose drejtuesit e koalicionit qeverisës ta propozojnë një mandatar të ri për kryeministër.

“Ne marrim parasysh vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të lënë detyrën sipas arsyeve të letrës së tij të dorëheqjes. Ne nuk kemi ndonjë koment tjetër në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasada e Britanisë së Madhe: Institucionet të vendosin për zgjedhje të parakohshme ose për mandatar të ri

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, në një përgjigje për “Zërin”, është shprehur se në bazë të Kushtetutës së Kosovës janë institucionet e vendit ato të cilat duhet të vendosin nëse duhet të mandatohet një kryeministër i ri ose duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Kushtetuta e Kosovës qartëson procesin që duhet ndjekur në rastin e dorëheqjes së kryeministrit dhe për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Në dritë te kësaj kjo është çështje për të cilën duhet të vendosin institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për “Zërin”.

Gjithashtu Ambasada Britanike ka theksuar se janë njoftuar për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj dhe arsyen pse ai e ka lënë këtë pozitë, por duke mos e komentuar këtë dorëheqje.

“Jemi në dijeni se zoti Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si kryeministër i Kosovës. Do të vazhdojmë t'i ndjekim zhvillimet nga afër. Jemi në dijeni edhe për deklaratën e zotit Haradinaj se ai është thirrur në Hagë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Kjo është çështje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe nuk do të ishte me vend të komentojmë më shumë në këtë kohë”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës.

Ambasada e Zvicrës: Të veprohet në pajtim me Kushtetutën

Ndërsa pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, nga Ambasada e Zvicrës në Prishtinë i kanë thënë “Zërit” se institucionet e Kosovës të veprojnë në linjë me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

“Ambasada e Zvicrës merr parasysh dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga funksioni i kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ne u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve institucionalë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi. Jemi të bindur se institucionet shtetërore vazhdojnë të funksionojnë dhe do të trajtojnë në mënyrë efektive nevojat e popullit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Partitë kërkojnë zgjedhje

Drejtuesit e partisë opozitare Lëvizjes Vetëvendosje, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë ditës së djeshme është shprehur se nuk do të pranojnë Qeveri teknike edhe nëse një gjë e tillë do të ishte kërkesë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë për një Qeveri teknike. Krejt këtij sistemi të cilin e ka instaluar qeveria ‘Haradinaj’ përmes një keqqeverisje të paparë më herët mendoj që duhet t’i japim fund dhe kësaj mund t’i japim fund vetëm përmes zgjedhjeve të reja në Kosovë. Ne do ta refuzonim çfarëdo opsioni të një qeverie e cila do të ndodhte pa zgjedhje. Ajo për të cilën më së shumti kanë nevojë qytetarët e Kosovës është freskimi i legjitimitetit të pushtetit në Kosovë”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se Aleanca është e gatshme për zgjedhje dhe nuk është pro krijimit të një qeverie të përkohshme.

“Unë nuk besoj që do të ketë parti politike e cila do të pranojë një qeveri teknike, sepse ka pasur mundësi që edhe gjatë kësaj qeverisjeje të bashkohet faktori politik për vendimet e mëdha për të cilat kemi bërë apel. Nuk ka pasur gatishmëri të spektrit politik për të qenë bashkë dhe për t’i përfillur këto tema, që aq fuqishëm ka luftuar për to Haradinaj. Ne nuk e kemi një qëndrim të tillë për një qeveri teknike, megjithatë të gjitha vendimet merren në Kryesinë e partisë”, ka thënë ajo.

Paçarizi: Qeveria e përkohshme formohet vetëm nëse përkrahet nga SHBA-ja e BE-ja

Analisti politik dhe profesori universitar Rrahman Paqarizi ka thënë për “Zërin” se përveç zgjedhjeve të parakohshme, siç ka thënë ai, në lojë janë edhe opsionet tjera, të cilat priten të kristalizohen çdo ditë e më tepër që zvarritet shpërndarja e Kuvendit.

Ai thotë se krijimi i një qeverie të përkohshme, e cila do t’i jepte mundësi rifillimit të dialogut, është opsion real nëse do të kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose nga Bashkimi Evropian.

“Një qeveri e përkohshme do të jetë e vështirë, por është opsion real nëse sponsorohet nga SHBA-ja dhe BE-ja, me qëllim të vazhdimit të dialogut. Megjithatë, ka shumë faktorë që i pengojnë partitë politike që t'i hyjnë një aventure të tillë, pasi do të dëmtoheshin në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Paqarizi.

Sipas tij, aktualisht është koha e përshtatshme që vendi të shkojë në zgjedhje, por vetëm nëse partitë politike garojnë të vetme dhe jo në koalicion me njëra-tjetrën.

“Zgjedhjet do të kishin kuptim nëse do të ishin të ndershme, që do të thotë partitë politike të garonin veç e veç e jo përmes koalicionesh parazgjedhore. Kosova ka vuajtur nga qeveritë e pakicës dhe definitivisht kemi nevojë të shohim se cili është subjekti më i madh politik në Kosovë dhe ai të marrë përgjegjësitë për udhëheqjen e vendit. Kalkulimet me koalicione parazgjedhore i shoh të dëmshme dhe mashtruese”, ka shtuar ai.