Mungojnë medikamentet, shtyhen operacionet në QKUK

Mungojnë medikamentet, shtyhen operacionet në QKUK

Aktuale July 19, 2019 - 08:03
Lexoni detajet
Image

Klinika e Kirurgjisë Abdominale, ajo e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe Urologjia në fillim të kësaj jave është dashur t’i shtyjnë operacionet si pasojë e mungesës së medikamentit kundër dhimbjeve “Fentanyl” (opioid sintetik), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Nehat Baftiu, e ka pohuar për “Zërin” se në këto tri klinika, për shkak të mungesës së furnizimit me “Fentanyl”, kanë rënë prej programit operacionet.

Përndryshe, ai ka thënë se ditën e martë të kësaj jave janë furnizuar me këtë medikament.

LEXO EDHE: Dridhje e fortë e koalicionit

“Ne prej ditës së martë jemi furnizuar mirë dhe nuk kemi probleme me ‘Fentanyl’, por dy ditët e kaluara kemi pasur disa salla që e kanë harxhuar sasinë e ‘Fentanyl’-it dhe kemi pasur mungesë të tij. Ditën në të cilën nuk ka pasur ‘Fentanyl’ kanë rënë vetëm tri salla. Kemi pasur sasi të limituar dhe kanë rënë sallat që nuk kanë pasur ‘Fentanyl’. Ka rënë Urologjia, Kirurgjia e Fëmijëve dhe Kirurgjia Abdominale, të tjerat kanë punuar me kapacitete të plota”, ka thënë ai.

Baftiu ka thënë se edhe në Klinikën e Anesteziologjisë kanë pasur disa herë gjatë këtij viti mungesë të barnave.

Edhe klinikat tjera të QKUK-së gjatë këtij viti e po ashtu edhe gjatë vitit që lamë pas kanë pasur probleme të tilla me furnizim.

Gjatë vitit të kaluar disa herë janë anuluar operacionet në Klinikën e Urologjisë, për shkak të mungesës së barnave, derisa probleme me shtyrjen e operacioneve ka pasur edhe Klinika e Gjinekologjisë në QKUK.

Për shkak të mungesës së “Fentanyl”-it shtyhen operacionet e rënda

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, ka treguar për gazetën “Zëri” se për shkak të mungesës së “Fentanyl”-it ata kanë operuar fillimisht rastet e lehta e më pastaj me të ardhur furnizimi i kanë operuar rastet e rënda. “

Tashmë është normalizuar gjendja, por dje ka qenë vetëm mëngjesi problematik, diku nga ora 10:30 ka filluar prapë programi. Ne e kemi bërë një kombinim dhe nuk kemi lënë që të bjerë programi. E kemi ndërruar formën, kemi pasur operacionet e rënda në fillim e pastaj të lehtat, ndërsa ne kemi filluar me operacionet e lehta derisa na ka ardhur terapia”, ka thënë ai.

Sallahu ka treguar se probleme me furnizim kanë pasur gjatë ditës së martë dhe gjatë ditës së premte. “Dita e premte ka qenë problematike dhe dita e martë, por s’kemi pasur telashe më herët”, ka shtuar ai.

“Zëri” ka kontaktuar edhe drejtorin e Kirurgjisë së Fëmijëve, por drejtuesit e kësaj të fundit nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës.

QKUK: Programi operativ është realizuar në tërësi

Derisa në disa reparte janë shtyrë operacionet, ka pasur edhe klinika ku programi i operacioneve ka shkuar ashtu edhe siç është planifikuar.

Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se në këtë klinikë nuk është anuluar asnjë operacion.

Ai ka thënë se momentalisht kanë furnizim me “Fentanyl”. “Në Klinikën e ORL-së ka furnizim dhe Klinika nuk ka asnjë anulim të operacioneve të planifikuara. Gjithçka është në funksion për momentin”, ka thënë ai.

Përndryshe, nga Zyra për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për gazetën se në të gjitha sallat operative është punuar. “Zyra për informim në QKUK ju njofton se nga konfirmimi i drejtorit të Klinikës së Anestezionit dhe klinikave tjera në QKUK, në të gjitha sallat është punuar dhe programi operativ është realizuar në tërësi”, ka thënë ajo.

Rugova: Shqetësuese mungesa e medikamentit

Shtyrjen e operacioneve e kanë parë si shqetësuese anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se me anë të medikamentit “Fentanyl” kryhen disa intervenime të ndryshme kirurgjike, andaj edhe mungesa e tij është shqetësuese.

Ai ka thënë se si anëtarë të Komisionit për Shëndetësi disa herë kanë ngritur shqetësimet e tyre për këto mungesa.

“LDK-ja e në veçanti ne si anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kemi ngritur disa herë shqetësimet tona. Mungesa e ‘Fentanyl’-it është tejet shqetësuese kur dihet që është një medikament pa të cilin nuk mund të bëhen disa lloje të intervenimeve kirurgjike në QKUK. Kjo është një papërgjegjësi e kësaj qeverie dhe e këtij ministri, i cili bën vetëm veprime kozmetike, kurse profesionistët shëndetësorë ballafaqohen me mungesa të medikamenteve themelore dhe të materialit shpenzues”, ka thënë ai.

Rugova ka thënë më tej për “Zërin” se pacientët që u nënshtrohen intervenimeve kirurgjike duhet që 80 për qind të medikamenteve t’i blejnë vetë.

“Për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, edhe ne si deputetë, por edhe si pacientë të mundshëm, që në secilin repart të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) po të kërkohet një ndihmë mjekësore, medikamentet duhet të blihen nga xhepi i pacientit e fatkeqësisht edhe po t’i nënshtrohesh një intervenimi kirurgjikal duhet t’i blesh 80 për qind të medikamenteve, qoftë edhe dorëzat për kirurgët e të mos flasin për llojet e penjve”, ka shtuar ai.