Dridhje e fortë e koalicionit
Foto: Laura Hasani

Dridhje e fortë e koalicionit

Aktuale July 19, 2019 - 08:00
Lexoni detajet
Image

Akuzat e shefit të PDK-së Kadri Veselit në drejtim të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, në kohën kur opozita po tenton ta rrëzojë Qeverinë, po shihen si tendencë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Partnerët e koalicionit qeverisës po vazhdojnë goditjet ndaj njëri-tjetrit ende pa e përfunduar gjysmën e mandatit.

Ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se është pro idesë që taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës të pezullohet, nëse do të ishte e nevojshme që t’i hapte rrugë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Përpos kësaj, Veseli e ka akuzuar partnerin e koalicionit, kryeministrin Ramush Haradinaj, se komunikimi i tij me Amerikën nuk po dallon me komunikimin që ka me Serbinë, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Deklaratave të Veselit u është kundërpërgjigjur Haradinaj, duke u shprehur se përveç vendosjes së taksës ai kishte guxuar t’u thotë “Jo” të gjithë atyre që kishin bërë plane për ndarjen e Kosovës.

Këto përplasje njohësit e çështjeve politike i shohin si sinjale për rrëzim të Qeverisë nga ana e PDK-së dhe shkuarje të vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

PDK: Qëndrojmë prapa deklaratave të Veselit, por s’e kemi në agjendë rrëzimin e Qeverisë

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pohojnë se qëndrojnë prapa deklaratave të liderit të tyre Kadri Veselit lidhur me Qeverinë dhe me kryeministrin Haradinaj, porse, siç thonë ata, rrëzimin e Qeverisë nuk e kanë në agjendë.

“Realisht PDK-ja nuk e ka në agjendë ta rrëzojë Qeverinë, por e ka në agjendë përmbushjen e objektivave të Qeverisë dhe kërkesave të qytetarëve. Kjo është agjenda jonë dhe ne i përkrahim deklarimet e zotit Veseli”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa.

Ai potencoi se qëndrimet e ndryshme brenda koalicionit dhe nganjëherë edhe përplasjet e ndihmojnë Qeverinë që të avancojë.

“Edhe në koalicion gjërat e ndryshme vetëm sa japin zhvillim, i avancojnë proceset, sepse nuk është në interes të Qeverisë që të gjithë të jenë me një zë, por duhet të kenë ide të ndryshme. Koalicioni aktual ka shumë subjekte dhe kanë agjenda të ndryshme, por si Qeveri në këtë rast e kemi një agjendë të përbashkët dhe besojmë se me atë program do të shkojmë deri në fund”, ka shtuar ai.

AAK: Jemi të gatshëm për zgjedhje

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, është shprehur se partia e saj nuk do të ndikohet nga deklaratat e partnerëve të koalicionit. Por ajo thekson se nëse nga pozita kanë synim që ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj”, AAK-ja asnjëherë nuk ka qenë më e gatshme për zgjedhje.

“Ne jemi gati kurdo që ndodhin zgjedhjet. Kushdo që ka një synim të tillë i themi që jemi gati, qoftë nga opozita, por edhe brenda pozitës. Nëse ka interes për të shkuar në zgjedhje, Aleanca kurrë nuk ka qenë më e fuqishme”, ka thënë ajo.

Haxhiu shtoi se Haradinaj ka mbajtur qasje direkte, e cila nuk u ka pëlqyer shumë personave, por që ky është qëndrimi i AAK-së, që interesi i shtetit të vendoset para interesit të subjektit politik.

“Mendimet janë demokratike, mund të mendojnë ndryshe, por ai që vendos është kryetari i Qeverisë dhe i cili megjithatë nuk ka marrë vendime krye në vete, por me të gjithë anëtarët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku bëjnë pjesë të gjitha subjektet politike. Të gjitha këto reagime kanë ardhur për shkak të qasjes së Haradinajt, i cili është i drejtë dhe jo lajkatar”, ka shtuar ajo.

Opozita: PDK-ja nuk e kursen as këtë Qeveri, shpesh e ka rrëzuar edhe veten

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, duke folur për “Zërin” është shprehur se Partia Demokratike nuk e ka pasur asnjëherë problem ta rrëzojë Qeverinë, ndonëse në të ka marrë pjesë edhe ajo. Sipas Kurteshit, një gjë e tillë mund të ndodhë edhe kësaj here, por që zgjedhjet e ardhshme PDK-në do ta çojnë në opozitë.

“Mospajtimet mes koalicionit nuk janë të reja dhe për shkak të tyre edhe rrëzimi i Qeverisë nga ana e PDK-së është i mundur. Por kësaj here diçka substanciale ka ndryshuar. PDK-ja shpesh e ka rrëzuar edhe vetveten dhe partnerët e koalicionit, sepse e ka ditur që edhe në zgjedhjet tjera do të mbetet në pushtet. Mirëpo kësaj here shkuarja në zgjedhje të reja do të thotë edhe ndryshim substancial i atyre që do ta udhëheqin vendin. Jam shumë i sigurt që PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë në opozitë”, ka thënë Kurteshi.

Më tutje ai theksoi se këtë Qeveri po e mbajnë në këmbë interesat vetanake të partnerëve të koalicionit dhe jo interesat e qytetarëve.

“Ata në Qeveri po i mbajnë interesat të cilat janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës. Prandaj do të duhej që sa më parë të përfundojë qeverisja e kësaj qeverie, të shkojmë në zgjedhje dhe të shohim se për kë po përcaktohen qytetarët. Duke u bazuar në atë që po dëgjojmë çdo ditë, qytetarët janë shumë të zhgënjyer dhe janë shumë pro ndryshimeve të Qeverisë”, ka deklaruar Kurteshi.

Alija: Përplasjet mes Haradinajt e Veselit do të rezultojnë me zgjedhje

Njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, ka thënë për gazetën “Zëri” se që nga marrja e mandatit raportet mes partnerëve të koalicionit kanë qenë të ngrira dhe se sipas tij nga ana e PDK-së Haradinaj është menduar si njeri i menaxhueshëm, por që nuk u ka dalë i tillë dhe si duket kjo po paraqet problem, i cili mund të rezultojë në zgjedhje të parakohshme.

“Disa herë koalicioni ka qenë në prag të rrëzimit nga vetë partnerët në qeverisje. Me gjasë kryeministri i vendit është menduar si njeri i menaxhueshëm nga PDK-ja, por nuk ka dalë të jetë i tillë. Qëndrimet e kryeministrit për korrigjimin e kufijve, qëndrimet e tij për taksën, për autostradën e Dukagjinit, për listat e veteranëve e për raportet e tij me presidentin e vendit janë vetëm disa nga veprimet të cilat kanë dhënë presion në PDK-në e Veselit. E të gjitha këto duket që produkt final do t’i kenë zgjedhjet e parakohshme”, ka potencuar Alija.

Mirëpo ai thekson se dilema ende qëndron se si do të rrëzohet Qeveria dhe si do të duket ajo e ardhshmja.

“Shumë më e rëndësishme do të jetë mënyra se si do të rrëzohet Qeveria dhe pamja e Qeverisë së ardhshme. Kjo e fundit është lehtë e arritshme, por duhet marrëveshje për qeverisjen e ardhshme. Opsionet janë me shumë të panjohura, por një pjesë e mirë e të panjohurave do të hiqet pas përfundimit të zgjedhjeve në LDK. Kryetari/ja e re e LDK-së dhe përbërja e re e Kryesisë do të jenë në masë të madhe edhe përcaktues për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme”, ka shtuar ai.