Pushimi i deputetëve s’e bllokon rrëzimin e Qeverisë
Foto: Laura Hasani

Pushimi i deputetëve s’e bllokon rrëzimin e Qeverisë

Aktuale July 10, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që shumë shpejt të shkojnë në pushimin e verës. Ndonëse me Rregulloren e Punës parashihet që një gjë e tillë të ndodhë më 1 gusht, ditëve të fundit ka pasur deklarime të atilla që deputetët mund ta nisin pushimin qysh nga data 15 korrik e këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Megjithëkëtë zyrtarë të Kryesisë së Kuvendit i kanë thënë gazetës “Zëri” se ende nuk është vendosur data finale e pushimit, ndonëse kanë pohuar se me marrëveshje të grupeve parlamentare pushimi mund të merret më herët se që e përcakton Rregullorja.

Por përfaqësuesit e opozitës e kundërshtojnë një opsion të tillë, pasi sipas tyre ka shumë çështje e pika të mbetura, të cilat duhet të përfundojnë para pushimit.

LEXO EDHE: Ministria dhe opozita, 'luftë' për Ushtrinë

Meqë aktualisht ka një dështim total të menaxhimit të punës së Kuvendit, sipas zyrtarëve të opozitës vendi sa më parë duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Por ani pse pushimi i Kuvendit po afrohet, ata nuk e shohin problem rrëzimin e Qeverisë, pasi thonë se mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme në momentin që bëhen numrat e nevojshëm për një gjë të tillë.

Haliti: Nëse ka marrëveshje mund të shkohet më herët në pushim

Teksa ka thënë se ende nuk është marrë vendimi final për shkuarjen e deputetëve në pushim, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti (PDK), ka pohuar se pushimi mund të merret para datës 1 gusht.

“Me rregullore Kuvendi shkon në pushim nga një gushti deri në mesin e shtatorit. Megjithatë, nëse ka marrëveshje në mes grupeve parlamentare mund të shkohet edhe më herët, ashtu siç edhe mund të fillojë më herët, do të thotë para afatit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Gjersa ka folur rreth punës së Kuvendit, Haliti ka fajësuar opozitën për bllokim të seancave parlamentare.

“Ata janë të zgjedhur e të paguar për të qenë në seanca, për të votuar, për të marrë pjesë në komisione dhe për të marrë pjesë në debate. Sabotimi i qëllimshëm i votimit dhe i seancave do të duhej të sanksionohej nga kryetari e nga Kryesia e Kuvendit”, ka shtuar ai.

Opozita: Kuvendi ka punuar shumë pak

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se legjislatura e tanishme nuk ka arritur që ta përmbushë planin legjislativ. Përkundrazi, sipas tij, kryetari e Kryesia kanë dështuar totalisht në këtë drejtim.

“Muajt e fundit kemi pasur 3-4 seanca të rregullta, kanë ngecur pika të seancave edhe nga muaji janar që ende janë të papërfunduara. Prandaj informacioni që Kuvendi do të shkojë në pushim në gjysmën e korrikut është një taktikë e radhës e partnerëve të koalicionit, të cilët e kanë humbur shumicën në Kuvend e që nuk mund të procedojnë asnjë ligj dhe nuk mund të bëjnë as kuorum pa opozitën”, ka deklaruar ai.

Ditëve të fundit ka pasur deklarime të atilla se deputetët mund të shkojnë në pushim më 15 korrik, për arsye se do të ketë renovim në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Por kjo sipas Rugovës paraqet vetëm një arsyetim dhe dështim të koalicionit qeverisës për ta çuar përpara agjendën legjislative. “Emëruesi i përbashkët i punës së legjislaturës aktuale që nga konstituimi është dështimi total i menaxhimit të punës së Kuvendit”, ka theksuar ai.

Kurse deputeti i LVV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se nuk duhet të paraqitet asnjë arsyetim që ta shkurtojë kohën e punës së Kuvendit. Sipas tij, Parlamenti i Kosovës asnjëherë nuk ka punuar më pak se gjatë këtij sesioni.

“Kuvendit nuk i kanë sjellë punë ministritë, edhe ministritë kanë qenë në një lloj gjumi, ani pse për këtë vit ishin paraparë disa ligje që të vinin në Kuvend, por nuk kanë ardhur”, ka shtuar ai.

LDK e LVV: Mocioni mund të ngrihet edhe në pushim

Pavarësisht faktit që Kuvendi pritet të shkojë në pushim së shpejti, Naser Rugova ka thënë se kjo nuk paraqet problem për ta rrëzuar Qeverinë në rast se arrihen numrat e mjaftueshëm.

“Rregullorja e Punës parasheh thirrjen e seancave të jashtëzakonshme, me 40 nënshkrime seanca mund të thirret edhe në kohë pushimesh dhe në momentin që i sigurojmë 61 vota do të procedojmë përpara dhe ta largojmë këtë Qeveri”, ka potencuar deputeti i LDK-së.

Edhe Ismajl Kurteshi ka thënë se çështja e rrëzimit të Qeverisë nuk ndërlidhet me çështjen e pushimit.

“Ne ende nuk i kemi 61 vota, që janë kusht për ta rrëzuar Qeverinë dhe jam shumë i sigurt se në momentin që i bëjmë 61 vota kjo nuk lidhet as me pushim, para ose pas, por lidhet me përkrahjen, kur t’i bëjmë votat sigurisht do ta ngremë mocionin dhe do ta rrëzojmë Qeverinë”, ka potencuar Kurteshi.

Kurse Xhavit Haliti, nga PDK-ja, ka thënë se mocion për rrëzimin e Qeverisë mund të ketë vetëm në dy mënyra, por që asnjëra sipas tij nuk do të realizohet aktualisht.

“Opozita kur i ka 61 vota dhe përmes mocionit e rrëzon ose nëse Qeveria kërkon votëbesim për veten e saj. As njëra, as tjetra s’po ndodhin, prandaj Qeveria duhet t’i kryejë detyrat e veta”, ka theksuar ai.

E njohësi i çështjeve politike Artan Murati ka thënë se deputetët mund të kthehen nga pushimi për ta rrëzuar Qeverinë në momentin që i bëjnë numrat e nevojshëm.

“Nuk është e ndaluar për t’u kthyer në Kuvend asnjëherë, as gjatë muajit gusht, se në momentin që i bëjnë numrat e nevojshëm deputetët mund ta thirrin një seancë të jashtëzakonshme dhe në bazë të asaj ta çojnë përpara mocionin”, ka theksuar Murati.