Ministria dhe opozita, 'luftë' për Ushtrinë
Foto: Laura Hasani

Ministria dhe opozita, 'luftë' për Ushtrinë

Aktuale July 10, 2019 - 07:58
Lexoni detajet
Image

Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj prejse tri projektligjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë votuar në Kuvendin e Kosovës, derisa pak ditë më vonë këto ligje hynë edhe zyrtarisht në fuqi. Mirëpo partitë opozitare, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, po e kritikojnë qeverinë “Haradinaj” për mospërmbushjen e planit operativ për transformimin e Ushtrisë, gjegjësisht për bllokim të këtij procesi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njësoj vlerësojnë edhe ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, të cilët kanë theksuar se janë evidentuar vonesa në organizimin dhe në funksionalizimin e FSK-së sipas misionit të ri.

LEXO EDHE: Tahiri: Mogherini e nisi mirë, e përfundoi keq

Sipas tyre, çështja e ristrukturimit është dashur të rregullohet brenda tremujorit të parë pas votimit të Ushtrisë, si dhe është dashur që Shtabi i FSK-së të veçohej, të formësohej me një aktivitet ushtarak, në mënyrë që të shihej se si mund të funksionojë me detyra shtesë ushtarake.

Pavarësisht kritikave të opozitës lidhur me funksionalizimin e Ushtrisë së Kosovës, nga Ministria e Mbrojtjes po e mohojnë se janë duke shkelur afatet ligjore për transformimin e FSK-së në ushtri.

Zyra për Informim e kësaj ministrie i ka thënë “Zërit” se procesi i transformimit është duke shkuar në bazë të planifikimeve të bëra.

“Procesi gradual i tranzicionit të FSK-së ka filluar menjëherë pas hyrjes në fuqi të pakos së ligjeve për FSK-në dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. FSK-ja do t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit 2019-2029”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.
Sipas tyre, në 120-ditshin e parë të transformimit janë kryer të gjitha planet e parapara.

“Në kuadër të Fazës së Parë të Tranzicionit 2019-2021 janë përcaktuar veprimet që do të merren gjatë 120 ditëve të para. Gjatë këtyre 120+ ditëve është planifikuar përgatitja e nevojshme administrative për hapat e radhës. Këto veprime janë kryer me sukses dhe ndër të tjera përfshijnë aprovimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së, miratimin e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes, rregulloren e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe dekretimin e simbolet e FSK-së, gradat e oficerëve dhe të nënoficerëve, flamujt e njësive nga presidenti i vendit”, thuhet më tutje aty.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, faza e dytë e transformimit fillon nga viti 2022 deri më 2024-n dhe përfshin përmirësimin dhe modernizimin e komandës, të kontrollit dhe të komunikimit, të pajisjeve individuale dhe kolektive, si dhe krijimin e kapaciteteve të reja.

Ndërsa Faza e Tretë, që fillon nga viti 2025 e deri më 2029-n, parasheh që të gjitha komandat të arrijnë kapacitetet e plota me personel dhe me pajisje, si dhe të përmbyllet zbatimi i Planit Gjithëpërfshirës të Transicionit.

Duke folur për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, deputeti i LDK-së Naser Rugova për “Zërin” ka theksuar se pavarësisht se ky proces merr kohë, Qeveria sipas tij ka ngecur në zhvillimin e planit operativ.

“Ne e dimë që institucionet e Kosovës e në veçanti institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë duhet t’i përmbushin kriteret që i parashohin standardet e ushtrive moderne anëtare të NATO-s, atëherë këtu ka ngecje dhe nuk po arrihen objektivat e vëna. Qeveria aktuale nuk po e merr seriozisht përmbushjen e standardeve evropiane sa i përket Ushtrisë”, ka thënë Rugova. Ndërkohë sipas tij procesi i transformimit të FSK-së në ushtri është proces kompleks dhe kërkon gati një dekadë deri në finalizim.

Kurse eksperti i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, duke folur për transformimin e FSK-së në ushtri për “Zërin” ka thënë që Qeveria aktuale nuk po menaxhon si duhet procesin e transformimit. Kësisoj sipas tij tashmë janë shkelur afatet kohore të parapara për këtë gjashtëmujor.

“Ajo që është thënë vazhdimisht nga zyrtarë të Ministrisë së FSK-së dhe nga shtabi i FSK-së ka qenë që ata i kanë bërë të gjithë përgatitjet paraprake për transformimin e FSK-së në forca të armatosura të Kosovës, mirëpo mund të them në bazë të asaj që kemi vërejtur deri më sot se këtu ka disa ngecje. Disa gjëra janë bërë, mirëpo disa kanë ngecur, me vetë faktin që edhe pas votimit të projektligjeve u tha se duhen tre muaj deri në formimin e plotë të Ushtrisë. Kjo ishte dobësia më e madhe, sepse është thënë se në ditën kur janë aprovuar ligjet është dashur vetëm të bëhet aktivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë ai.