Heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet i BE-së për këtë vit

Heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet i BE-së për këtë vit

Aktuale June 26, 2019 - 10:44
Lexoni detajet

Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj. Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” eurodeputetja Tanja Fajon, e cila ka premtuar se do të vazhdojë me të bërit presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre, shkruan Gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka vlerësuar se në bazë të raporteve të BE-së del se Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE.

“Duke marrë për bazë konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së, si dhe raportin vlerësues të Komisionit Evropian 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE. Raporti identifikoi si çështje parësore dhe imediate arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe depolitizimin e institucioneve publike”, ka thënë ai për "Zërin".

Po ashtu, sipas tij, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili vlerësohet në stadin krejtësisht fillestar për anëtarësim në BE në dy fushat më të rëndësishme, si gjyqësori dhe të drejtat themelore, si dhe në sigurimin e në lirinë e qytetarëve të saj.

Shasha ka theksuar se Kosova për t’u bërë anëtare e BE-së ka ende një rrugë të gjatë para vetes.

“Në aspektin afatshkurtër Kosova duhet t’i adresojë prioritetet imediate politike, siç janë: arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimi i bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresi i ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe depolitizimin e institucioneve publike. Kurse në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë Kosova duhet të fokusojë gjithë vullnetin politik në ndërmarrjen e reformave në sundimin e ligjit, të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, në përmirësimin e sistemit arsimor dhe në adresimin e situatës alarmante në fushën e mjedisit”, ka shtuar ai.

Kurse duke folur për heqjen e vizave ai ka vlerësuar se aktualisht janë disa faktorë, të cilët janë duke penguar këtë proces, siç është mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Po ashtu sipas tij çështja e liberalizimi të vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019, si dhe ka mungesë të vullnetit politik për liberalizim të vizave brenda BE-së. /ZERI

Image