Qeveria nuk ia ka frikën mocionit të opozitës
Foto: Laura Hasani

Qeveria nuk ia ka frikën mocionit të opozitës

Aktuale June 01, 2019 - 07:55
Lexo tjera detaje
Image

Ndonëse duhen edhe 3 nënshkrime për ta ngritur mocionin e votëbesimit dhe për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, deputetët e koalicionit qeverisës nuk po ndihen të rrezikuar nga kjo nismë, sipas tyre opozita nuk do të arrijë t’i mbledhë votat. Për ta çuar deri në fund këtë iniciativë partitë opozitare theksojnë se nuk do t’i kërkojnë votat e Listës Serbe, por as nuk do t’i kundërshtojnë ato kur mocioni të ngrihet në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ka kohë që partitë opozitare kanë shprehur pakënaqësi me punën e qeverisë “Haradinaj”. Së fundmi ato kanë vendosur ta marrin edhe hapin final për ta ndalur funksionimin e kësaj qeverie. Me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, opozita është bashkuar rreth një qëllimi, ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Madje deri tani partitë opozitare kanë theksuar se kanë mbledhur 58 nënshkrime të deputetëve të opozitës. Ndonëse votat e Listës Serbe do të mjaftonin që të rrëzohej Qeveria, opozita është shprehur se nuk do t’i kërkojë ato, por as nuk do t’i kundërshtojë nëse do të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë në Kuvend. Edhe pse duhen vetëm edhe 3 vota për t’i dhënë fund Qeverisë, deputetët e koalicionit nuk ndihen të rrezikuar, ata kanë deklaruar se opozita nuk do të arrijë t’i mbledhë votat e nevojshme. Ndërsa njohës të çështjeve politike kanë përmendur dy alternativa që do ta bëjnë mocionin të suksesshëm, shkruan gazeta "Zëri".

Pozita: Qeveria është stabile, nuk rrezikohet nga mocioni

Deputetë të koalicionit qeverisës janë shprehur për “Zërin” se nuk ka rrezik nga mocioni i mosbesimit të opozitës. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, theksoi se Qeveria nuk frikësohet nga nisma e opozitës, e cila sipas tij nuk do të arrijë t’i mbledhë votat.

“Tash është një nismë e mbledhjes së nënshkrimeve, në njëfarë forme për të kërkuar shkarkimin e Qeverisë, por nuk besoj që mund të ndodhë kjo. Nuk besoj që do të mund të mbledhin aq vota sa duhen për ta shkarkuar Qeverinë, por megjithatë Qeveria është stabile dhe funksionale. Nuk i frikësohemi këtij mocioni, absolutisht jo! Unë jam optimist që kjo qeveri do ta çojë mandatin deri në fund, por normalisht që edhe Qeveria duhet të reflektojë dhe ta përmirësojë kualitetin dhe shpejtësinë e punës”, ka deklaruar ai. Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se nuk ka rrezik që dikush nga koalicioni qeverisës të japë vota për rrëzim të Qeverisë. “Është e njëjta situatë që nga fillimi i punës së qeverisë ‘Haradinaj’, nuk ka asnjë ndryshim dhe opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Tash për tash koalicioni vazhdon të jetë stabil, ta kryejë punën e tij dhe nuk ekziston rreziku që dikush nga koalicioni t’i japë votat”, shtoi ai.

Unifikohet opozita, mblidhen 58 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për medie gjatë ditës së premte ka bërë të ditur se kanë siguruar 58 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë.

Deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, theksoi se 58 votat e siguruara janë të partive opozitare. Ajo bëri të ditur se opozita nuk do t’i kërkojë votat e Listës Serbe, por as nuk do ta kundërshtojë vullnetin e kësaj partie. .

“Ne i kemi mbledhur 58 nënshkrime, por këto janë vetëm vota të opozitës. Ne nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë një gjë, kur vendoset mocioni në votim ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individualë. Ne nuk i përzihemi vullnetit të asnjë deputeti pavarësisht etnisë që i takon. Target në aspektin pozitiv janë deputetët e partive në pushtet, që po shprehin mospajtime me mënyrën sesi po qeveriset me Kosovën”, ka potencuar ajo, shkruan gazeta "Zëri".

Gjatë së premtes edhe shefat e partive opozitare kanë rënë dakord në harmonizimin e tekstit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ftoi të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët e pavarur ta mbështesin mocionin.

Dy opsionet për rrëzimin e Qeverisë

Analisti politik Rasim Alija e ka parë me skepticizëm nismën e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Në një përgjigje për “Zërin” Alija është shprehur se ekzistojnë dy opsione që do të mundë ta bëjnë mocionin e suksesshëm.

“Vullneti i opozitës i kërkon edhe numrat në Kuvend e këta numra është problem të sigurohen nga opozita në këtë moment. Mundësitë e opozitës janë që të sigurojë numrat nga Nisma dhe si rezultat të sigurohen 61 vota për rrëzimin e Qeverisë. Opsioni i dytë mbetet rrëzimi i Qeverisë nga vetë PDK-ja. E kjo ka gjasa të ndodhë pas Samitit të Parisit e para daljes së Kuvendit në pushimin veror”, ka deklaruar ai.

Alija theksoi se të dyja këto opsione do të kërkojnë marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike, që sipas tij do të reflektohen edhe në qeverisjen e ardhshme. Në rast të zgjedhjeve të parakohshme Alija potencoi se ekzistojnë disa alternativa se kush mund të jenë koalicionet e ardhshme që do të udhëheqin me vendin.

“Një koalicion i mundshëm është ai ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, por nuk përjashtohet mundësia që në rast të zgjedhjes së Lutfi Hazirit si kryetar i LDK-së të ketë edhe një koalicion PDK-LDK. Ndërsa Nisma, PSD-ja e AAK-ja në të gjitha variantet do të mbeten subjekte që do të jenë përcaktuese se cila nga tri subjektet e mëdha do t’i prijë koalicionit të ardhshëm e rrjedhimisht edhe Qeverisë”, ka thënë Alija./ZERI