Të arrestuarit në veri dyshohen për kontrabandë me ushqime, pije dhe kafshë
Foto: Laura Hasani

Të arrestuarit në veri dyshohen për kontrabandë me ushqime, pije dhe kafshë

Aktuale May 30, 2019 - 08:00
Lexo Detajet
Image

Të martën e kësaj jave u arrestuan 19 zyrtarë policorë në veri të Kosovës nën dyshimin për “Kontrabandim të mallrave”, për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për “Marrje të ryshfetit” dhe për “Tregti të ndaluar”, shkruan gazeta "Zëri".

Pos pjesëtarëve të Policisë, në aksionin e realizuar para dy ditësh të arrestuar përfunduan edhe 11 qytetarë. Nga Prokuroria Speciale kanë thënë për gazetën “Zëri” se grupi i të arrestuarve dyshohet se ka kontrabanduar mallra të ndryshme, duke nisur nga ushqimet, pijet alkoolike, joalkoolike e deri te kafshët.

Punonjësit policorë që janë arrestuar sipas Prokurorisë Speciale dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë punës së tyre, duke i ndihmuar një grupi kontrabandistësh.

LEXO EDHE: Raporti i KE-së nuk përmend heqjen e vizave, por heqjen e taksës

Ndërkohë, si vazhdim i aksionit të së martës gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe një zyrtare policore (B. T.) në Zubin Potok. Përmes një komunikate për medie Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se operacionit të së martës dhe arrestimit të djeshëm i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe i PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Organizimi i strukturuar i grupit që dyshohet për kontrabandim

Gjersa ka pohuar se personat e arrestuar gjatë së martës në veri dyshohen për “Kontrabandim të mallrave” e për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka bërë të ditur se në mesin e mallrave të kontrabanduara hyjnë gjërat ushqimore, pijet e ndryshme dhe kafshët. “Në atë pjesë janë kontrabanduar mallra të ndryshme, duke filluar prej gjërave ushqimore, pijeve alkoolike, joalkoolike e deri te kafshët. Ka qenë një grup shumë i strukturuar mirë dhe në mënyrë të organizuar ka vepruar, për atë punë edhe e kemi shkuar me veprën penale të ‘Krimit të organizuar’”, ka theksuar Hoxha gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Zyrtarët policorë, siç ka bërë të ditur ai, e kanë keqpërdorur pozitën duke i ndihmuar një grupi kontrabanistësh. “Shumica prej tyre u tha që janë zyrtarë policorë dhe këta e kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë punës së tyre, duke u ndihmuar kontrabandistëve, duke ua lehtësuar punën dhe sigurisht edhe duke përfituar, duke marrë prej tyre”, ka theksuar Sylë Hoxha.

I pyetur se sa ka qenë sasia e mallrave të kontrabanduara, Hoxha ka thënë se ende nuk dihet sasia e saktë. “Nuk e kemi tash sasinë se jemi në grumbullim të provave. Nuk i kemi grumbulluar të gjitha gjërat”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, i kontaktuar për detaje rreth aksionit antikontrabandë, zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, duke mos dhënë hollësi, ka thënë shkurt se tashmë janë bërë publike të gjitha informatat rreth kësaj çështjeje. “Lidhur me këtë rast të gjitha detajet janë bërë të ditura përmes konferencës zyrtare, po ashtu janë përfshirë detaje dhe për veprat penale edhe përmes komunikatave zyrtare”, ka deklaruar Kelani.

Ministrat e konsiderojnë të suksesshëm aksionin në veri

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për “Zërin” se është i kënaqur me punën që është bërë në drejtim të parandalimit dhe ndalimit të kontrabandës me mallra. “Gjithmonë kam deklaruar se jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën që janë duke e bërë djemtë dhe vajzat e organeve të zbatimit të ligjit, edhe në parandalimin e kontrabandës, edhe në marrjen e informacioneve për mundësi të kontrabandës, njëkohësisht edhe me reagimin që ka ndodhur dje me qëllim të parandalimit të kontrabandës së mundshme dhe ndalimit të atyre personave të cilët tentojnë që në kundërshtim me ligjet të fusin mallra në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Shala.

Megjithëkëtë, Shala nuk ka pranuar të japë informacione se për ç’mallra të kontrabanduara bëhet fjalë. “Pyeteni Policinë, është drejtësia ajo e cila është duke u marrë me të, organet e zbatimit të ligjit, pyetni ato, Prokurorinë e Policinë. Nuk mund të flas unë për rastet e tilla, se kjo është çështje që e kryejnë organet e zbatimit të ligjit”, ka deklaruar ministri i Tregtisë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se nuk mund të jepen më shumë informata nga ato që tashmë janë thënë. “Herët është për t’i dhënë disa informata. Janë pak konfidenciale për çka bëhet fjalë, për çka është në pyetje”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë Mustafa e ka cilësuar të suksesshëm operacionin e së martës, i cili u realizua në shtatë komuna të Kosovës, katër në veri dhe tri në jug. “Operacioni ka qenë shumë i suksesshëm, ka qenë i planifikuar qysh moti për t’u realizuar, i hetuar mirë nga Inspektorati Policor dhe është realizuar së bashku me dy dikasteret në mënyrë perfekte”, ka potencuar ai për gazetën.

Gjersa ka folur rreth operacionit të kryer para dy ditësh, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do të amnistohen, por do të luftohen deri në fund.

IKD: Operacioni në veri s’paraqet pasqyrën reale të luftës antikorrupsion

Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se IKD-ja e ka mirëpritur aksionin antikontrabandë, ku është arrestuar një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë dhe i qytetarëve. Por megjithëkëtë, sipas tij, nuk mund të thuhet që ky operacion paraqet pasqyrën reale të luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. “Sidoqoftë ky rast nuk mund të përdoret si i vetëm për të konkluduar se paraqet pasqyrën reale të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në veri e aq më pak në nivel vendi. Në anën tjetër ky aksion ka treguar se në rastet kur ka vullnet politik institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së Republikës së Kosovës kanë resurse të mjaftueshme për të zhvilluar operacione të tilla, vullnet që për këtë rast shihet se ka munguar deri tash”, ka potencuar Shala.

Gjersa është deklaruar rreth aksionit të kryer në veri para pak ditës, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka deklaruar sërish se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen tavolinës së bisedimeve. Në të kundërtën sipas saj ekziston rreziku i kthimit të forcave të konfrontimit. “Ajo që ndodhi dje na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tavolinën e dialogut dhe të pasojnë me marrëveshje obliguese. Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje obliguese, pasi i tërë rajoni përfiton. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese mund të dalin në çdo moment. Për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”, ka theksuar të mërkurën Mogherini./ZERI