Raporti i KE-së nuk përmend heqjen e vizave, por heqjen e taksës

Raporti i KE-së nuk përmend heqjen e vizave, por heqjen e taksës

Aktuale May 30, 2019 - 07:51
Lexo Detajet
Image

Komisioni Evropian ka publikuar dje Paketën Vjetore të Zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Në raport nuk përmendet heqja e vizave për Kosovën, por kërkohet heqja e taksës 100%. Në anën tjetër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, shkruan gazeta "Zëri".

Komisioni Evropian (KE) ka publikuar dje Dokumentin e Strategjisë së Zgjerimit dhe Raportin për Kosovën për vitin 2019, i cili nuk përmend heqjen e vizave nga Bashkimi Evropian, por kritikon institucionet vendore për taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, si dhe kritikon numrin e madh të zëvendësministrave në Qeveri.

Me rastin e prezantimit të këtij raporti shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka potencuar se të gjeturat kryesore të vendit në këtë raport tregojnë se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave kyçe të BE-së, duke përmirësuar sundimin e ligjit. Megjithatë, ajo e ka vlerësuar si të gabuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. “Rruga përgjatë BE-së është me pengesa për fat të keq. Raporti i Kosovë në frymën e balancës pasqyron sfidat e vazhdueshme me të cilat përballet vendi. Funksionimi i Kuvendit minohet nga një mjedis i politizuar politik, nga mungesa e kuorumit në Kuvend e nga vonesa në aktivitete. Pastaj shpesh vendimet nga Qeveria nuk janë as në linjë me frymën e as me ligjet e saj. Tarifa 100 për qind minon përpjekjet rajonale dhe nuk është e qëndrueshme. Shpresojmë që kjo të kalohet”, ka theksuar ajo.

Apostolova ka pasur kritika edhe për emërimet e pamerituara në baza politike, si dhe për, siç ka thënë ajo, emërimin e kriminelëve të luftës në pozita të larta, të cilin e ka quajtur kundër vlerave evropiane.

Hahn: Gjatë qershorit do të bëj përpjekje për heqjen e taksës

Pas publikimit të Dokumentit të Strategjisë së Zgjerimit dhe të Raportit për Kosovën, komisionari për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka kërkuar që Kosova ta heqë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Në një konferencë të mbajtur në Bruksel Hahn ka deklaruar se gjatë muajit qershor do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë për të bërë përpjekje që ta zhbllokojë situatën e krijuar në mes të të dyja vendeve. “Kosova duhet të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe duhet ta heqë taksën 100 për qind. Në qershor unë do ta bëj edhe një përpjekje tjetër për ta zhbllokuar këtë situatë, duke shkuar në këto dy vende. Serbia duhet të përcaktojë një ambient për marrëveshje obliguese me Kosovën”, ka thënë ai.

Të njëjtën kërkesë e pati edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila pohoi se heqja e taksës do t’i jepte mundësi dialogut Kosovë - Serbi.

“Mendoj që rajoni ka zgjidhjen e vet dhe kjo përfshin edhe Kosovën, edhe Serbinë. Mendoj që udhëheqja dhe popullata duan të ecin përpara drejt marrëveshjeve që rregullojnë marrëdhëniet. Do ta kërkoja ta hiqnin taksën ndaj produkteve serbe. Jam e sigurt që bisedimet do të vazhdojnë”, ka potencuar ajo.

Mogherni ka përmendur edhe aksionin e së martës të Policisë së Kosovës në veri, me ç’rast ka thënë se ka tendenca të së kaluarës për konfrontim. “Ajo që ka ndodhur në veri na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në dialog dhe të pasojnë me marrëveshje obliguese. Unë besoj që ajo që ka ndodhur dje rikujtohet për ne se ne jemi për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Në përgjithësi e dimë se tendencat e së kaluarës për konfrontim që nuk janë bashkëpunuese mund të dalin në çdo moment. Jemi në një udhëkryq”, ka shtuar ajo.

Veseli pranon Raportin e KE-së nga Apostolova, kërkon heqjen e vizave

Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian e ka pranuar dje edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Dorëzimi i raportit u bë nga Nataliya Apostolova, e cila para Veselit e cilësoi si raport të mirë.

Mirëpo pas pranimit të raportit kryekuvendari Veseli kërkoi nga Bashkimi Evropian heqjen e vizave, meqë në raport është vlerësuar se janë përmbushur kushtet. “Kosova është e përkushtuar në progresin e integrimin në BE. Lufta për korrupsion do të jetë e pakompromis. Kosova e ka një synim dhe ai është integrimi në NATO e në Bashkim Evropian. Ne presim nga Apostolova që me parlamentin e ri edhe qytetarëve të Kosovës t’u njihet e drejta legjitime që të lëvizin lirshëm. Ne do të marrim përgjegjësi. Jemi të vetëdijshëm për kritikat dhe ende kemi shumë për të përmirësuar”, ka thënë ai.
 

Haradinaj nuk pranon ta heqë taksën

Pas kryeparlamentarit Veseli, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim gjatë ditës së djeshme shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila ka pranuar Raportin e Komisioni Evropian për vitin 2019 për Kosovën.

Edhe pse Haradinajt edhe një herë iu kërkua heqja e taksës, ai pas takimit me Apostolovën ka thënë se nëse nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë, taksa nuk do të hiqet. “Së bashku me ministren Dhurata Hoxha e pranuam Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2019. Në javën që vjen kemi rënë dakord me ministren për ta ftuar Këshillin Ndërministror për Integrime Evropiane për ta analizuar Raportin. Është Raport me të nxjerra të përziera, ka kritika edhe për taksën. Ne mendojmë se është koha që të deklarohet edhe Serbia, edhe Kosova nëse jemi të gatshëm për një marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje vazhdon gjendja ekzistuese”, ka thënë ai.

Ndërsa ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, e cila po ashtu mori pjesë në takim me shefen e Zyrës së BE-së Apostolovën, ka thënë se raporti ka evidentuar shumë të arritura të Kosovës. Ajo foli edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast tha se pret që qytetarët të lëvizin lirshëm.

Ndërsa Apostolova, derisa ka paraqitur progresin që ka arritur Kosova, para Haradinajt ka përmendur edhe numrin e madh të ministrave dhe të zëvendësministrave./ZERI