Prokurori Rexhep Maqedonci ngreh aktakuzë për një armë lodër

Prokurori Rexhep Maqedonci ngreh aktakuzë për një armë lodër

Aktuale April 19, 2019 - 15:49
Lexoni më shumë detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në shkurt të këtij viti, kishte ngritur aktakuzë ndaj Matej Markaj, duke e akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Por, vetëm pak muaj pas ngritjes, prokurori i rastit, Rexhep Maqedonci ka hequr dorë nga kjo aktakuzë, pasi ka dal se arma për të cilën akuzohej Markaj, nuk ka qenë e vërtetë.

Një gjë e tillë është thënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas shikimit dhe analizimit të shkresave të lëndës, prokurori Maqedonci ka deklaruar se për një armë të tillë nuk kërkohet leje, dhe se sipas tij, aktakuza është ngritur pa u bërë ndonjë ekspertizë.

Ai ka thënë se një armë e tillë, quhet armë pneumatike, dhe mund të blihet vetëm me letërnjoftim.

Heqja dorë nga kjo aktakuzë, është bërë pasi që në këtë seancë fillestare, i akuzuari Markaj, ka thënë se armën që e ka poseduar ka qenë lodër dhe se atë e kishte blerë për dhuratë, duke shtuar se nuk ka tentuar ta fshehë dhe as ta keqpërdorë.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Minir Hoti ka marr aktvendim me të cilin e ka hudhur aktakuzën dhe ka pushuar procedurën ndaj të akuzuarit Matej Markaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 20 shkurt 2019, Matej Markaj, akuzohej se me 8 qershor 2018, rreth orës 21:20, gjatë një kontrolli nga policia kufitare, në autobusin e kompanisë “Erhi Tours”, në valixhe i është gjetur një armë-pistoletë “ASG” me kalibër 6 milimetër, prodhim tajvanez, të cilën e ka konfiskuar policia.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.