13 muaj pa asnjë njohje
Foto: Laura Hasani

13 muaj pa asnjë njohje

Aktuale March 27, 2019 - 07:48
Lexoni detajet e fundit

 

Image

Kosova nuk është njohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet për më shumë se një vit, përderisa Serbia po punon vazhdimisht për të siguruar çnjohje të reja. Opozita dhe analistët vlerësojnë se përpos diplomacisë kosovare të dobët shtetet hezitojnë ta njohin Kosovën për shkak të deklaratave për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Zeri.

Hapja e idesë për korrigjim të kufijve dhe zhvillime të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë ka bërë që Kosovën për një vit e dy muaj të mos e njohë asnjë shtet, derisa njohja e fundit ka ndodhur në prag të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, më 15 shkurt të vitit 2018, nga Barbadosi. Kështu të paktën vlerësojnë opozita e vendit dhe njohës të çështjeve ndërkombëtare, të cilët thonë po ashtu se diplomacia kosovare është e dobët dhe e paorganizuar, prandaj sipas tyre numri i njohjeve është ulur drastikisht., shkruan më tutje "Zëri". 

Pa i përfshirë edhe çnjohjet që i ka paralajmëruar pala serbe e që janë kundërshtuar fuqishëm nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri më tani Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete.

Në vitin 2012 Kosovën e kishin njohur 12 vende, në vitin 2017 dy, ndërsa në vitin 2018 ka ndodhur vetëm një njohje.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë duke punuar për të siguruar njohje të reja, mirëpo sipas tyre kjo është një sfidë për ta për shkak të skepticizmit të madh të disa shteteve. 

. Në vitin 2012 Kosovën e kishin njohur 12 vende, në vitin 2017 dy, ndërsa në vitin 2018 ka ndodhur vetëm një njohje. Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë duke punuar për të siguruar njohje të reja, mirëpo sipas tyre kjo është një sfidë për ta për shkak të skepticizmit të madh të disa shteteve.

MPJ-ja thotë se po punon për njohje të reja, e quan sfidues tërë procesin

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka thënë për “Zërin” që institucionet e Kosovës po i kundërshtojnë me sukses përpjekjet dhe lobimin serb ndaj shtetësisë së Kosovës.

“Ne kemi kundërshtuar me sukses përpjekjet serbe për të revokuar njohjen e Kosovës në muajt e fundit dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi ndaj përpjekjeve serbe që kanë synim për të dëmtuar qëndrimin e Kosovës ndërkombëtarisht. Pra ne nuk komentojmë se çfarë thotë Daçiq, por punojmë në terren me vendet për të forcuar angazhimin bilateral të Kosovës dhe pozitën e saj multilaterale. Ky është qëllimi ynë dhe puna vazhdon më tutje”, ka theksuar ajo.

Vuniqi ka paralajmëruar njohje të reja, teksa ka shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar në lobimin për njohje të shtetësisë së Kosovës.

"Ministria dhe ministri personalisht janë plotësisht të angazhuar në procesin e njohjes së Kosovës. Samiti i Ministrave të Jashtëm të OBI-së ishte një platformë e mirë për të lobuar më tej, ku u takuan me shumë ministra të jashtëm të shteteve anëtare. Ne gjithashtu kemi vizituar disa vende që janë në proces të njohjes së Kosovës dhe disa prej tyre po finalizojnë procedurat e brendshme. Por puna po bëhet drejtpërdrejt me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Ndërkohë ajo ka thënë që MPJ-ja është duke punuar me disa vende për të shpejtuar procesin e njohjeve te vendet që kanë për disa arsye hezitim për të njohur Kosovën, ndaj sfidat janë më të mëdha.

Opozita kritikon institucionet kosovare për mosnjohje të reja

Deputetja nga Partia Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” që debati për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka bërë që shumë shtete të hezitojnë ta njohin Kosovën si shtet. Sipas saj, pa përfunduar dialogu mes dy vendeve nuk do të rritet numri i njohjeve ndaj Kosovës.

“Njohjet janë zvogëluar për faktin se kohëve të fundit në botë Kosova është në një pikë të diskutimeve ndërkombëtare për një zgjidhje finale me Serbinë. Kjo i ka bërë disa vende që të presin për të parë se cila është kjo zgjidhje e sidomos fakti që është përmendur edhe ndryshimi i kufijve, pra njëra prej arsyeve mund të jetë kjo”, ka thënë Pantina.

Sipas saj, faj për mosnjohje të reja ka edhe diplomacia kosovare, e cila ka ngecur në këtë proces.

“Edhe institucionet tona, ato që e mbulojnë diplomacinë, kanë ngecur me lobimin për njohje, derisa në anën tjetër Serbia ka qenë shumë aktive, bile edhe destruktive në integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë për gjithë këto vite, duke përfshirë edhe lobimin kundër njohjeve ndërkombëtare”, ka potencuar ajo.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj, nga LDK-ja, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë që Qeveria e Kosovës ka stagnuar në njohje dhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, gjë që sipas tij ndikon që të krijohet një imazh i keq për Kosovën në botë.

“Qeveria në fillim të mandatit kishte proklamuar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës me njohje të reja dhe me anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e rajonale, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. Nga ajo që ka ndodhur treguesit janë se kemi përkeqësim të imazhit të Kosovës, tërheqje të njohjeve dhe mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare e rajonale”, ka thënë ai.

Krejt kjo sipas Zemajt e dëmton pozicionin e Kosovës karshi shteteve mike të saj.

Kryeziu: Hapja e idesë për ndryshim të kufijve ka stagnuar njohjet e reja

Edhe Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” që diskursi politik që përfshin idenë për korrigjim të kufijve ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka bërë që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën të hezitojnë edhe më shumë për këtë proces.

“Diskursi rreth idesë së shkëmbimit të territoreve ka shkaktuar konfuzitet, polarizim të skenës politike vendore, si dhe mosunifikim të faktorit ndërkombëtar mbi këtë pikë për shkak të hapjes së temës së territorit, që krahas ushtrimit të pushtetit në të dhe popullsisë përbëjnë tri elemente bazë për njohjen e shtetësisë së një vendi”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, nuk është dashur të hapet kjo temë, sepse ka ndikuar që të zbehet fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Vlerësoj se nuk është dashur të hapet kjo temë, që ka penguar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe ka rikthyer rolin e Serbisë si vend përcaktues në definimin e shtetësisë së Kosovës, kjo është shuplakë fytyrës për 116 vende që kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufij. Pa u ndryshuar ky diskurs nuk mund të ketë përmirësim në sferën e njohjeve ndërkombëtare”, ka shtuar Kryeziu.

Kryeziu vlerëson që si i rezultat i zhvillimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë numri i njohjeve të bjerë dukshëm. Kryeziu ka theksuar se kjo vërehet nga fakti që në vitin 2012 kemi pasur 12 njohje, në vitin 2017 dy njohje dhe në vitin 2018 vetëm një njohje.