Shoferët e dehur, spitalet s’kanë instrument për matje të alkoolit në gjak
Foto: Laura Hasani

Shoferët e dehur, spitalet s’kanë instrument për matje të alkoolit në gjak

Aktuale March 26, 2019 - 07:54
Lexo Detajet
Image

Gjatë gjysmës së parë të këtij muaji (mars) Policia e Kosovës ka shqiptuar 102 gjoba për shoferët, të cilët kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit. Ndonëse është e vërtetuar se nga ngasja e automjetit nën ndikim të alkoolit janë shkaktuar shumë aksidente në komunikacion, institucionet publike shëndetësore në vend nuk posedojnë ndonjë instrument, i cili e mat saktë nivelin e alkoolit në gjak, shkruan gazeta "Zëri".

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, ka konfirmuar për “Zërin” se nuk mund ta matin saktësisht nivelin e alkoolit në gjak. “Matja e alkoolit në gjak është njëra prej lëshimeve shumë të mëdha në gjithë sektorin edhe publik, edhe privat, pasi matja nuk bëhet tamam në gjak. Me gjithë këto ndeshje të komunikacionit që bëhen ne mund t’i hyjmë në hak shoferit, por edhe viktimës, sepse nuk dihet sasia ekzakte e alkoolit në gjak për arsye se në tullumbace vlera nuk është krejt reale”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Mbi 2500 zyrtarë me pasuri “sekrete”

Ndërsa në spitalet rajonale të Kosovës nuk posedojnë kurrfarë pajisjeje, e cila e mat sasinë e alkoolit në gjak.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se edhe pse në këtë spital kryhen të gjitha analizat, nuk bëhet edhe matja e nivelit të alkoolit te pacientët. 

“Ne nuk kemi aso instrumentesh, ndoshta klinikat janë të pajisura me to. Nivelin e alkoolit në gjak ne nuk e matim. Ne të gjitha analizat i bëjmë, por nivelin e alkoolit në gjak vetëm ndonjë laborator i sofistikuar e bën. Ne asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë instrument të tillë”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për gazetën se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë aparat që e mat nivelin e alkoolit në gjak.

Mbi 100 gjoba nga Policia për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit

Vetëm gjatë periudhës janar - shkurt të këtij viti në Kosovë janë shkaktuar 1.991 aksidente në trafik, nga të cilat 14 persona kanë humbur jetën. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” zyra për informim në Policinë e Kosovës (PK). Sipas Policisë, një nga rreziqet për sigurinë në trafikun rrugor është edhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit. Andaj sipas zyrtarëve policorë, vetëm për 16 ditëve të muajit aktual (mars) janë shqiptuar 102 tiketa ndaj personave që kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. “Masa aktive janë ndërmarrë dhe po ndërmerren edhe këtë vit në implementimin e planit operativ ‘Drejtimi i automjetit nën ndikim të alkoolit’, ku vetëm gjatë periudhës kohore 01.03.2019 deri më 16.03.2019 nga njësitet policore janë shqiptuar 102 tiketa ndaj kundërvajtësve që kanë drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit, si dhe janë iniciuar dy kallëzime penale”.

Zyra për informim në PK ka thënë më tej se Policia do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

Dedaj: Alkooli, shkaktari i 1,5% të aksidenteve në Kosovë

Njohësi i çështjeve të komunikacionit Nol Dedaj ka thënë për “Zërin” se në mënyrë që matja e alkoolit të jetë e saktë aparaturat për matjen e tij duhet të jenë njëpërdorimshme. Sipas tij, alkooli është shkaktar i 1,5% të aksidenteve që shkaktohen në vend. “Në bazë të një statistike të mëparshme në Kosovë alkooli është shkaktar i 1,5% të aksidenteve. Policia gjatë programit operativ sigurisht se zhvillon kontrolle në rrugët publike, por aparatura për matjen e alkoolit duhet të jetë e testuar ose vetëm për një përdorim në mënyrë që të jetë e saktë gjatë matjes së alkoolit”, ka thënë ai.

Dedaj ka thënë se gjobat që shqiptohen ndaj atyre që vozisin nën ndikimin e alkoolit nuk janë të mjaftueshme. “Masat ndëshkuese kanë filluar vitin e fundit, ndërsa masat edukative nuk merren për shkak se nuk i posedojnë ato masa institucionet përkatëse. Masat ndëshkuese ose gjobat nuk mjaftojnë dhe është e domosdoshme të merren edhe masa edukative ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilët janë nën ndikimin e alkoolit”, ka thënë ai.

Nga muaji prill do të ketë burgim për vozitje nën ndikim të alkoolit

Për ngasjen e automjetit nën ndikimin e alkoolit deri më tani janë shqiptuar vetëm gjoba, megjithatë nga muaji prill i këtij viti pritet të bëhen ndryshime në Kodin Penal, ku ngasja nën ndikimit e alkoolit do të parashihet si vepër penale, nga e cila vozitësi mund të dënohet edhe me burgim.

Edhe pse vozitja nën ndikimin e alkoolit pritet të klasifikohet si vepër penale, ekspertët e çështjeve të sigurisë në vend nuk mendojnë se kjo gjë do të zbatohet qind për qind. “Tentativa që nga muajt në vijim vozitja nën ndikim të alkoolit të llogaritet si vepër penale mendoj se në aspektin e plotësimit të kriterit në letër kjo tentativë do të jetë e mjaftueshme, por në aspektin praktik kjo masë nuk do të zbatohet në mënyrë 100% nga ana e aparaturës shtetërore”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë në vend Drizan Shala.

Sipas tij, as përmes gjobave të cilat po i shqipton Policia e Kosovës ndaj drejtuesve të automjeteve të cilët po vozisin në gjendje të dehur nuk do të mjaftojnë për vetëdijesimin e tyre. “Gjobat mund të jenë elemente për parandalim të aksidenteve për një afat të shkurtër kohor, porse përmes gjobave nuk besoj se do të mundë të arrihet vetëdijesimi. Për të krijuar një bazë të qëndrueshme duhet që Kosova të marrë për bazë sistemin e komunikacionit të Gjermanisë ose të Kroacisë”, ka theksuar ai.

Shala ka thënë se Policia e Kosovës duhet së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës të vendosë radarë statikë fotografikë për t’i mbuluar në mënyrë me efikase akset rrugore në vend./Zeri/