Mbi 2500 zyrtarë me pasuri “sekrete”
Foto: Laura Hasani

Mbi 2500 zyrtarë me pasuri “sekrete”

Aktuale March 26, 2019 - 07:38
Lexo Detajet
Image

Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ndonëse kanë afat ligjor vetëm deri këtë të premte. Megjithatë shqetësimet janë se deklarimi i pasurisë po bëhet vetëm për ta përmbushur obligimin ligjor, pasi që pasuria e disa zyrtarëve është shumë më e lartë se ajo që deklarohet, shkruan gazeta "Zëri".

Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) ndonëse afat ligjor kanë vetëm deri në fund të kësaj jave.

Në listën e zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë në AKK janë rreth 5000 vetë, përderisa bëhet e ditur se deri më tani obligimin ligjor e kanë kryer mbi 2000 zyrtarë.

“Numri i zyrtarëve të lartë publikë që e kanë për obligim deklarimin e pasurisë gjatë muajit mars të këtij viti është 4839. Deri më tani pasurinë e kanë deklaruar mbi 2000 zyrtarë të lartë publikë”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për gazetën “Zëri”.

Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit thonë se sipas praktikave nga vitet e kaluara zyrtarët publikë zakonisht presin ditët e fundit për ta deklaruar pasurinë ndonëse për ta bërë një gjë të tillë i kanë në dispozicion vetëm edhe katër ditë pune, përkatësisht deri këtë të premte. 

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë ankesa të shumta për deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë, pasi që pasuria e disa zyrtarëve besohet se është shumë më e lartë sesa që e paraqesin në formularët e deklarimit të pasurisë.

Pasuri e madhe, paga të vogla

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë nuk është real. Ajo përmendi pajustifikueshmërinë e pasurisë dhe mosdeklarimin e saj si dy problemet më të mëdha në këtë proces. “Fare nuk besoj që deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë është real pikërisht për faktin se ne kemi dy probleme: E para, me pajustifikueshmërinë e të ardhurave që i deklarojmë, në këtë kuptim shumë prej tyre janë në mospërputhje me pagën. Pra shumë pasuri të zyrtarëve të lartë që janë krijuar në vite dhe atë për një kohë të shkurtër janë në disproporcion me të ardhurat që kanë. Në anën tjetër kemi edhe shumë pasuri që janë lënë edhe në emra të personave të tretë, ku ata fare nuk i deklarojnë, sepse nuk i kanë në emër të tyre pikërisht për shkak të këtyre problemeve ligjore”, ka thënë ajo.

Haxhiu thotë se përderisa nuk ka veprime serioze në hetimin e deklarimeve të pasurisë, atëherë nuk mund të gjendet zgjidhje për këto dy problematika. Ajo u shpreh se arsyetimi i vetëm i zyrtarëve të lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë deri tash është për shkak të angazhimeve dhe gjithmonë shtyhet për afatin e fundit, porse kësaj procedure nuk mund t’i ikë askush. “Jemi të obliguar ta deklarojmë pasurinë dhe nëse nuk e bëjmë brenda afatit zyrtar ligjor që e kemi në dispozicion, atëherë ne bëjmë vepër penale dhe Agjencia Kundër Korrupsionit bën kallëzim penal për çfarëdo zyrtari që nuk e deklaron pasurinë. Prandaj nuk kemi mundësi për t’i ikur këtij afati, kjo është diçka që ndodh në vazhdimësi, secilin vit dhe ndoshta kjo është edhe për shkak të mentalitetit që e kemi të lihen gjithmonë punët në momentin e fundit”, ka theksuar ajo.

Dënimet e buta

Avokati Tomë Gashi në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se edhe pse zyrtarët e lartë publikë e fshehin pasurinë në forma të ndryshme hezitimi i tyre për ta deklaruar atë është i qëllimshëm dhe jo i rastësishëm pikërisht për shkak të mungesës së pasojave. “Kjo është shumë e qartë, edhe pse ka shumë mënyra të fshehjes së pasurisë, besoj një pjesë e këtyre udhëheqësve politikë ose të njerëzve të përfshirë, ose të lidhur me politikën nuk e deklarojnë pasurinë dhe të ardhurat e tyre siç janë të obliguar me ligj për shkak se deri më tani askush nuk ka pasur ndonjë pasojë serioze për mosdeklarimin ose deklarim të rrejshëm të tyre”, ka potencuar Gashi. Ai ka thënë se edhe për akuzat që janë ngritur për zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë është ditur epilogu i tyre për shkak të ndikimit politik që kanë pasur. “Duhet të kemi një agjenci krejtësisht të pavarur dhe duhet të gjendet forma që kjo agjenci të ketë peshën e vet dhe që të jetë hulumtuese, që në rastin kur zyrtarët e lartë shtetërorë nuk i deklarojnë pasuritë e tyre, atëherë të mundë të kenë pasoja juridike dhe ndoshta edhe të largohen nga funksionet që i mbajnë, pasi që kemi të bëjmë me keqpërdorime të parasë publike dhe paraja publike është e popullit”, u shpreh Gashi. Ai shtoi se përderisa Agjencia Kundër Korrupsionit të veprojë nën ombrellën e Qeverisë gjendja e njëjtë do të vazhdojë për një periudhë të gjatë kohore.

Spahija: Ka mospërputhje mes pasurisë së deklaruar dhe asaj të poseduar

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ka mospërputhje mes pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë publikë dhe asaj që ata posedojnë në realitet. “Ajo që shohim për çdo ditë dhe ajo çka ballafaqohemi ne si qytetarë dhe njerëz që jetojmë në këtë vend është që ka një mospërputhje mes asaj që deklarohet si pasuri dhe asaj që realisht është në posedim të këtyre njerëzve dhe jo të gjithëve, por të një pjese të konsiderueshme të tyre”, ka thënë Spahija.

Duke parë që jemi në ditët e fundit të afatit ligjor për ta deklaruar pasurinë, Spahija u shpreh se tashmë është bërë praktikë deklarimi i pasurisë në ditët e fundit dhe se ende është herët të flitet për rezultatet./Zeri/