Sërish nxënësit e Mehmet Akif shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, kthehen me medalje

Sërish nxënësit e Mehmet Akif shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, kthehen me medalje

Aktuale March 20, 2019 - 09:49
Lexoni detajet!

Vetëm disa ditë pasi shkëlqyen në Rumani duke fituar katër projekte, një sukses i radhës vjen për nxënësit e shkollës Mehmet Akif në Prizren. Në garën ndërkombëtare të projekteve ASEF nxënësit e Kosovës u kthyen me medalje. Në këtë garë morën pjesë 13 nxënës me 5 projekte dhe u vlerësuan me 1 medalje ari, 3 argjendi dhe 1 bronzi.

E për këtë sukses nuk ka si të mos mbetet i kënaqur edhe drejtori i Mehmet Akif në Prizren, Bujar Muzhaqi. Ai u shpreh për mediat se përkushtimi i mësuesve tanë dhe dëshira e ambiciet e nxënësve tanë kanë bërë që tradita dhjetë vjeçare në Prizren të pasurohet me sfida dhe arritje të reja.

“Që nga themelimi i shkollave 'Mehmet Akif' në vitin 2000 e deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar në misionin e shkollave tona; Shkollim cilësor e bashkëkohor për fëmijet kosovarë që ata të kontribojnë për një të ardhme më të mirë për vendin, qytetin dhe familjet e tyre.Vitrinat dhe muret e shkollës janë mbushur plot e përplot me medalje, cmime, certifikata e suvenirë nga garat kombëtare e ndërkombëtare.” tha ai.

Muzhaqi më tej u shpreh se tashmë aplikimet e reja kanë filluar dhe janë në kërkim të gjetjeve të reja. Ai shtoi se ky proces fillimisht do të bëhet edhe nëpërmjet testit pranues që do të mbahet në të gjitha shkollat Mehmet Akif më 20 prill.

“Viti aktual akademik është një sfidë më vete. Ne jemi në kërkim të gjetjeve të reja në përputhje me zhvillimet globale. Së shpejti nxënësit tanë do të garojnë në Rumani, e ndërsa maturantët përgatiten për provimet dhe aplikimet nëpër universite të ndryshme. Arritjet tona janë një atraksion për nxënës të rinj. Si çdo vit, sivjet organizuam garat në lëndet e Kimisë dhe Gjuhës Angleze për të vazhduar me provimin pranues që mbahet më 20 Prill. Shkolla jonë është dhe respektohet për motivimin dhe stimulimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në mbarë vendin. Ne i mirëpresim këdo që dëshiron të kontribojë për një Kosovë me të shkolluar, më të sigurtë e më të zhvilluar.” u shpreh ai.

Gara u organizua në Tiranë dhe është në fushën e informatikës. Ndërkaq vetëm para disa ditësh janë pranuar katër projekte të kësaj shkolle në garën ndërkombëtare Infomatrix që mbahet në Rumani.

Nxënësit e shkollave Mehmet AKif në Kosovë njihen në mbarë vendin për suksesin e tyre në arenën ndërkombëtare në lëndët shkencore. Madje kanë fituar medalje deri në Hong Kong në garën ndërkombëtare të matematikës dhe shumë bursa, qindra mijëra euro në universitetet më të mira në SHBA dhe Evropë.