Përçahen negociatorët
Foto: Laura Hasani

Përçahen negociatorët

Aktuale March 14, 2019 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Vizita e fundit në Bruksel e bashkëkryesuesve të Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit, nuk i ka pëlqyer anëtarit të këtij Delegacioni Enver Hoxhajt. Analistët politikë vlerësojnë se nëse në fazën fillestare ka mospajtime të tilla, atëherë s’mund të ketë unitet për tema më të vështira, shkruan Gazeta "Zëri".

Ka pak javë që është formuar Delegacioni Shtetëror për Bisedime me Serbinë, të cilin e bashkëkryesojnë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, por shumë pakënaqësi kanë plasur brenda anëtarëve këtij ekipi. Limaj dhe Ahmeti në fillim të kësaj jave kanë udhëtuar për në Bruksel, ku ua kanë dorëzuar platformën për bisedime me Serbinë bashkëpunëtorëve të kryediplomates evropiane Federica Mogherini.

Por për zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, i cili është anëtar i këtij Delegacioni, një takim i tillë në Bruksel ka qenë i panevojshëm. “Nuk kam informatë pse janë atje. Takimet e tilla mund të jenë të panevojshme, nuk ka kuptim nëse ne nuk jemi unikë në Kosovë. Duhet gjatë këtyre ditëve t’i japim drejtim procesit të dialogut. Ne duhet të japim një vendimmarrje për çështjen e  taksës”, ka thënë Hoxhaj pas këtij takimi.

Por bashkëkryesuesit e këtij delegacioni, Ahmeti e Limaj, e mohuan se ka mospajtime mes anëtarëve të Delegacionit, duke thënë se janë unikë në këtë proces. Analistët politikë vlerësojnë se mollë sherri mes anëtarëve të Delegacionit Shtetëror në Dialog me Serbinë janë qëndrimet e kundërta lidhur me taksën e vënë ndaj mallrave serbe.

Limaj: Delegacioni Shtetëror është unik për të gjitha temat

Mospajtimet mes Delegacionit Shtetëror i ka mohuar bashkëkryesuesi Fatmir Limaj, i cili ka thënë se Delegacionin që udhëheq ai është unik dhe njëzëri në të gjitha çështjet. Limaj pas takimit që pati dje me drejtorin e përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, deklaroi se takimet e zhvilluara në Bruksel janë takime të rregullta dhe në koordinim me anëtarët e Delegacionit. “Delegacioni është shumë unik në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojë, Problemi i vetëm që ka Delegacioni është se kur do të fillojë dialogu, ndërsa brendapërbrenda Delegacioni është në rregull”, ka thënë Limaj.

Ndërkohë duke i komentuar deklaratat e zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj, se takimet e tilla janë të panevojshme dhe nuk ka kuptim nëse nuk ka unitet në Kosovë, Limaj theksoi se ekipi është takuar me ata që është dashur. “Ne jemi bashkëkryesues të dialogut dhe janë takime të parapërgatitura si pjesë e dialogut. Ne jemi takuar me drejtoreshën e Ministrisë së BE-së. Jemi takuar me ata që është dashur të takohemi dhe që janë tërësisht të inkuadruar në dialogun mes dy vendeve”, ka theksuar ndër të tjera ai.
Po ashtu Limaj e pranoi se Delegacioni Shtetëror ka qëndrime të kundërta me liderët shtetërorë në raport me taksën 100 % ndaj produkteve serbe, prandaj duhet që sa më parë të krijohet një qëndrim unik mbi këtë çështje.

Ahmeti: Në Bruksel nuk mund të shkojmë gjithë ekipi
 

Edhe Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i ekipit negociator, pas takimit me zyrtarin britanik Richard Moore, theksoi se edhe Britania ka bërë të qartë se ajo çka presin nga procesi i dialogut është njoha e Kosovës nga Serbia. Kurse i pyetur për takimin e zhvilluar në Bruksel dhe për mospajtimet e Hoxhajt tha se nuk mund të shkojnë në çdo takim pesë-gjashtë përfaqësues.  “Unë nuk mundem t’i drejtoj çështjet personale që i kanë anëtarët e koalicionit ndërmjet vete ose edhe vetë z. Hoxhaj. Ekipi i ka dy bashkëkryesues dhe nëse presin që në takim të jenë nga 5 ose 6 persona mendoj se është gabim, sepse PAN-i ka zgjedhur z. Limajn bashkëkryesues e jo z. Hoxhajn. Unë mund të komentoj vetëm qëndrimet e PSD-së dhe jo të tjerat”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë takimin e të hënës në Bruksel me përfaqësues të Zyrës së Mogerinit, Ahmeti e ka quajtur takim të rregullt.

Gaxherri: Delegacioni Shtetëror në luftë të brendshme

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, duke folur për Delegacionin Shtetëror ka thënë për “Zërin” se ky ekip nuk ka kapacitet të merret me një çështje aq të madhe sa është dialogu me Serbinë. Prandaj siç ka thënë Gaxherri për të dalë nga kjo situatë zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.

“Jo vetëm përplasjet brenda Delegacionit, por edhe brenda koalicionit qeverisës janë tashmë të padurueshme, përpos që janë të dëmshme për vendin. Duke u bazuar në gjitha këto ne po kërkojmë çdo ditë që vendi të shkojë në zgjedhje, sepse nuk ka zgjidhje tjetër të problemit. Këta nuk janë të interesuar të zgjidhet asnjë problem i vogël ditor e lëre më çështjen jetike, siç është dialogu me Serbinë”, ka thënë ajo.

Kurse përçarjet brenda këtij Delegacioni Gaxherri i ka quajtur luftë të brendshme e koalicionit qeverisës.  “Këta po na bëjnë të kuptojmë se janë shumë joseriozë dhe kanë luftë përbrenda vetes më shumë sesa janë të fokusuar për zgjidhjen e problemit me Serbinë”, ka potencuar deputetja e LDK-së.

Haxholli: Taksa po e përçan Delegacionin Shtetëror 

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se taksa e vënë ndaj produkteve serbe po shpërfaq dallimet mes anëtarëve të Delegacionit Shtetëror. Rrjedhimisht, sipas saj, një gjë e tillë nënkupton se nuk ka konsensus brenda Delegacionit për tema me rëndësi për vendin. “Pra, përbrenda këtij Delegacioni një pjesë e anëtarëve është për t’u mbajtur taksa, ndërsa një pjesë tjetër mendon se duhet të pezullohet. Pra si fillim po shohim shumë dallime në mendime brenda këtij ekipi dhe është e vështirë të mendohet se do të ketë konsensus kur para tyre do të kenë tema edhe më të vështira se taksa dhe takimet informuese me z. Mogherinin”, ka theksuar ajo./ZËRI